Fan Noli e Faik Konica, dashuri-urrejtja përmes veprave dhe dedikimeve

Mar 31, 2015 | 23:18
SHPËRNDAJE

Në rrugën e tyre ka pasur më shumë pikëtakime se ndarje. Ajo që njihet prej të gjithëve si një mëri e thekur, si një dyluftim në distancë, në të vërtetë ishte një admirim i dyanshëm i dy njerëzve që kishin seç ndanin me njëri-tjetrin.

Edhe vetë Konica marrëdhënien me Nolin e krahasonte si ajo e dy heronjve homerikë, që ndonëse do të ndesheshin në fushë- betejë, në fund do të gjenin njëri-tjetrin miqësisht. “Noli/Konica – Albumi i një bashkëkohësie”, kështu titullohet ekspozita e hapur dje në Bibliotekën Kombëtare. Një aktivitet i veçantë që vjen si homazh për dy kolosë të mendimit dhe letrave shqipe në 50-vjetorin e vdekjes së Nolit dhe 140-vjetorin e vdekjes së Konicës.

“Ekspozita është menduar në formën e një albumi sekuencial, duke ndërtuar përmes teksteve dhe imazheve dialogun specifik që kanë pasur këto dy figura me njëri-tjetrin. I është mëshuar shumë kujtimit që ka lënë pas mëria e tyre, kontradiktat që më shumë janë të natyrës politike. Por dalëngadalë, gjatë realizimit të kësaj ekspozite, zbuluam më shumë pikëtakime mes tyre, çka na forcoi edhe më tepër bindjen se ishim në rrugën e duhur për të ndërtuar këtë album, të cilin e quajmë “Album të një bashkëkohësie”.

Një bashkëkohësi që nuk është vetëm mes tyre, por edhe një rezonancë e çuditshme me të sotshmen. Vihet re menjëherë, se sa fuqishëm flet vepra, këndvështrimi, provokimi i tyre i vazhdueshëm kulturor, konceptual, në raport me realitetin e sotshëm”, thotë drejtorja e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.

“Faik Be Konitzës, Leronjësit të gjuhës atërore dhe kalorësit të kryqësatës kombëtare si shenjë nderimi, i dedikon këtë veprë një shok armësh”. Kështu shkruan Noli në faqen e parë të “Skënderbeut” të Longfellout, përkthyer prej tij, çka tregon qartë raportin e admirimit që kishin ndaj njëri-tjetrit. 

EKSPOZITA

Ekspozita e hapur në sallën amerikane të leximit, përbën e gjitha një kuriozitet. I pari është posteri që grish kureshtjen. Janë një tufë pseudonimesh, që krijojnë një rebus tërheqës. Njëri të çon tek tjetri. Pyrros, Adil, Bajram, Pesimisti, Alibaba, Nirvana… “Është epoka e pseudonimeve, një traditë që vazhdon gjatë në letërsinë dhe publicistikën shqipe, por është një frymë e përgjithshme edhe në letrat europiane”, thotë Persida Asllani, teksa shpreh bindjen se kuriozët do të shpenzojnë pak kohë për të gjetur pseudonimet e njërit apo tjetrit. Më tej, në numër i madh veprash të ekspozuara, përzgjedhur nga një shumësi që mbajnë autorësinë e Konicës dhe Nolit, në shkrime origjinale, përkthime, letërkëmbime, dorëshkrime, letërsi, publicistikë, kritikë, partitura, por edhe dedikime kushtuar njëri-tjetrit nëpër libra.

Nuk mungojnë edhe fotografitë apo edhe një kolazh me tri edicione filatelike të Nolit, Konicës dhe Skënderbeut, duke filluar nga më e hershmja, që është kjo e fundit, në kohën e Mbretërisë. Më të pakta në numër, por me shumë vlerë edhe objektet personale, siç është flauti i Nolit apo një laps i hollë i tij. Përfshirë në këtë ekspozitë edhe grafika e fotografi, që tërthorazi lidhen me të dy figurat, që tregojnë gjithsesi shijet e tyre të përbashkëta. Si një grafikë e Apolinerit realizuar nga Pikaso dhe një portret të Pikasos që e ka bërë Gjon Mili, i cili nga ana e vet në kujtimet e tij i referohet disa herë Konicës.

Detaje nga vepra dhe jeta e këtyre dy figurave të mëdha, që nuk i kemi ditur më parë. Drejtorja Asllani gjen rastin të ndajë kënaqësinë e realizimit të kësaj ekspozite me bashkëpunëtorët e saj brenda BK, por edhe me këshilltarin për këtë aktivitet, studiuesin Nasho Jorgaqi, që ka ofruar ide, por edhe ka hapur arkivin e tij personal për pasurimin e ekspozitës, vajzat e studiuesit Jup Kastrati, që dhuruan monografinë e të atit për Konicën, botuar në Amerikë, Arkivin Qendror të Shtetit për kopjet e dorëshkrimeve të Nolit, skulptorin Thoma Thomai për portretin-medaljon të Nolit…

PËRKTHIMET

Një vitrinë më vete është kontributi që të dy kanë dhënë në përkthimin shqip. Shekspir, Servantes, Khajam, Hajne, Shiler… “Këtu Noli është një kolos i madh. Përkthimet e tij janë një nga pasuritë e mëdha të kulturës shqiptare. Nuk janë thjesht vepra të Shekspirit apo Servantesit, por copa monumentesh, që janë bërë pjesë e kulturës dhe formimit tonë. Kemi ndjekur gjithashtu dhe sprovat e përkthimit të Konicës. Përveç “Përrallave të Hindit”, ka edhe disa sprova që e theksojnë edhe më tej karakterin e tij kurioz. Ai shpesh sprovonte një përkthim për të parë se si tingëllonte një autor në shqip.

Në faqet e “Albania”-s gjejmë përkthime nga autorë të ndryshëm. Në këtë ekspozitë kemi nxjerrë dy sprova të njohura, një nga Hajne, një nga Shileri”, thotë Asllani. Te Noli tërheq vëmendjen një kontribut specifik, që është lënë disi mënjanë: përkthimi liturgjik, që përfshin mijëra faqe.

VEPRA LETRARE DHE KRITIKE

Një nga vitrinat i kushtohet pa dyshim letërsisë. Noli vjen me botime të ndryshme të poezisë së tij, ndërsa Konica përmes prozës si “Doktor Gjilpëra”, “Një ambasadë e zulluve në Paris”. Siç vëren Asllani, “Doktor Gjilpëra” është shkruar së pari në formën e një fejtoni, duke u shoqëruar në faqet e “Diellit” me informacione për tragjedinë e vërtetë të Mamurrasit, gjyqin, që qeveria e Nolit u bëri të dyshuarve… “Pra është një roman që dialogon në formë politike të atypëratyshme me kohën e vet, ndërsa sot e lexojmë në formën e një alegorie, tipike për penën e Konicës”, thotë Asllani.

Në këtë vitrinë përfshihen edhe dy autobiografitë. Ajo e Nolit më e gjatë, më e shtrirë, ndërsa e Konicës sipas natyrës së tij, më e shkurtër, më e shpejtë. “Interesante është që të dy shkruajnë për veten në vetën e tretë. Një ditë do të ketë pa dyshim studime për këtë aspekt”, vëren studiuesja. Por këto dy figura janë shumë të rëndësishme në kontributin specifik në historinë e mendimit kritik shqiptar. Njëri, sipas Persida Asllanit, është themeluesi i mendimit teorik për kritikën me “Kohëtoren e letrave shqipe”, duke e drejtuar letërsinë dhe kritikën shqipe drejt modernes. “Ndërsa nga ana tjetër, Noli është autori i shumë introdukteve dhe themeluesi i një shkolle të veçantë të kritikës letrare, krejt specifik, provokator, erudit dhe që përmes tyre ka farkëtuar ca linja leximi shumë të dallueshme, që u janë imponuar brezave të tërë.

Nga Konica kemi shkëputur studimin për Naim Frashërin, duke u bërë i pari që tërheq vëmendjen në bektashizmin si kulturë, dhe po ashtu i pari që qartëson marrëdhënien e domosdoshme që duhet të ketë një studiues i Naim Frashërit me kontekstin e bektashizmit që përcjell vepra e tij”.

NGA ALMA MILE 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura