Familjet varfërohen, BSH: Më shumë borxhe

May 1, 2015 | 16:17
SHPËRNDAJE

Situata e familjeve shqiptare duket se është rënduar dukshëm në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2014. Të paktën këtë situatë tregojnë shifrat e nxjerra nga anketa e zhvilluar nga Instituti i Statistikave dhe Banka e Shqipërisë në intervistimin e një kampioni prej 1210 familjesh.

Guvernatori i BSH, Gent Sejko

HUAMARRJA

“Numri total i familjeve që deklarojnë se kanë një ose më shumë hua për të paguar në momentin e intervistimit, pavarësisht llojit, burimit apo vlerës, ka rezultuar në 318 familje ose rreth 30% e atyre që i janë përgjigjur pyetjes (rreth 26% e kampionit total)”, thuhet në raportin e Stabilitetit Financiar të Bankës së Shqipërisë. Huamarrja e familjeve është marrë si nga institucionet bankare, ashtu edhe në rrugë informale, por ajo që duket problematike është fakti që kjo hua është në pjesën më të madhe për konsum dhe kjo ka ardhur në rritje si tendencë. “Dy qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten ‘konsumi’ në 34% të rasteve dhe ‘blerje/riparim prone’ në 29% të rasteve. Pesha e huamarrjes me qëllim ‘blerje/riparim prone’ ka rënë si në terma 6-mujorë dhe në terma vjetorë, ndërkohë që huamarrja me qëllim “konsumin” ka rezultuar në rritje në terma 6-mujorë”, vlerëson Banka e Shqipërisë.

SITUATA FINANCIARE

Në intervistat e zhvilluara me familjet rezulton një rënie me 1.8 për qind të numrit total të anëtarëve që sigurojnë të ardhura në familje. Situata e përgjithshme e familjeve tregon një përkeqësim në kahun e të ardhurave dhe po kështu edhe në atë të shpenzimeve.

“Numri total i të punësuarve (sektori shtetëror, sektori privat dhe të vetëpunësuar) gjithashtu ka rezultuar në rënie që ka ardhur nga të tre sektorët, por më e theksuar në sektorin privat. Në nivel agregat, niveli i të ardhurave në fund të vitit 2014 është në rënie krahasuar me gjysmën e parë të vitit, ndërkohë që niveli i shpenzimeve vlerësohet në rritje”, thuhet në raportin e BSH.

Familjet raportojnë edhe një përkeqësim të aftësisë së tyre paguese dhe për gjashtëmujorin e ardhshëm 82 për qind nuk presin ndryshim.

“Familjet që kanë deklaruar ‘rënie të aftësisë paguese’, në 58% të rasteve cilësojnë si arsye kryesore ‘rënien e të ardhurave familjare’ dhe në 40% të rasteve ‘rritjen e shpenzimeve të jetesës’”, thuhet në raport.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura