Familja është ëndrra e Zotit

Oct 7, 2015 | 12:58
SHPËRNDAJE

Dom Gjergj MetaGJERGJ META

   “Për Hyjin martesa nuk është një utopi adoleshenciale, por një ëndërr pa të cilën krijesa e tij është e destinuar të rrijë e vetmuar. Në fakt, frika për t’u bërë pjesë e këtij projekti paralizon zemrën e njeriut”. Janë fjalët e Françeskut që ka mbajtur të dielën e kaluar në Vatikan, ku këto ditë është mbledhur e do të zgjasë tri javë rresht Sinodi i Ipeshkvijve, bashkë me Papa Françeskun, rreth një teme shumë të rëndësishme për botën bashkëkohore: “Vokacioni dhe misioni i familjes në Kishë dhe në botën bashkëkohore”.

Nuk mund ta fshehim faktin se problematika e familjes sot kthehet me forcë në të gjitha shoqëritë. Edhe në shoqëri që duket se kanë baza të forta tradicionale e morale rreth familjes, sikurse p.sh. shoqëria shqiptare, ka një diskutim të hapur rreth formave që kjo familje po merr në kohën aktuale, sfidat dhe vështirësitë që po kalon, sikurse janë çështja e varfërisë, dhunës, konfliktit gjithnjë e më të hapur ndërbreznor e kështu me radhë. Bota globale, e sidomos mjetet e informacionit, gjithnjë e më shumë po ndikojnë në jetën e familjes, nëpërmjet ndikimit të tyre në jetën e individëve. Një individualizëm i shtyrë deri në pasojat më të skajshme, ka bërë që shumë persona të humbasin sensin e përkatësisë në një bashkësi, shprehje e së cilës familja është në bërthamë, e kështu ta shohin gjithnjë e më shumë këtë të fundit vetëm thjesht si një opsion në jetën e tyre.

Edhe Kisha Katolike është e përfshirë në këtë dinamikë të zhvillimit të jetës njerëzore e po përpiqet që nëpërmjet disa pyetjeve dhe ngritjes së disa çështjeve të japë disa përgjigje, sidomos sa u përket atyre situatave familjare që janë në vështirësi e në krizë. Gjithnjë e më shumë sot realiteti bashkëkohor po kërkon prej Kishës Katolike një kthim baritor, një ndryshim rrënjësor në mënyrën e qasjes së saj ndaj botës. E tha shumë qartë këtë gjë Papa Françesku në Filadelfia pak ditë më parë. Diçka sigurisht po lëviz e po ndryshon edhe në vetë jetën e Kishës dhe në qasjen e saj ndaj realitetit të familjes e të gjithçkaje që është e lidhur me të.

Po pse pikërisht familja ndër shumë probleme që sot shqetësojnë gjininë njerëzore? Pse Kisha Katolike po investon pikërisht tani energjitë e saj në këtë drejtim?
Familja mbetet ende vatra në të cilën njeriu vjen në jetë e ku ka ambientin e vet më të natyrshëm për t’u rritur dhe edukuar. Prandaj është detyrë e të gjitha institucioneve, përfshi këtu edhe Kishën, që të mbrojë e të ndihmojë familjen në detyrën e saj. Edhe atëherë, e sidomos atëherë, kur familja është e plasaritur apo e krisur, ku individët nuk gjejnë vetveten në familjet e tyre, apo kur kanë vështirësi të krijojnë një familje, duhet të gjithë së bashku t’i gjendemi afër.

Të fillosh nga familja, do të thotë të nisësh nga ajo që ne e kemi përkufizuar shpesh si qeliza e jetës shoqërore. Pa këtë zhvillim të shëndetshëm qelizor nuk është e mundur një shoqëri e mirë. Në zemrën e çdo njeriu qëndron një dëshirë e madhe për familjen, për krijimin e një ngrohtësie në të cilën personi lind, rritet dhe zhvillohet. Qysh në fillimet e jetës njerëzore, shoqëria e parë e krijuar, është ajo bashkëshortore, mbi të cilën themelohet familja, sikurse na thuhet edhe në Librin e Zanafillës. E që kjo të ndodhë, duhen sigurisht kushte që ofrohen nga ata të cilët kanë përgjegjësi për jetën e shoqërisë. Shumë të rinj sot vendosin me vështirësi të krijojnë familje, sepse u mungojnë kushtet ekonomike të favorshme, ose lindin pak fëmijë nga frika se nuk kanë me se t’i rrisin.

Shoqëria plaket gjithnjë e më shumë e në këtë pikë edhe të moshuarit janë jashtë vëmendjes, madje shpesh konsiderohen si teprica, ose barrë për shoqërinë, e cila nga familja i delegon ose në braktisje, ose në qendrat e azilit.
Duket atëherë që vektori i parë i punës së ipeshkvijve, por mendoj i të gjithë realitetit tonë kishtar dhe jokishtar, është ai në drejtim të ndihmës për familjet që çdo ditë mundohen të përballojnë jetën duke qëndruar së bashku, duke sakrifikuar në rritjen e fëmijëve dhe në edukimin e tyre, si dhe duke qenë oaze paqeje për të moshuarit dhe personat në nevojë. Këto familje duhet të mbështeten e të inkurajohen nëpërmjet afërsisë dhe politikave sociale.

Ne e dimë mirë edhe se, fatkeqësisht, familja jo gjithmonë është ajo që ne mendojmë dhe dëshirojmë, pra jo gjithmonë është e pandashme dhe e përhershme. Ka situata në të cilat, për shumë arsye, një martesë ka dështuar e janë krijuar bërthama të reja familjare. Këto janë situata në të cilat shpesh ka shumë vuajtje e dhimbje e atëherë kërkohet më shumë afërsi dhe angazhim nga ana e të gjithëve. Kishës i takon për besimtarët e saj, por edhe kushdo ia kërkon, që të kujdeset në mënyrë që këto familje të mos përjetojnë largësinë e strukturave, apo të ndihen si të përjashtuar nga ai që ne e quajmë nganjëherë “normalitet”. Familja tregon afeksion, dashuri e në këto raste të vështira shpesh plagosen pikërisht këto ndjenja kaq fisnike. Kujdesja për to nuk u takon vetëm protagonistëve, por është një përgjegjësi e të gjithëve, e të gjithë shoqërisë, pikërisht sepse martesa dhe familja nuk janë çështje vetëm private, por edhe publike, e pra shoqërore.

Çfarë rezultatesh priten nga kjo Mbledhje në Romë mbetet ende për t’u parë, pasi pritet një diskutim i hapur dhe pa doreza ndërmjet personash, ipeshkvijtë në këtë rast, që kanë përgjegjësi në Kishë, por që edhe e mendojnë shpesh ndryshe nga njëri-tjetri. Por një gjë është e sigurt: Familjen, e themeluar mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje, nuk mund të mos e konsiderojmë si qelizën dhe pjesën më të rëndësishme të shoqërisë. Ajo duhet ruajtur e kujdesuar në mënyrë që mos të kapet prej metastazave të së keqes, përçarjes, dhunës dhe ndarjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura