Faza e fundit e konfliktit dhe fati i foltores

Jan 28, 2022 | 8:12
SHPËRNDAJE

ergys-mertiriERGYS MËRTIRI

Pas muajsh tensione që degjeneruan deri në konfrontim fizik, përplasja Basha-Berisha po fillon të zbehet, ndërsa revolucioni i organizuar nga foltorja shkon drejt shuarjes. Berisha e ka kuptuar tashmë rrezikun dhe po kërkon të fitojë kohë, duke shpikur aksione të reja opozitare për të mos i lënë “luftëtarët” të zhgënjyer. Ai po premton beteja institucionale, përfshirë dhe atë parlamentare, ndërsa, pas kockës së hedhur nga Meta me caktimin e datës së zgjedhjeve, ka gjetur një gomone për t’i shtyrë dhe nja dy muaj me një angazhim krejt pa lidhje me përmbysjen e premtuar. Koha tashmë është kthyer mbrapsht dhe pas kulmimit në 8 janar, foltorja është rishpërndarë përsëri nëpër rrethe, tashmë pa entuziazmin e fillimit.

Gjithçka ka shkuar sipas një logjike normale, që ndodh gjithmonë në situata të tilla. Një lëvizje që ka për qëllim të përmbysë një lidership, mund të arrijë sukses vetëm nëse merr përmasa të mëdha brenda një kohe të shkurtër. Nëse ajo nuk e arrin objektivin brenda disa javësh, është e destinuar të dështojë, pasi koha kthehet gjithmonë në disfavor të saj. Konflikti nuk është një gjendje normale e për pasojë ai nuk mund të zgjasë në mënyrë permanente. Gjendja e tensionuar që ai sjell nuk është e dëshiruar, ndaj të gjithë do të duan që ai të mbarojë sa më shpejt.

Duket se lëvizja e z. Berisha nuk arriti të prodhojë dot masën kritike për të realizuar qëllimin. Ai arriti të krijojë entuziazëm, indinjatë dhe agresivitet vetëm te një masë e caktuar militantësh fanatikë, të cilët, të pushtuar nga pasioni i betejës, u shndërruan në një pakicë të zhurmshme, që paralizoi debatin publik duke krijuar vetëm iluzionin e një shumice. E megjithëse në anën e z. Berisha kanë qenë gjithashtu edhe pjesa dërrmuese e mediave, ky perceptim nuk arriti të prodhojë dot një realitet të mjaftueshëm për të përmbysur situatën. Foltorja nuk arriti dot të shndërrohet në një lëvizje me përkrahje të gjerë dhe kjo u pa qartë në 8 janar, ku në momentin më deciziv, në krah të z. Berisha nuk pati më shumë se 1000 apo 1500 vetë.

Sipas studiuesve ka disa faza, në të cilat zhvillohet një konflikt brenda një organizate. Ai fillon me fazën e tij latente, vazhdon me atë të shfaqjes së tij hapur dhe përfundon me procesin e shuarjes deri në rivendosjen e paqes. Teoricienë të kësaj fushe si Lewis Coser, shpjegojnë se fillimisht grupet antagoniste mund të jenë të paqartë për pozicionet e tyre dhe të kundërshtarëve brenda organizatës. Kjo paqartësi është përgjithësisht burim i konfliktit, pasi aktorëve iu duket se nuk kanë marrë pozicionet që meritojnë në raport me forcën që kanë. Pas konsumimit të konfliktit bëhet i mundur qartësimi i këtyre raporteve, gjë që sjell mundësinë për rivendosjen e paqes dhe rishikimin e pozicioneve të aktorëve.

Konflikti në PD është në fazën e shuarjes. Dështimi i 8 janarit u bë një tregues që qartëson raportin e forcave për shumë aktorë pjesëmarrës. Tashmë, me gjithë përpjekjet e z. Berisha për të mbajtur ndezur furrën e sherrnajës, temperatura ka filluar të bjerë dhe aktorë të ndryshëm kanë filluar natyrisht të ribëjnë llogaritë e tyre personale mbi realitetin e ri të “pas luftës”. Ky është një proces që do të marrë kohën e vet dhe, dikush më herët e dikush më vonë, pjesa më e madhe të ndjekësve të foltores do të vijë në këtë situatë.

Logjika kërkon që, pasi i kanë matur forcat, grupet në konflikt të shtyjnë drejt një konsensusi. Sigurisht, kjo është e pamundur në kushtet e një beteje për “jetë a vdekje” si ajo midis Bashës dhe Berishës, por një rinegociim midis shumë prej aktorëve të foltores me Kryetarin në detyrë do të jetë i pritshëm. Pas betejës, fituesi do të marrë shumicën (përfshi edhe shumë prej kundërshtarëve) dhe do të vazhdojë rrugën, ndërsa humbësi dhe një pjesë nga ndjekësit e tij do të duhet të shkojnë në shtëpi. E vetmja mundësi mbijetese për Berishën dhe njerëzit rreth tij është krijimi i një partie të re, por kjo kërkon që ata të heqin dorë nga ambicia për të qenë faktorë dominues në politikën shqiptare, duke u detyruar të kënaqen me një rol dytësor apo periferik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura