Fazë e re dialogu, por jo me mentalitet të vjetër

Jul 6, 2017 | 11:30
SHPËRNDAJE

leonidha mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian Federica Mogherini, i bëri bashkë këto ditë në Bruksel presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç. Takimi i parë ky për të dy, duke qenë në postin e Presidentit. Një shqetësim i drejtë i Brukselit, që, dialogu i ndërprerë gjatë këtyre muajve midis dy vendeve, deri tani në nivel të kryeministrave, të vazhdojë dhe më tej.

Pyetja që shtrohet, pasi njihesh me deklarimet e palëve: A do të kemi një fazë të re dialogu apo do të ecet me të njëjtën mendësi, tërhiqe dhe mos e këput? Kujtojmë se takimi i fundit ishte më 1 shkurt të këtij viti dhe Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve u nënshkrua më 19 prill 2013, dy vjet pas fillimit të bisedimeve për probleme teknike.

Duket se kërkohet të ecet në një situatë tjetër. Sa reale është kjo, do të shihet shumë shpejt. Por, për të mos e paragjykuar, të ndalemi në disa momente që tani për tani tërheqin vëmendjen. Negociatat e ardhshme, që mendohet të fillojnë pas një muaj e gjysmë, nuk do të kryesohen, si deri më sot, nga kryeministrat, por do të jenë në nivel presidenti. Duket, sikurse kemi thënë dhe në një shkrim të muajve të mëparshëm, me titull “Një test për Vuçiçin”, botuar në këtë gazetë, presidenti i sotëm serb, i ardhur në këtë post në fund të muajit maj, në gjithë vijueshmërinë e viteve të fundit është parë si “i preferuari i Perëndimit”.

Ky atribut është marrë që nga koha kur Vuçiç kryente detyrën e zëvendëskryeministrit, ndërkohë që kryeministër ishte tjetërkush, Ivica Daçiç, lideri i Partisë Socialiste të Serbisë. Pra, pozita, si i tillë, i preferuar, i përkëdhelur i Perëndimit, u forcua më pas, duke qenë në krye të ekzekutivit. Në krah të Hashim Thaçit, duket të dy janë parë si çifti më i përshtatshëm për dialogun e mëtejshëm midis vendeve që ata përfaqësojnë. Në këtë rrugëtim, kuptohet, sikurse ka ndodhur, do të binin, por edhe do të bien ngarkesa pakënaqësie të të vetëve, që nuk mund të sfumohen lehtë.

Vetë fitorja e Aleksandër Vuçiç dhe partisë së tij në zgjedhjet e mëparshme parlamentare u pa si fitore e properëndimorëve, në një kohë që bashkanëtarë partiakë kërkojnë t’i rrinë larg Bashkimit Europian, pa folur për partitë e djathta që nuk pajtohen me dialogun Kosovë-Serbi, reagimin e të cilave, propaganda ruse, në veçanti, e shikon si rrjedhojë të politikave proeuropiane të Vuçiçit.

Në rrugën për t’iu bashkuar familjes europiane, përmirësimi i marrëdhënieve Kosovë- Serbi është domosdoshmëri për të dyja vendet. Pavarësisht arritjeve të secilit vend për integrimin europian të tyre, nëpërmjet nënshkrimit nga Kosova të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me BE-në, si dhe hapjes së kapitujve që çojnë në anëtarësimin e Serbisë, normalizimi i marrëdhënieve mes tyre nuk mund të mbetet te fjalët dhe thjesht ato të ngrira në letër.

Mendojmë se negociatat në nivel Presidenti synojnë një fazë tjetër, një dimension të ri të tyre, edhe pse në Kosovë, jo të gjithë janë të një mendjeje me këtë. Lidhja Demokratike, duke mos u pajtuar me këtë ndryshim, kërkon që negociatat të drejtohen nga qeveria që do të vijë. Kjo motivohet me atë që, problemet që do të diskutohen “janë në përgjegjësitë kushtetuese të ministrave, përkatësisht qeverisë e jo Presidentit”.

Me përjashtim të Partisë Demokratike, partitë e tjera e shikojnë me dyshim këtë veprim. Në vend që të merren seriozisht me këtë fazë të rëndësishme, çdo gjë e shohin me dyshim, me mungesë besimi, në radhë të parë ndaj njerëzve të vetë. Me gërvërret ndaj njëri-tjetrit, gjithçka shikohet si ndërmarrje e Thaçit për ta kryesuar vetë dialogun. Lëvizja Vetëvendosje shkon dhe më tej.

Ajo e gjykon këtë veprim të Thaçit si të tillë, që kërkon “të faktorizohet për të gjetur shpëtim nga Gjykata Speciale”. Dialogu, në rastin konkret, nuk mund të jetë thjesht pronësi e këtij apo këtij individi. Pronësia më e mirë është që për një çështje të tillë madhore të merren vesh së toku liderët e partive politike dhe pse jo Parlamenti, për të vajtur në Bruksel me qëndrime të qarta dhe që rritin prestigjin e Kosovës, i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Kosova, siç pohoi me të drejtë pardje kryediplomati i SHBA-ve në Prishtinë, Delawie, është në një pikë kthimi, ku populli dëshiron progres, jo ngecje.

Pra, progres dhe në marrëdhëniet me fqinjët. Nga ana tjetër, kjo fazë e re dialogu, nuk mund të ushqehet nga pala serbe me mentalitet të vjetër. Nëse Kryeministrja e re e Serbisë, Ana Brnabiç, iu drejtua këto ditë deputetëve në Kuvend, se Serbia duhet të bëjë një kompromis historik me Kosovën, njerëzve u duhet thënë hapur se ku qëndron ky kompromis. Presidenti Aleksandër Vuçiç, si lider modern, properëndimor, sipas fjalëve të aktivistes së njohur serbe për të Drejtat e Njeriut, Natasha Kandiç, duhet të dëshmojë gjithashtu se çfarë po ndodh në të vërtetë me problemin e Kosovës, nëse dialogu në Bruksel do të ketë si rezultat përfundimtar njohjen e Kosovës.

Kështu, fazës me të vërtetë të re të dialogut do t’i paraprihej me një mentalitet të ri. Vetë njohja e shtetit të Kosovës do të ndihmonte Serbinë, që të shpejtonte integrimin e saj në Bashkimin Europian dhe bisedimet nuk do të nguroseshin në kuptimin formal të tyre, thjesht, për të hedhur lumin, si të vetmet për të realizuar qëllimin final, anëtarësimin në BE.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura