“Fatjoni nuk bie lehtë në dashuri, si e shoh në çift me Jonidën ose me Tean”

Mar 30, 2015 | 11:10
SHPËRNDAJE

Flet motra, Anisa Hysenbelliu: Aventura nuk është pjesë e karakterit të tij

Në foto: Fatjon Hysenbelliu dhe e motra Anisa
Për 26-vjeçarin e palestruar nga Skrapari, Fatjon Hysenbelliu, jeta duhet shijuar në çdo dimension të saj. I diplomuar si jurist dhe i angazhuar në biznesin e ndërtimeve, Fatjoni ka një parim kryesor në jetë, të përfundojë gjithçka që merr përsipër. Anisa Hysenbelliu është motra shumë pranë tij në jetë, ndaj na zbulon anët e panjohura të djalit hokatar të “BB 8” dhe si e parashikon ajo afrimitetin me dy femra njëkohësisht në lojë, Jonidën dhe Tean.  
Si po të duket Fatjoni në “Big Brother 8”, mendon se ka arritur të fitojë pushtetin që kërkon kjo lojë?
Jemi në javën e tretë dhe për lojën mund të them se karakteret e personazheve sapo kanë nisur të shfaqen. Fatjonin gjithmonë e kam karakterizuar si njeri me pushtet, çka e demonstron edhe me prezencën e tij, kështu që nuk do e vija ndonjëherë në dyshim që do të ketë pushtet edhe në lojë.
Pushteti pa para nuk vlen. Ka karizmën dhe strategjinë e duhur për të fituar ai paratë e çmimit të madh?
Fatjoni deri më sot çdo qëllim që i ka vënë vetes, e ka realizuar. Dhe, nëse çmimi i madh është njëri prej qëllimeve të tij, jam më se e sigurt se do t’i fitojë ato para. Deri më sot ka ngritur një biznes plotësisht vetë dhe kjo tregon se është shumë i aftë t’ia dalë për gjëra që merr përsipër.
Një shenjë e dominimit mashkullor është edhe marrëdhënia me femrat. Fatjonin e shohim në lojë mes dy vajzave, Teas dhe Jonidës. Cila prej tyre mendon se e tërheq?
Si motra e tij, e njoh për djalë që kërkon shumë nga vetja dhe normalisht do të donte më të mirën nga një femër. Fatjoni nuk bie lehtë në dashuri.
Ti me cilën nga vajzat e shtëpisë do të doje ta shihje të lidhur?
Duke ditur formatin e “Big Brother” nuk mendoj se është e denjë të krijosh një lidhje aty brenda, gjë të cilën ai e ka pohuar edhe vetë në një bisedë që ka bërë me Zaidën.
Është ai tip aventurieri? I vardisen femrat?
Fatjoni është rritur në një familje, ku i kanë dhënë një edukatë të denjë për gjininë femërore. Është djalë që i respekton shumë femrat, dhe po ashtu xhentil. Në momentin që zgjedh dikë për të pasur një histori, ai i përkushtohet totalisht. Aventura nuk është pjesë e karakterit të tij.
Ka pasur ndonjë histori të rëndësishme dashurie deri tani?
Deri tani ka pasur vetëm histori kalimtare.
Duket natyrë e gjallë, cilat janë hobet e tij, përveç palestrës?
E ka shprehur edhe në klipin e tij, që ka pasur ëndërr futbollin, gjë prej së cilës u shkëput për shkak të vazhdimit të studimeve të larta në Fakultetin Juridik. Mirëpo, mund të them që është tip shumë sportiv, i pëlqen të dalë dhe të krijojë shoqëri të reja.
Jeni vërtet familje e pasur në sajë të biznesit, siç është folur?
Po. Ne jemi shumë të pasur dhe pasuria jonë më e madhe është familja, gjë të cilën e çmojmë shumë. Si unë, ashtu edhe Fatjoni jemi shumë të lidhur me familjen, madje fundjavën ua kushtojmë totalisht prindërve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura