Fatos Lubonja tregon apokalipsin e rremë të ‘97

Apr 17, 2015 | 22:23
SHPËRNDAJE

MORELLE SMITH

  “Kam filluar të shkruaj një roman mbi piramidat. Quhet ‘Anija e sheqerit’, thotë Fatos Qorri, shkrimtar, gazetar, ish i dënuar politik dhe alterego e Fatos Lubonjës, autor i këtij rrëfimi. “Harroje ‘Anijen e sheqerit’, një anije njerëzish po mbytet pikërisht këtu mes nesh”, ndërhyn bashkëbiseduesi Edi Rama. Rrugës për në shtëpi, atë natë, Rama u sulmua në një rrugicë të errët dhe u rrah keqas. 

  

“Apokalipsi i rremë” mbulon ngjarje nga janari në mars të vitit 1997 në Shqipëri, kur skemat piramidale, në të cilat shumë qytetarë kishin investuar shuma të mëdha parash, ranë. Kur biznesi i paskrupullt kapitulloi, zyrat e tyre u mbyllën dhe bosët e tyre u zhdukën, britmat e papërmbajtura të investitorëve të dëmtuar u bënë edhe më të forta, duke ndezur një shtresë hidhërimi, zemërimi dhe pakënaqësie, që ishin ndrydhur prej dekadash të tëra frike.
Libri nis me përshkrimin e ndërtesës, një ish-kopsht fëmijësh në Tiranë, ku Qorri kishte gjetur një “çati” pas lirimit nga burgu, që pasoi rënien e regjimit komunist. Dera e përparme “ishte shqyer… oborri i pasmë përdorej si një vend plehrash nga banorët e apartamenteve fqinje” dhe “dritaret e drunjta… kornizat ishin kalbur nga koha”.
Këto detaje janë kapur mjeshtërisht në përkthimin e shkëlqyer të John Hodgson, i cili përçon atmosferën e qytetit dhe realitetin e rrugëve të ftohta të dimrit, me arkitekturën e tyre të zymtë dhe të dërrmuar, të cilat formojnë një sfond për diskutimet e nxehta, rivalitetet, pasionet dhe intrigat, të cilat do të shpërthenin në sulme të dhunshme, zjarre dhe shkatërrim.
Efekti kinematik i përshkrimit të Lubonjës rritet nga trilli i tij narrativ. Duke përdorur një pseudonim ironik (qorr-i verbër), Lubonja e bën veten një personazh mes të tjerësh, të gjithë të përfshirë në ngjarje më të mëdha se ata vetë. Ai gjithashtu pasuron ditarin e Qorrit me konfuzionin dhe paqartësitë e tij, kufizimin e informacionit, në vetë të tretë, një vlerësues i gjithëdijshëm i ngjarjeve që kishin përfshirë Shqipërinë dhe botën e jashtme.
Në një moment, Qorri përshkruan Shqipërinë si “shoqëria e vogël ku kushdo njeh këdo”, ku “as ligji, drejtësia dhe as e vërteta nuk mund të funksionojnë”. Ne jemi prezantuar më herët me taktikat e qeverisjes së Partisë Demokratike, politikat e së cilës ndryshojnë me shpejtë- si të habitshme për t’i qëndruar synimit kryesor, atij të mbajtjes së pushtetit. Për të ndjekur gjurmët e Sigurimit, Policisë sekrete të kohëve të komunizmit, është SHIK-u banditesk, i cili godet oponentët si Edi Rama.
Shumica e tregut mediatik-gazeta dhe kanale televizive- janë organe të partisë në pushtet. Protestat dhe demonstratat në jug bëheshin gjithnjë e më të shumta në numër. Qeveria përgjigjet duke rritur ashpërsinë, me shpresën për t’i përmbajtur. Por ngjarjet dolën jashtë kontrollit, duke filluar me shpërthimin e depos së armëve në Vlorë, ku nisi edhe demonstrata.
Partia Demokratike tregon një manipulim mjeshtëror. Në ditët e para të demonstratave, Qorri dhe anëtarët e tjerë të Forumit (opozitar) u mbajtën në një rajon policie për t’i ndaluar që të udhëhiqnin protestën. Ata u mbajtën në një pjesë tjetër të qytetit dhe iu tha që të shkonin nëpër shtëpi. Kjo është regjistruar me kamera dhe është shfaqur në televizionin shtetëror për të “provuar” mungesën e çdo proteste. Manipulime të tjera të mëdha vijuan. Arsenali i armëve në veri me qëllim u la pa asnjë mbrojtje dhe një thashethem qarkullonte që të nxiste popullin që t’i mësynin atyre. Me Veriun dhe Jugun të armatosur, dhe me konfliktin e nxitur mes tyre, më në fund do të kërkohej ndihmë nga organizata të huaja, për të shtypur “luftën civile”. Por nuk kishte asnjë luftë civile. Qorri shkruan se konflikti ishte mes “popullit të mashtruar dhe qeverisë, e cila jo vetëm kishte dështuar në mbrojtjen e tyre nga mashtruesit dhe piramidat, por kishte qenë bashkëpunëtore në zhvatjen e tyre”.
Tanimë, Tirana kishte shpërthyer si depot e armëve të lëna hapur dhe bosh. Shteti ra, ndërtesat ishin në flakë, gangsterë të armatosur mbretëronin rrugëve, duke qëlluar me zemërim apo për të arritur pikavarazhin personal dhe qindra njerëz humbën jetën. Njerëz të terrorizuar mësynë tragetet e fundit në Portin e Durrësit, për të ikur.
Një anije shqiptare u mbyt në brigjet italiane, pranë Brindisit. U duk sikur Presidenti Sali Berisha ishte i gatshëm ta linte vendin të grabitej, në vend që të jepte dorëheqjen nga pushteti. Ai më në fund u bind nga kryeministri italian, me përkrahjen e forcave të Kombeve të Bashkuara, të mbante zgjedhje të reja.
Kjo ishte ajo çka njerëzit donin dhe gradualisht rregulli filloi të kthehet. Duke i vënë vetes si detyrë të tregojë për interesat vetjakë dhe korrupsionin, Fatos Lubonja tregon se Shqipëria vazhdon të ketë nevojë për njerëz me kalibrin e tij intelektual dhe moral.
MORELLE SMITH

Shkrim i marrë nga “The Times”

(Titulli origjinal: “Një popull i mashtruar”)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura