Fasha e vaksinimit ka zbritur në 57 vjeç. Ja dozat që mbërritën një ditë më parë dhe ku do të përdoren

Jun 15, 2021 | 8:27
SHPËRNDAJE

Gati 82 për qind e personave nga mosha 60 deri në 70 vjeç kanë marrë vaksinën anti-Covid. Prej së hënës fasha e vaksinimit ka zbritur në 57 vjeç, çka do të thotë se të gjithë ata që janë mbi 57 vjeç kanë mundësinë po ashtu që të vaksinohen. Për këtë mjaftojnë të aplikojnë në portalin “eAlbania” si edhe të kontaktojnë me mjekun e familjes për datën dhe orën e injektimit të dozës së parë.

vaksinimi i mesuesve (18)

“Fasha e vaksinimit ka zbritur në 57 vjeç, përpos vaksinimit të kombinuar me kategoritë e riskut. Mbërritja e sasive të tjera të vaksinave do të sjellë edhe uljen e mëtejshme të fashës së vaksinimit”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend, ministrja tha se procesi i vaksinimit do të intensifikohet gjatë verës. Deri më tani janë 836 mijë vaksinime të kryera, por vetëm 332 mijë prej tyre kanë injektuar të dyja dozat. “Nga grupet e vaksinuara, punonjësit e shëndetësisë dhe punonjësit e qendrave rezidenciale të përkujdesit shoqëror kanë një përqindje tepër të lartë vaksinimi, pra shkojnë deri në 89% të vaksinuar. Ndërsa nga të dhënat për grupmoshat, rezulton se grupmosha 60-70 vjeçare është vaksinuar në masën 82%”, shtoi Manastirliu.

Dje mberriten 11 700 doza të siguruara nga marrëveshja me kompaninë, si edhe një pjesë nga Bashkimi Europian. Ndërkohë që veç kësaj sasie, kanë mbërritur edhe 20 mijë doza “AstraZeneca”, donacion nga Greqia.

Duke folur për situatën epidemiologjike, Manastirliu tha se Shqipëria konsiderohet zonë me risk të ulët.

“Lajmi i mirë është se Shqipëria hyn në javën e 9-të, ku vijon rënia e qëndrueshme e rasteve të reja me Covid-19 dhe sot kemi më pak se 170 raste aktive në të gjithë vendin. Edhe në dy javët e fundit kemi një rënie të ndjeshme të indikatorëve matës, siç është incidenca dyjavore, që është 5 raste/100,000 banorë ndërsa shtrimet në spitale zënë vetëm 5% të kapaciteteve tona”. Të hënën janë raportuar vetëm 2 raste të reja, ndërsa aktualisht në të gjithë vendin janë vetëm 143 të infektuar aktivë. “Janë kryer 2,618 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 2 qytetarë: 1 rast në Tiranë dhe 1 në Berat. Aktualisht janë 143 raste aktive me Sars Cov 2 pozitivë në të gjithë vendin. Po marrin trajtim spitalor 20 pacientë, nga të cilët 6 pacientë janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv”, kanë bërë me dije autoritetet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura