Fatura e krizës së dritave te bizneset, administratori i OSHEE: Nuk ka rritje për familjarët. PD akuzon për abuzime me kaskadën e Drinit

Oct 26, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Drejtori i OSHEE-së, Ardian Çela, deklaroi se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, ndërsa faturën e krizës do ta paguajnë bizneset.

248350668_242152854619389_6929489000568079137_n

Gjatë fjalës së tij në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Çela u shpreh se deri në fund të vitit çmimi i energjisë nuk do të ndryshojë. Ai u shpreh se OSHEEja nuk ka aplikuar asnjë rritje të tarifave tek Enti Rregullator për 2022-shin.

Çela siguroi se nuk do të ketë rritje për 1 milion abonentët e OSHEEsë, por u shpreh se konsumatorët që janë të lidhur me tensionin e mesëm do të dalin në treg të lirë. Kjo nënkupton se bizneset e mesme dhe të mëdha do të dalin vetë në treg ndërkombëtar për të blerë energji, e cila nga ai moment nuk do t’u subvencionohet nga shteti.

Kjo pritet të sjellë një çmim të lartë të energjisë për këto kategori konsumatorësh dhe se bizneset e mesme dhe të mëdha do të jenë ato që do të paguajnë faturën e krizës së energjisë të paralajmëruar dhe për të cilën u miratua me një shumicë votash projektligji që i hap udhë marrëveshjes së huas prej 70 milionë eurosh që BERZH i ka akorduar kompanisë OSHEE për të rikuperuar pasojat e pandemisë.

“Deri më datë 1 janar nuk do të ketë asnjë prekje të tarifës. Me datë 1 janar OSHEE ka bërë aplikimin pranë Entit Rregullator, që është institucioni që aprovon tarifat. Dhe nuk ka aplikuar asnjë rritje tarife. Pjesa tjetër është pjesë e një reforme tjetër ku përfshihet liberalizimi i tregut që ka filluar shumë vite më parë. Më 1 janar pjesa tjetër që janë të lidhur me tension të mesëm do të dalin në treg të lirë si pjesë e një projekti që ka nisur me Bankën Botërore që është implementuar përmes OST-së. Theksoj se ka përfunduar platforma mes OST-së dhe OSHEE-së.

Shtoj edhe njëherë se rritje tarifash për 1 milion abonentë që furnizohen nga OSHEE nuk do të ketë. Ne krahasimet i kemi bërë me veten. Shqiptarët e kanë harruar atë periudhë kur iknin dritat. Ka ende për t’u bërë, por përmirësimet janë të dukshme. Përkeqësimi i situatës dhe rritja e tarifave nuk do të ndodhë. OSHEE është prekur nga COVID-i. Në vitin 2020 OSHEE e mbylli me 2.4 mld lekë të rinj humbje, sepse niveli i arkëtimeve nga 97.5% që ishte në vitin 2019, ka rënë në 93.4% në 2020-ën”, tha Çela, ndërsa shtoi se ka ende shumë punë për të bërë në përmirësimin e rrjetit energjetik.

Në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese pati një debat mes ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, me deputetin demokrat Helidon Bushati në lidhje me nivelin e kaskadës së Drinit.

Deputeti i Shkodrës vuri në dyshim nivelin e deklaruar nga Balluku, duke deklaruar se do të marrë në telefon persona përgjegjës që monitorojnë këtë kaskadë.

“Së pari, do të sqaroj që ne nuk kemi qenë dhe nuk jemi kundër investimeve të duhura në energjetikë, por jo për ato për klientelizëm dhe elemente korruptive. Opozita mendon që situata e sotme është një situatë e ardhur nga keqmenaxhimi.

Pavarësisht se jeni munduar të vendosni një arsyetim të krizës, prej Covid-it, por Covid-i ka një vit e gjysmë. z. Çela nuk e ka nxjerrë si një problematikë të madhe çështjen e Covid-it. Diferenca e shpenzimeve të OSHEE-së me kilovat/orët që shet është shumë e madhe dhe për 3 vite 120 milionë euro shkuan për rroga.

Me rritjen e rrogave të punonjësve të OSHEE-së po tregoni një tallje ndaj qytetarëve, pasi ata nuk janë as profesionistë. Mund të jenë patronazhistë shumë të mirë, por jo punonjës të mirë. Duke qenë se e dinit që do të vinin ditë të vështira në muajt shtator, tetor, përse është bërë shfrytëzimi i kaskadës në muajt korrik dhe gusht me 160% dhe 125% më tepër se niveli rasional i shfrytëzimit”, tha Bushati.

Ndërkohë, ministrja Balluku u shpreh se ajo ka para të dhënat, të cilave u referohet ndërsa ironizoi me Bushatin për marrjen e të dhënave.

“Ti tani mos merr rojën te dera se është turp. Unë i kam të dhënat këtu. O zotëri i nderuar, unë u referohem shifrave. Nuk ka nivel normal, ka nivel teknik dhe për sa kohë optimizohet kaskada. Nuk e di kush t’i thotë këto histori, roja atje apo s’e di. Nëse Komani ka 100 metra kub në sekondë, ne nuk prodhojmë. The që keni shitur në korrik. I dashur. Vazhdoj unë me shifrat e mia.

Prandaj qeshim ne, se ne i njohim shifrat. Pas muajit korrik niveli i Fierzës ra dhe për të siguruar furnizim për periudhën e shtatorit dhe tetorit u programua import për muajt në vazhdim. U programua vetëm për humbjet”, tha Balluku.

BOZO: S’KA KEQMENAXHIM TË KASKADËS SË DRINIT

Deputetja socialiste Luljeta Bozo, anëtare e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, tha se nuk ka keqmenaxhim të kaskadës së Drinit, pasi edhe një rënie me një metër e nivelit të Fierzës do sillte ndryshime të mëdha.

“Hidrocentrali i Fierzës, ku bie niveli qoftë edhe me një metër, është një gjë e jashtëzakonshme. Ka disa terma që nuk ka të drejtë asnjeri t’i shkelë.

Kush i mbush rezervuarët? Unë jam inxhiniere ndërtimi. Nëse ka vërtet shkelje, kemi të drejtë të flasim. Nuk besoj se ka një keqmenaxhim të kaskadës. Skavica do të ishte rregullator, por erdhën ndryshimet dhe nuk u krijuan mundësitë.

Kush e kishte parashikuar se do të kishte tri vite një thatësirë të tillë”, deklaroi Bozo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura