“Fati i Rreshpjes si i Eseninit, i fali gjithçka revolucionit, por jo lirën”

Nov 14, 2018 | 9:13
SHPËRNDAJE

behargjoka

“Gjithkush e ka një mall/që vizatohet si vinjetë/ mbi gjumin e botës”.. Kështu shkruante dikur Frederik Rreshpja ndër vargjet e poezisë “Natë”, një mall, që mblodhi së bashku studiues të letërsisë, për ta kujtuar atë edhe një herë si një ndër lirikët më të mirë shqiptarë.

Qendra Shqiptare e Studimeve Letrare “Pjetër Budi” organizoi konferencën shkencore: “Frederik Rreshpja: liriku i letërsisë bashkëkohore shqipe”. Studiues si Behar Gjoka, Moikom Zeqo, Viola Isufaj, Anton N. Berisha, Petrit Palushi, Shpëtim Kelmendi, Ermir Nika, Gazmend Krasniqi etj., do të sillnin aspekte të ndryshme të lirikës së Rreshpjes: tematika, kombinimet sintaksore, mitet, vetmia, trishtimi, vdekja…

behar

Si do të thoshte Shpëtim Kelmendi, Rreshpja shkruante si të ishte poezia e fundit dhe si e tillë, ai nuk shqetësohej t’u pëlqente të tjerëve apo të ishte i pari. Dhe fatmirësisht, këtë poezi të fundit ai e shkroi shumë herë…

BEHAR GJOKA

Marrëdhënia e letërsisë me kohën bart ndërlikesa që vijnë në sugjerimin e C. Clark: Koha e veprave nuk është koha e kufizuar e të shkruarit, por koha e pafundme e të lexuarit: hapësira letrare është kujtesa e njerëzve. (2002: 63), në librin “Qytetërimi”. Ligjërata rrëmih në shenjat estetike:

rreshpja1

Intensat shkrimore të shumëfishta Shkrimi na njeh me njeriun dhe krijuesin, udhëtar në burgje dhe përgojime, me mbijetesën dhe gjurmët letrare:

1 – Poezia, me “Rapsodi shqiptare” 1967, “Në këtë qytet” 1973, “Erdhi ora të vdes përsëri” 1994, “Lirika” 1996 dhe “Në vetmi” 2004.

2 – Proza: “Tri përralla për fëmijë” 1968, “Trimi i fshatit Bardhë”, “Eranda” 1969, romanin “Zëri i largët i kasolles” 1972.

3 – Dramë: boton “Ëndrra e tokës” më 1972 dhe “Trofta hutaqe” 1973.

Dykohësia e shkrimit poetik

– Fillesat, “Rapsodi shqiptare”, “Në këtë qytet”, në krye janë shkruar në gegërisht e me vonë janë kthyer në gjuhën e njësuar.

– Shqiptimi i përmasave të poetit, “Erdhi ora të vdes përsëri”, “Lirika” dhe “Në vetmi”, të cilat shqiptojnë “ujdhesën” lirike të F. Rreshpes.

Liriku i letërsisë bashkëkohore

Prania dhe mungesa lidhet me hierarkinë e realizmit socialist. Një poet bohem, një poet i lirikës së pastër, nuk di se çfarë mund t’i ofronte hierarkisë së realizmit socialist.

Pentagrami i Rreshpjes:

A – Në marrëdhënie me lirikën gjithëkohore, Serembe, “Bukuria” e N. Frashërit, “Vajet” e A. Z. Çajupit, lirika e Lasgush Poradecit. Në poezinë e Rreshpjes ndesh emrat e këtyre lirikëve, çka ndërkaq realizon idenë e T. Elioti: Asnjë poet, asnjë artist i cilitdo art, vetëm nuk e ka kuptimin e plotë. Rëndësia e tij, të çmuarit e tij është të çmuarit e marrëdhënies së tij me poetët dhe artistët e vdekur. (1982: 15), te libri “Ese të zgjedhura”.

B – Në marrëdhënie me kohën e tij, ku lirika trajtohej si “djallushe”, si dhe me lëvruesit e poezisë, përqasja është e pashmangshme. Ndikim patën poetët e brezit të viteve ’60, D. Agolli, F. Arapi dhe I. Kadare, të cilët qysh në krye u theksua se realizuan përmbysjen. Në distancë kohore, kupton se prezantimi si përmbysje gati ka këputur lidhjen me poezinë e mëparshme, letërsinë e trojeve, si dhe ka lënë në hije poetët e lirizmit. F. Rreshpja, me lirikën e kozmogonisë së shpirtit, hyri në komunikim me lexuesin, me vështirësi në periudhën e parë, kurse pas viteve ’90, rizbulohet në të gjitha përmasat. Për të kuptuar njeriun dhe poetin, përdorimin dhe shpërdorimin e figurës, fati i Rreshpjes ngjan me fatin e Eseninit, që i fali gjithçka revolucionit, por jo lirën e tij. Pjesë e poezisë bashkëkohore është Martin Camaj, që siç nënvizon Nehas Sopaj, teksa flet për Buellin: …ndesha një abstraksion të lartë gjuhësor, një hermetizëm të skajshëm figurativ në nivel të mitit konkret… (1999: 123, revista Stil.

Rreshpja, lëvrues i lirikës së pastër

Qysh në fillesë shpërfaqen dy momente:

A – Çfarë kuptohet me purolirikë?

B – Shenjëzimet e lirikës së pastër. Lirika buron nga poezia, ku shpirtërorja dhe melodikja, si abstraksion gjuhësor, gati e braktis brendinë. Rileximi i E. A. Po, Sh. Bodler etj., të bind për ekzistencën e lirikës së pastër. Realiteti i lirikës melodike materializon tiparet e purolirikës, ndonëse Henri Bremond, në librin “La poesie pure”, (Bernard Grasset, Paris, 1926: 16) shkruan:

…çdo poezi shpreh aspektin e vet të pastër poetik, praninë, rrëzëllimin, aksionin transformues formues dhe unifikues të një realiteti misterioz që ne e quajmë poezi e pastër.

Gjurmët e lirikës hasen në gjithë librat e poetit, ndonëse në librat e parë është më e fashitur, sepse kundrohej shtrembër, aq sa Poradeci heshti në klimën e zhurmës ideologjike. Në periudhën e dytë, librat “Erdhi ora të vdes përsëri”, “Lirika” dhe “Në vetmi”, dëshmojnë purolirikën. Duhen evidentuar përmasat e lirikës melodike të shpirtit vetmitar, që komunikon me botën dhe rruzullin. Ky fakt letrar tregon se jemi në një sistem poetik vetanak i cili ka rrokur melodinë e shpirtit. Pa mëtuar zgjidhjen përfundimtare, e cila kërkon kohë dhe kontribute të gjera, po paraqes leximin e poezisë

Këngë lahute:
Më zuri gjumi i balladave
dalin etërit pleq në prag të
rapsodive
dhe natë e ditë një zog më rri
te kryet.
O ti zogu i zi i amanetit,
për ku vrapon të bësh shi, o
zog?
Dy-tre shira ranë e u bë
dimër,
Dy-tre net u deshëm dhe u
harruam.
Do të ngrihem e do të marrë
dynjanë.
por gjumi i balladave nuk
më lë.
Dy-tre shira ranë e u bë
dimër,
dy-tre net u deshëm dhe u
grindëm.

– Pamundësia e leximit tematik, ku feksen erotika, peizazhi, meditimi për lahutën, ndonëse sërish skicon një çast vetmie.

– Leximi i strukturës së vargjeve 11-rrokësh, ku strofa e parë është tercinë, strofa e dytë kuatern, madje deri te situatës kur struktura shkërmoqet në një varg.

– Leximi i detajeve, lahuta dhe balada, që ndërlidh poezinë e Lahutës së Fishtës, lahutën e Camajt, mbetun vjerrë, me shpirtin e poetit, kthyem në tel lahute.

– Leximi i gjendjes letrare, Italo Kalvino, të një situate të erotizmit të zjarrtë, që vjen me stilemën: Dy-tre net u deshëm dhe u grindëm.

– Leximi si figurshmëri, ku veçohet simbolika: Dhe natë e ditë një zog më rri te kryet, e prania e shiut dhe dimrit, sendërton mendimin e fshehtë të metaforës grishëse: O ti zogu i zi i amanetit, që të fanit korbin.

– Leximi tërësor, që shqipton metaforën e poetit, të unit të zhytur në jermi, të një realiteti absurd, që endet në kokën e poetit, në vetmi terri, që dëshmon dhe materializon shenjëzimet e lirikës së pastër. Hemisferat e pafundme të leximit të poezisë të bindin se tekstet e Rreshpjes janë me ngjyresa purolirike.

Vargu është ama e gjurmës së poetit, tashmë i kthyer në melodi, ku shprehja është fryma e zërit, e prania e zërit vetmitar, është shenja unike e figurimit poetik. Rreshpja ka hy e ka me mbet në letërsi prej poezisë, ndërsa në poezi do të mbetet prej magjisë që përçon lirika, sidomos lirika intime, e cila përfaqëson gjerdanin e lirikës së pastër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura