Fatkeqësitë natyrore në “normalitetin e ri klimatik”

May 15, 2015 | 11:50
SHPËRNDAJE

ELLEN GOLDSTEIN

   Një vit më parë, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia përjetuan reshjet më të dendura që shënuan rekord në 120 vitet e fundit, të cilat sollën si rrjedhim përmbytje masive në të dyja vendet. Gjatë vizitës sime menjëherë pas përmbytjeve, isha dëshmitare e pasojave shkatërrimtare të shtëpive, rrugëve dhe linjave elektrike, të të korrave e gjësë së gjallë, të gjitha nën pushtetin e ujërave.
Vetëm në pak ditë, përmbytjet shkaktuan dëmtime dhe humbje të përllogaritura në 15 për qind të të ardhurave kombëtare në Bosnjë-Hercegovinë dhe thuajse 5 për qind në Serbi. Përmbytjet zhdukën përkohësisht të gjitha pritshmëritë për rritje ekonomike në të dyja vendet dhe zhytën me mijëra njerëz në varfëri. Dëme të konsiderueshme shkaktuan këtë pranverë përmbytjet edhe në Shqipërinë Jugore, sidomos në bujqësi, blegtori dhe infrastrukturë.
Vende të tjera të Ballkanit Perëndimor janë gjendur në rreziqe të ngjashme, dhe jo vetëm nga përmbytjet. Sasia e pakët e ujit në verë ka sjellë po aq pasoja në vendet e tjera të rajonit: si p.sh. thatësira e vitit 2012 në Shqipëri ndikoi në furnizimin e vendit me energji elektrike dhe rëndoi tej mase deficitin financiar, në mënyrë që të mbuloheshin importet emergjente të energjisë. Thatësirat dhe valët e të nxehtit sollën humbje të mëdha të prodhimit bujqësor në ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë në vitet 2007–2008 dhe 2011–2012.
Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë të përgatitura mirë për fatkeqësi të tilla natyrore dhe shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimaterike do t’i rëndojnë e përkeqësojnë edhe më tej gjërat. Këto vende kanë nevojë të mendojnë që tani se si të krijojnë shoqëri me robuste për të ecur përpara.
Në kushtet e një ngrohjeje globale, tashmë prej afro 1.50C më shumë se në kohët paraindustriale të lëna pas, si dhe me rreth 40% mundësi për të rritur atë edhe me 40C të tjera përpara vitit 2100, nëse nuk ndërmerret asnjë veprim tjetër, raporti i fundit i Bankës Botërore: “Ulni ngrohjen! Përballimi i normalitetit të ri klimatik nxjerr përfundimin se ekstremet e motit që shfaqen një herë në 100 vjet,  mund të kthehen së shpejti në ‘normalitetin e ri’”.
Raporti thellohet në perspektivat klimatike për Ballkanin Perëndimor. Ekstremet në sasinë e ujërave, përfshirë thatësirat e tejzgjatura në muajt e verës dhe përmbytjet në dimër apo pranverë, pritet të intensifikohen në rajon, duke ndikuar bujqësinë, energjinë, si dhe shëndetin dhe sigurinë e popullsisë.
Në një botë 40C më të ngrohtë, Ballkani Perëndimor do të kthehej në një “zonë të ndjeshme” (hot spot) me valë të shpeshta të nxehti – që përfshijnë rreth 80 për qind të muajve të verës – dhe 20 për qind rritje të ditëve të thatësirës. Duke i shtuar kësaj edhe shqetësimet për sasitë e ujit dhe shëndetin e popullsisë, me një rritje prej 20 për qind të vdekshmërisë nga i nxehti.
Në të njëjtën kohë, rreziqet nga përmbytjet e dimrit dhe pranverës, përfshirë edhe ato që ndodhin një herë në 100 vjet, do të rriteshin përgjatë lumenjve Danub, Sava dhe Tisza për shkak të shkrirjes së sasive më të mëdha të reshjeve të dëborës gjatë muajve të dimrit.
Një botim i fundit i Bankës Botërore, Profili i riskut të përmbytjeve dhe tërmeteve në Europë dhe Azinë Qendrore, tregon se dëmet potenciale ekonomike dhe humbjet nga përmbytjet e llojit një herë në 100 vjet, në Ballkanin Perëndimor, kanë gjasa të shkojnë nga 3 për qind në 20 për qind të të ardhurave kombëtare në vende të ndryshme. Studimi gjithashtu tregon se rreziku i ngjarjeve sizmike dhe humbjet ekonomike që mund të rezultojnë prej tyre në këto vende, është përherë i pranishëm, dhe sidomos në rritje. Me shumë se gjysma e të ardhurave kombëtare të Shqipërisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë do të ishin subjekt i dëmeve dhe humbjeve nga tërmete të fuqishme – sikurse mund të dëshmojnë ata me memorie të fortë në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
Në përgjigje të këtyre kërcënimeve natyrore, vendet e Ballkanit Perëndimor lipset të kalojnë nga një qasje pasive ndaj emergjencave në një qasje proaktive të menaxhimit të riskut, përpara se të ndodhë një fatkeqësi. Lançimi i fundit i Programit Kombëtar të Serbisë për Menaxhimin e Riskut është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
I mbështetur me një fond fillestar nga Bashkimi Europian, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin, Sekretariati Shtetëror Zviceran  për Çështjet Ekonomike, Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim e Zhvillim, Programi Austriak për Partneritetin Urban, si dhe Banka Botërore, ky Program krijon një platformë në Serbi për reduktimin dhe menaxhimin e rreziqeve nga forma të ndryshme të fatkeqësive. Nga përmbytjet te thatësirat e deri te tërmetet, Programi siguron një hapësirë të hapur dhe neutrale për koordinimin e menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore përmes agjencive qeveritare, sektorëve dhe partnerëve. Vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si Bosnjë-Hercegovina, po ndërmarrin hapa fillestarë drejt krijimit të një përshtatshmërie kombëtare më të madhe. Duke qenë se ka lidhje të ngushta ekonomike dhe rreziqe të përbashkëta midis vendeve, sikurse edhe një njohuri të përbashkët politikash apo nevojë për kapacitete, qasjet e koordinuara rajonale do ta përmirësonin efektivitetin e menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa bota po përpiqet të ndihmojë vendet që janë përfshirë në aktivitete të lehtësimit të pasojave pas fatkeqësive natyrore dhe rikuperimit të humbjeve në vende të largëta, si Nepal dhe Haiti, komuniteti ndërkombëtar po diskuton zhvillimin e ideve me vlerë. Ndërkohë, disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë krijuar tashmë një njësi sigurimi rajonal të rrezikut nga katastrofat, të njohur si Europa e Re. Nën pronësinë e qeverive të Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Serbisë, Europa e Re ofron sigurim për pronësitë rezidenciale, ndërmarrjet e vogla dhe bujqësinë në raste katastrofash të shkaktuara nga përmbytjet dhe tërmetet.
Është për të ardhur keq që sigurimi i rrezikut nga katastrofat nuk është ende shumë i kërkuar nga familjarë, pronarët e bizneseve dhe fermat në Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh se fatkeqësia e madhe natyrore e mundshme do të sillte dëme shkatërrimtare dhe të pakompensueshme, si dhe humbje jetësh njerëzore. Qeveritë e Ballkanit Perëndimor duhet të përpiqen për ta bërë të detyrueshëm sigurimin nga rreziku i katastrofave – për shembull duke e lidhur me regjistrimin dhe transferimin e pronësive. Vendet si Turqia e kanë bërë këtë, duke ndihmuar miliona banesa dhe biznese të vogla të mbrohen nga dëmi dhe humbja kur goditen nga fatkeqësia e radhës.
Është e rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë syçelët ndaj ndryshimit klimatik dhe të përshtaten ndaj një bote me katastrofa edhe më të shpeshta e më të fuqishme. Ne në Bankën Botërore jemi gati të mbështesim përpjekjet e këtyre vendeve për të ndërtuar shoqëri më të përshtatura.
*Drejtore për Europën Juglindore në Bankën Botërore

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura