Fatos Arapi boton veprën: Në poezi jam unë i vërteti

Dec 23, 2014 | 11:41
SHPËRNDAJE

“Në jetë mund të sillesh ndryshe nga ç’je, mund ta zbukurosh veten, mund ta fshehësh.
Nuk është diçka e jashtëzakonshme hipokrizia e përditshme njerëzore. Ajo shpesh na bëhet natyrë e dytë. Në art jo, në poezi jo”. Poeti Fatos Arapi e ka ditur qysh se “la” shifrat për shkrimtarinë, se vetëm aty nuk mund të bëje me hile. Ndoshta do të mund të “mashtroje” për pak kohë, por jo, më tej, nuk mund. Për të treguar besnikërinë ndaj lexuesit e mbi të gjitha ndaj vetes, në vitin e 85-të të jetës vendosi që t’i kthehet publikut shqiptar përmes ribotimit të krijimtarisë së tij poetike. Është një vepër voluminoze prej 864 faqesh, ku është përfshirë poezia e tij e zgjedhur. Një botim luksoz, për të cilin është kujdesur shtëpia botuese “Neraida”. Kjo vepër, botimi i së cilës mundësohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, është konceptuar në katër vëllime: “Më jepni një emër”-Poezi të zgjedhura 1962-1989, “Në kaq pak Tiranë” (1990-1996), “Urna e vogël” (1997-2003) dhe “Një buzëqeshje e pabesueshme” (2005-2010). Dashuri, dhimbje, brengë ballkanase, vaje, det, një Tiranë që herë i duket aq e vogël, herë e mbushur vetëm me tiranë, por që pa të cilën nuk bën dot… Një botë e tërë që Fatos Arapi e ndërton përmes vargjesh… Duke na rikonfirmuar vendin e rëndësishëm që ai zë në letërsinë shqipe.
Përveçse ka zgjedhur një për një poezitë që do të përfshinte në këtë botim, autori është kujdesur dhe ka ngulur këmbë të ruajë drejtshkrimin e kohës. Çdo zanore që mund të hiqej do të sillte ndryshime në strukturën metrike të vargjeve, ndaj edhe ai ka kërkuar që të mos cenoheshin. Përpos kësaj, një tjetër arsye lidhet me faktin se veprat origjinale që i përkasin viteve 1962, 1966 apo 1968 nuk ekzistojnë më dhe Arapi ka dashur që poezia e tij t’i vijë lexuesit e paprekur, ashtu si ai e ka shkruar dikur.
Rikthimi
Sa herë që dikush i rikthehet krijimtarisë së vet dhe ia ripropozon lexuesit, natyrshëm pyet se përse tani. Fatos Arapi kishte jo pak arsye për të risjellë para lexuesit veprën e tij më të mirë. Ky vit përkonte me 85-vjetorin e lindjes së tij, por edhe me 65 vjetorin e debutimit të autorit në fushën e letrave. Por edhe sepse jeta letrare e tij ka ndjekur një zhvillim tërësisht të veçantë. Krijimet e para i botoi në vitet ’50. U bë i njohur në vitet ’60, duke u bërë një nga zërat më të fuqishme të letërsisë së re shqipe, me atë të ashtuquajturën asokohe, treshen e famshme Arapi-Agolli-Kadare. Më pas, mjaft nga librat e tij u botuan jashtë territorit të shtetit shqiptar. Deri në vitin 2014, veprat e tij më përfaqësuese, më luksoze, kritikat më të plota e më të thelluara dhe çmimet më të rëndësishme letrare janë marrë jashtë Shqipërisë, ndërkohë që duhej të kishte ndodhur e kundërta. Lexuesi i sotëm, por edhe ai i djeshmi do ta kishte gati të pamundur të njihej më librin “Kaltërsirat” të vitit 1971, “Fatet” (1979) apo “Dafina në shi” (1991) botuar në Prishtinë. Do ta kishte të vështirë të lexonte librin “Më jepni një emër” të vitit 1972 që pasi u botua, u hoq nga qarkullimi dhe u bë karton, apo librin tjetër “Një zemër falet për mua” të vitit 2008 botuar në Shkup. Por, sikurse ka vënë në dukje edhe kritika për botimet e këtij autori në Shqipëri, “vëllimet e tij poetike kanë qenë të një cilësie tipografike nën nivelin e mesatares së botimeve të këtij lloji”, me tirazhe të vogla dhe të shpërndara në një numër të vogël lexuesish. Përveç poezive, ndër të cilat ka edhe nga ato që shumëkush mund t’i dijë përmendësh, përmes vëllimit të katërt të kësaj përzgjedhjeje vijnë edhe krijimet më të reja të Fatos Arapit. Krijimtari e pabotuar më parë me titull “Një buzëqeshje e pabesueshme” nga ka marrë emrin edhe gjithë vëllimi. Materiali më i fundit letrar, megjithëse përfundoi së shkruari në vitin 2009, përfshiu poezi të vitit 2010, madje edhe një poemë të shtatorit 2011.
Heshtja
Me një natyrë të tërhequr, i papërzier nga zullumet e ditës dhe krekosjet në modë, Fatos Arapi ka lejuar që shumë ngjarje të rëndësishme që lidhen me krijimtarinë e tij të kalojnë gati në heshtje të plotë. I tillë është çmimi i madh “Lofata” në Ditët e Poezisë Ballkanike III në vitin 1998, në Turqi, apo “Kurora e artë” në Mbrëmjet Strugane të Poezisë, në vitin 2008, i fituar më parë nga emra të mëdhenj të letërsisë botërore si Pablo Neruda (1971), Eugenio Montale (1975), Janis Ritsos (1985), Joseph Brodsky (1987), Adonis (1997) Thomas Transtroemer(2011), e shumë të tjerë. Disa vite më parë, shkrimtari Agron Tufa do të shkruante se “rrallëkush nga komuniteti asketik i poetëve e di, se poeti Fatos Arapi ishte para dy vitesh fitues i Kurorës, se ekziston një libër i vëllimshëm e luksoz me poezitë e tij në maqedonisht, siç botohen rëndom poezitë e poetëve fitues. Në pikun e retorikës politike për integrimet tona, në kulmin e bumit të teknologjisë informative, askush s’e mori vesh sensacionin kulturor, që i bën nder letërsisë shqipe. Në vend të tyre – tejpërtej ekraneve e faqeve të gazetave, me një tmerr psikotropik, na shfaqen patësosur fytyrat e pacensuruara të politikanëve tanë. Dhe media shndërrohet çdo ditë tek ne, pak e fije, në festë kainësh. Kush ia ka ngenë kulturës… !”.

Fatos Arapi: Në poezi je ai që je në të vërtetë
Sa herë botoja diçka, unë nuk e lexoja. Thellë vetes më mundonte dhembja: mund ta kisha bërë më të mirë. Dhe më e rëndësishmja: një poezi e botuar je ti, është shpirti tënd. Jo ai që ti mendon për veten, por ai që ti je në të vërtetë. Në jetë mund të sillesh ndryshe nga ç’je, mund ta zbukurosh veten, mund ta fshehësh. Nuk është diçka e jashtëzakonshme hipokrizia e përditshme njerëzore. Ajo shpesh na bëhet natyrë e dytë. Në art jo, në poezi jo. Në shpirtin tonë, fatlumturisht, ka një këndth, një kthinë, ku nuk hyn dot shtirja, hipokrizia.
Atje është arti, ai i vërteti, dua të them.
Jeta ime ka kaluar nëpër kohë tmerrësisht të rënda, që shtrihen gati prej fillimit të shekullit të 20-të. Ndër mokrat e fatit shqiptar, ajo ka qenë tepër e vështirë dhe tragjike.
Sa mund t’i qëndrojë besnik vetvetes? Çfarë Fatosi krijova brenda vetes sime?
E keni në veprat e mia.
Ju them sinqerisht se, cilido që do të jetë njeriu që ju do të takoni aty, unë përsëri do të ndiej dhimbje. Nuk do të jem i kënaqur prej tij. Përherë ka diçka të paarritshme drejt së cilës duhet të shkojmë.
(“Dy fjalë” nga poeti në hyrje të vëllimit të parë “Më jepni një emër”)

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura