Faturat e dritave, drejtoresha e Arkëtimit në OSHEE: Si përfitohet ulje e kamatëvonesës

Apr 19, 2015 | 13:50
SHPËRNDAJE

OSHEE ka nisur zbatimin e një skeme të re lehtësuese për pagesën e borxhit që debitorët kanë pranë saj.

Drejtoresha e Shitjes dhe Arkëtimit në OSHEE, Albana Ferraj

Në këtë skemë mund të hyjnë potencialisht 180 mijë konsumatorë familjarë, të cilët nuk kanë asnjë aktmarrëveshje të lidhur me kompaninë.

Në një intervistë për gazetën, drejtoresha e Shitjes dhe Arkëtimit në OSHEE, Albana Ferraj, sqaron mënyrën se si do të zbatohet kjo skemë e re, e cila përfshin katër produkte bazë të pagesës me këste. Sipas Ferrajt, kjo është një mundësi më shumë që kompania po u jep atyre që janë debitorë, për të hyrë në sistem dhe për të mos shkuar menjëherë te masat drastike të ndërprerjes së energjisë.

Skema e parë e mbyllur në fund të marsit i hapi rrugën hartimit të një tjetër skeme, e cila fal deri në 50 për qind të kamatëvonesës për ata që paguajnë me këste të reduktuara. Kategorizimi i debitorëve bëhet nga niveli i borxhit që kanë, ndërsa përfitimi i zbritjes së kamatëvonesës bëhet vetëm në rastet kur pagesa bëhet në afate më të shkurtra sesa ato të parashikuara në produktin bazë.

Gazeta në konsultim me OSHEE sjell katër shembuj të thjeshtë për mënyrën sesi aplikohet skema e re dhe në bazë të kësaj logjike, gjithsecili mund të llogarisë vetë këstin apo zbritjen e kamatëvonesës që mund të përfitojë.

Sa është numri potencial i konsumatorëve familjarë që përfshihen në këtë fazë të re të aktmarrëveshjeve me OSHEE, me fokus detyrimet deri më 31 dhjetor 2014?

Grupi potencial që kemi menduar ne është 180 mijë abonentë, të cilët nuk kanë lidhur asnjë lloj aktmarrëveshje me shoqërinë. Pra janë debitorë të pastër ndaj kompanisë. Në këto kushte, pamë të nevojshme këtë fazë të re aktmarrëveshjesh. Kemi përcaktuar disa objektiva të qarta që lidhen me masat që duhet të marrim për të përmirësuar situatën sa u takon arkëtimeve, reduktimit të humbjeve apo të tjerë tregues. Afrimi i klientit drejt shoqërisë është krijimi i një marrëdhënie të re besimi mes palëve.

Kemi vendosur të krijojmë një marrëdhënie të re partneriteti dhe në këtë vazhdë po vijojmë, pra po e thërrasim edhe një herë, për një tjetër mundësi konsumatorin. Kjo na krijon avantazhin e përthithjes së faturave korrente, por edhe të pagesës së debive. Na jep mundësinë që të evidentojmë në kohë edhe pjesën e abuzimeve, nëse ka. U mendua si një zgjidhje pasi janë 180 mijë konsumatorë që përbejnë 50 për qind të detyrimeve në lekë të familjarëve. Në vlerë këto detyrime janë rreth 40 miliardë lekë.

Çfarë logjike ka ndjekur hartimi i skemës së re nga ana juaj?

Më 1 prill kur përgatitëm planin e punës për ndërprerjen e furnizimit për konsumatorët që nuk ishin bërë pjesë e skemave lehtësuese, vërejtëm që ishte e nevojshme ofrimi i një mundësie shtesë për këtë kategori që lindte si rezultat i shumave të detyrimit.

Deri në atë kohë, lista e ndërprerjeve ndiqte një logjikë të caktuar, duke synuar orientimin te debitorët me detyrimet më të mëdha dhe me afate të mospagimit që tejkalonin 1 vit. Pas përfundimit të kësaj faze, ngeli një portofol prej 180 mijë konsumatorësh familjarë dhe të gjithë këta duhet të kalojnë për ndërprerje energjie. Por, për të realizuar këtë duhet një mobilizim i madh dhe mund të arrihet deri diku synimi. Por ajo që menduam është që para ndërprerjes, çdo konsumator duhet të ketë edhe një mundësi. Kjo edhe për faktin se ka abonentë që nuk kanë ndonjë detyrim në shifra shumë të larta dhe është i përballueshëm. Për shembull, ata që kanë detyrimin deri në 50 mijë lekë, janë 115 mijë abonentë.

Ekziston mundësia potenciale që këta ta paguajnë me gjashtë këste. Por, kemi dhe abonentë që kanë detyrime mbi 600 mijë lekë që shkojnë te 20 mijë. Duke e bërë fakt ndërprerjen e energjisë dhe kërkesën për arkëtim të menjëhershëm, krijon një pamundësi reale të konsumatorëve për pagesë duke vënë në rrezik dhe arkëtimin e faturave korrente (mars 2015). Ideja është që konsumatorët së bashku me debinë të paguajnë dhe këtë faturë, duke mundësuar kështu kthimin në një situatë normale të marrëdhënies me shoqërinë kundrejt një marrëveshjeje për pagimin me këste. Nëse ai shkel këtë marrëdhënie të re, atëherë parashikohet ndërprerja e energjisë dhe arkëtimi i menjëhershëm i detyrimit, sipas formave ligjore që parashikohen.

Çfarë dokumentesh duhet të paraqesë një qytetar për të lidhur këtë aktmarrëveshje me OSHEE-në?

Kushtet e dokumenteve janë të njëjta, sikurse edhe në skemën e parë të aplikuar në dhjetor-mars. Mbajtësi i kontratës duhet që të paraqitet vetë me kartën e identitet dhe të lidhë aktmarrëveshjen. Nëse personi që paraqitet në sportel nuk është mbajtës i kontratës familjare, por një person tjetër i familjes ose i afërm që do të impenjohet në pagesën me këste, nevojitet një autorizim me shkrim nga mbajtësi i kontratës shoqëruar me kartën e tij të identitet në të cilën shprehet se ai lejon një palë të tretë, e cila vjen në sportel dhe lidh aktmarrëveshjen për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Si ka qenë interesi në këto ditë të para të zbatimit?

Interesi në këto dy ditë ka qenë i mirë. Kemi pasur 260 aktmarrëveshje dhe ajo që është interesante, është fakti që përsëri mbi 50 për qind e abonentëve që janë paraqitur kanë preferuar produktin me zbritje të kamatëvonesës, pra pagesë në këste të reduktuara. Jemi te të njëjtat trende të skemës së mëparshme, ku 60 për qind e abonentëve preferuan skemën me 80 për qind ulje. Ne na bën më optimistë futja në skemë vullnetarisht, në përmbushjen e synimeve të arkëtimeve që për këtë vit janë rreth 54 miliardë lekë.

Si është pritshmëria juaj për këtë skemë të re që po aplikoni?

Pritshmëria, të paktën e imja personale, është minimalisht të përthithen 30 për qind e abonentëve (54 mijë), të cilët evidentohen të jenë rreth 180 mijë. Megjithatë, duke parë numrin e klientëve me një detyrim deri 100 mijë lekë, që arrin në rreth 115 mijë, unë pres që të paktën kjo kategori të futet e gjitha në skemë brenda këtij viti.

Çfarë duhet të kenë parasysh të gjithë ata që lidhin një aktmarrëveshje me OSHEE, cilat janë kushtet që duhet të plotësojnë për ta bërë atë funksionale?

Hyrja në aktmarrëveshje për pagesën me këste kërkon që konsumatori të jetë korrekt me pjesën e pagesës së faturës së fundit të gjeneruar në sistem dhe me këstin e muajit. Në rast se nuk paguhet kësti apo fatura korrente, atëherë aktmarrëveshja konsiderohet e pavlefshme. Kjo vlen si për aktmarrëveshjet e para të lidhura në dhjetormars, edhe për këto të rejat. Njerëzit duhet të respektojnë të dyja kushtet.

Nëse konsumatorët nuk kanë në dorë faturën korrente, por data e pagesës së këstit ka ardhur, atëherë duhet të interesohen në sportel për faturën e fundit. Duhet të jenë të kujdesshëm me respektimin e afateve dhe kërkojmë mirëkuptimin e tyre. Mund të interesohen për faturën korrente tek arkat tona në qendrat e shërbimit të kujdesit ndaj klientit, si dhe te pikat e transferimit të parave “Western Union” dhe “Money Gram”. Po kështu, duhet të kenë parasysh që pagesat mund të bëhen çdo ditë të javës nga e hëna në të shtunë, në oraret 08:00-20:00. Rënia e fluksit nga skema e parë na ka çuar në konkluzionin që e diela të bëhet pushim.

Po për ata që janë tashmë në një aktmarrëveshje me OSHEE, të lidhur nga skema e parë e aplikuar më herët, a mund të ndryshojnë kushtet për të hyrë në një aktmarrëveshje të re me kushtet e reja?

Po. Kemi ofruar mundësinë edhe për këtë kategori që nëse më herët kanë lidhur një aktmarrëveshje për pagesën me këste 2500 lekë për familjet normale dhe 1000 lekë për ata në ndihmë ekonomike. Pra, nëse kemi pasur një detyrim 100 mijë lekë dhe kemi lidhur një aktmarrëveshje në muajin shkurt, ku kemi paguar dy këste prej 2500 lekësh, detyrimi i mbetur është 95 mijë lekë. Ata që duan të përfitojnë nga zbritja 50 për qind e kamatëvonesës duke paguar me dy këste, do t’u llogaritet aktmarrëveshja mbi vlerën 95 mijë lekë. Patjetër që këstet e paguara kanë të përfshirë edhe principal dhe kamatë, me llogaritje që bëhen automatikisht prej sistemit të faturim/arkëtimit.

Doja të shtoja se janë rreth 5 mijë raste që kanë hyrë në aktmarrëveshjet e para dhe nuk i kanë respektuar kushtet e saj. Këta konsumatorë mund të hyjnë në këtë skemë të radhës, por do të duhet të jenë korrektë në respektimin e pagesave dhe afateve. Kalimi nga skema lehtësuese në skemën e re kërkon aprovim paraprak nga departamenti i shitjeve dhe arkëtimeve në zyrat qendrore dhe si rrjedhojë konsumatori duhet të na mirëkuptojë nëse do t’i duhet të presë deri në mbërritjen e autorizimit.
 

 

Nertila Maho 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura