Familja dhe edukimi, marrëdhënie sinergjike

May 30, 2016 | 10:17
SHPËRNDAJE

shehu-tritaniTRITAN SHEHU

Të trajtosh sot problematikat mbi familjen është shumë e vështirë, por edhe e domosdoshme. Po e nis këtë shkrim nga një fakt i thjeshtë dhe lehtësisht i konstatueshëm: vendi i parë i edukimit për njeriun është familja; ajo përfaqëson ambientin ku personi ndërton themelet e personalitetit të tij.

Ky ekskluzivitet dhe privilegj i familjes do të thotë që, nga një anë, asnjë subjekt tjetër edukues nuk mund ta zëvendësojë atë, nga ana tjetër, ajo mbetet e pazëvendësueshme pikërisht për faktin që vetë misioni kryesor i familjes është edukimi. Kjo sjell si pasojë faktin që deri në një pikë të caktuar të zhvillimit të njeriut, subjektet si ato arsimore etj. duhet të bashkëpunojnë me familjen dhe jo të tentojnë ta anashkalojnë atë.

Me këtë nuk dua aspak të minimizoj rolin e edukimit në përgjithësi për forcimin e familjes. Përkundrazi, dua të theksoj se kemi të bëjmë me një relacion të dyfishtë, që duhet parë në sinergji dhe bashkëveprim, për forcimin e konceptit të familjes, gjë e cila automatikisht ndihmon në forcimin e përsosjen e shoqërisë në tërësi. Është ky bashkëpunim i cili paraqet sot një sërë problematikash, që unë do të dëshiroja t’i prekja shkurtimisht.

Në botën e sotme, më shumë se terrorizmi, krimi, kriza ekonomike apo rreziqe të tjera, kemi një sfidë të madhe me të cilën përballemi. Është pikërisht fakti që disa teori kanë zgjedhur të ndërmarrin një rrugë joracionale, duke vënë nën shënjestër familjen, përmes disa legjislacioneve dhe një edukimi të gabuar, ndesh me misionin e madh të saj.

Bëj këtë afirmim sepse është një fakt që p.sh. në të gjithë Europën kemi një rënie të frikshme të martesave, të lindjeve, rritje galopante të aborteve, të divorceve dhe një tendencë për një shpërbërje të familjes, qoftë dhe e lidhur kjo me goditjen e konceptit burrë-grua si bazë e saj.

Shumë prej drejtuesve të shoqërive të sotme janë të bindur se duke bërë një politikë të mirë ekonomike si p.sh. ajo e llogaritjes së “koeficientit familjar”, ndihma sociale për të lindurit e rinj etj., do të mund të luftohet fenomeni i rënies së martesave dhe të lindjeve. E shoh me dyshim këtë lloj qëndrimi, pavarësisht se politika të tilla janë të dobishme.

Nuk mund të mjaftohemi vetëm me ndihma sociale, sepse të mirat që mbron familja janë më të larta se zgjidhjet që mirëqenia ekonomike mund të japë. Pra, ndryshe nga disa këndvështrime, problematikat e familjes sot nuk janë thjesht të karakterit ekonomik, por janë sidomos të karakterit antropologjik, të lidhura me natyrën e njeriut.

Për këtë arsye nuk mund të ketë një familje të mirë pa një edukim të mirë, që të prodhojë një kulturë të rregullt familjare dhe shoqërore, dhe gjithashtu të marrë pjesë aktive në edukimin e shoqërisë. Beteja kundër shkatërrimit të familjes dhe rrënimit të shoqërisë sonë, nuk mund të bazohet vetëm mbi shifra e kontribute ekonomike, sepse thelbi i çështjes ka të bëjë me antropologjinë dhe me kulturën që karakterizon këto shoqëri.

Bazuar në këto pikëpamje, sot propozohen sfida të vështira për familjen. Do të përpiqem të analizoj disa nga këto. Së pari, nën një këndvështrim historik, për të gjitha shoqëritë, martesa konsiderohet baza e familjes dhe familja mbetet thelbi i shoqërisë në formën e saj natyrore, si bashkim i qëndrueshëm mes një burri dhe një gruaje.

Format alternative shoqërore që propozohen në ditët e sotme, si njohja e martesës homoseksuale nuk do të thotë thjesht që t’i njohësh një të drejtë atyre që nuk e kanë atë, por do të thotë të rikonceptosh martesën, që nuk do të bazohet më mbi diferencën seksuale, por mbi një “preferencë” seksuale, ose siç është në modë të thuhet mbi një “dashuri”, si ndjenjë apo emocion ajo.

Në përgjithësi, kushtetutat moderne e njohin familjen si qelizë kryesore të shoqërisë, që duhet të jetë një bërthamë e qëndrueshme, në mënyrë që të krijohen premisat për të edukuar qytetarë të aftë për të kontribuar për të mirën e përbashkët, edhe mbi pranimin e diferencës në një shoqëri tolerante.

Emocionet dhe ndjenjat e brendshme nuk kanë të bëjnë me statusin ligjor të martesës, sepse ligji nuk mund t’i konsiderojë këto elementë të cilët mbeten të pamundur për t’u vlerësuar nga faktorë të jashtëm. Ajo çfarë mund të vlerësohet janë ato elementë që për mijëra vjet kanë karakterizuar këtë “institucion”, pra komplementariteti burrë-grua, si i vetmi kontekst që potencialisht mund të gjenerojnë e të edukojë në mënyrë të ekuilibruar.

Sot, nëpërmjet krijimit të lidhjeve alternative dhe teknologjive riprodhuese, duket sikur funksioni riprodhues dhe edukues i familjes tentohet disa herë të kalojë në plan të dytë. Ky “shëndet” i trazuar i familjes mendoj se mund të rikuperohet kryesisht nëpërmjet një edukimi të mirë shoqëror, por edhe për këtë vihen re tendenca antinatyrore.

Këtu dua të prek problematikën e dytë duke iu referuar atyre, të cilët, me qëllimin për të luftuar format e ndryshme të diskriminimit të bazuar mbi orientimin seksual ose gjininë, duan të devijojnë mendjet e fëmijëve me një vizion të shtrembëruar antropologjik, me veprime indoktrinuese të bazuara mbi të ashtuquajturat teori “gender”.

Problematikat që sjellin këto teori mendoj se përbëjnë një sfidë edukative të vështirë për të gjithë ata që duan të mbrojnë vlerat e familjes natyrale, pikërisht për faktin që problemet shfaqen që në shkollë. Askush nuk mohon barazinë e plotë burrë-grua, apo faktin që të gjithë të kenë mundësi të kërkojnë të drejtat e tyre.

Por, nga ana tjetër, nuk mund të afirmohet ideja që mbrohet nga këto teori se të gjithë jemi qenie njerëzore dhe se të qenit mashkull apo femër përbën një konstrukt shoqëror që varet nga momenti historik dhe kulturor dhe jo nga ai natyror; pra mund të zgjedhim më vonë a duam të jemi burrë apo grua.

Shkolla, deduktohet me tej nga ato, duhet të ketë një rol kyç për të eliminuar ato që quajnë stereotipa gjinorë, që i interpretojnë si një problem në shoqërinë tonë, duke u ofruar nxënësve meshkuj dhe femra, mundësinë për t’u bërë burra dhe gra ashtu siç dëshirojnë, sa herë dëshirojnë dhe potencialisht të ndryshojnë edhe më shumë se një herë identitetin e tyre seksual.

Të ndash kështu realitetin e natyrës me atë shoqëror dhe të bësh konfuzion midis stereotipave shoqërorë dhe elementeve natyrore është e rrezikshme. Këto ide që po përhapen nëpërmjet këtij “edukimi” me qëllim “përmirësimin” e shoqërisë, tashmë po kthehen në ideologji me efekte të dhimbshme si ato që në të shkuarën duke pasur si qëllim “përsosjen” e shoqërisë apo të racës, u kthyen në diktatura dhe sollën efekte shkatërruese.

Efektet e këtyre formave të reja “edukimi” i gjejmë dhe konkrete, duke shkuar deri në ekstreme. P.sh., sipas NHS, që është sistemi shëndetësor anglez, vetëm në vitin 2015, mes prillit dhe dhjetorit, mbi një mijë fëmijë britanikë u janë nënshtruar trajtimeve për “çrregullim të identitetit gjinor”, trajtime këto që variojnë nga këshillimi psikologjik te kurat hormonale për të bllokuar zhvillimin e individit në funksion të ndryshimit të ardhshëm kirurgjikal të seksit. Por jo të gjithë janë dakord me këto iniciativa.

McHugh, psikiatër shumë i njohur amerikan, ka kritikuar me fjalë të ashpra terapitë e ndryshme përgatitore për ndryshimin e seksit të eksperimentuara mbi fëmijët. Kjo jo vetëm për normën e lartë të vetëvrasjeve të konstatuar mes individëve, të cilët vendosin t’iu nënshtrohen procedurave të këtij tipi (20 herë më e lartë se ajo e popullsisë jo-transgjinor), por edhe për shkak se sipas shumë studimeve, kur fëmijët të cilët kanë raportuar prirje transgjinore u rehabilituan pa kura mjekësore, në 70-80 për qind të rasteve kanë humbur spontanisht prirjet e shfaqura.

Mendoj gjithashtu që disa politikanë dhe media nuk bëjnë të mirë ndaj publikut dhe ndaj personave me prirje transeksuale duke e trajtuar konfuzionin e tyre, vetëm si një e drejtë për t’u mbrojtur dhe jo si një devijim nga norma që kërkon mirëkuptim, korrigjim dhe parandalim. Këto afirmime i bëjnë dhe specialistë me emër si John Hopkins apo si britaniku Robert Lefever, që na kujtojnë se çrregullimi i identitetit gjinor “është i riparueshëm”, ndërsa “ndryshimi i seksit jo”.

Kjo edhe pse të rriturit mund të zgjedhin, kurse fëmijët jo, dhe si krijesa të pambrojtura mund të ndikohen lehtë nga modat e momentit dhe nga një edukim i gabuar. Sipas specialistëve të fushës të tilla përcaktime janë duke u kthyer pikërisht në modë dhe si një “simbol” dallimi në shoqëri. Këto, kur dhe problemet emocionale të prindërve kthehen në probleme fizike dhe psikologjike për fëmijët e tyre, japin zgjidhje shume të gabuara.

Kjo situatë takohet sot në gjithë BE-në, edhe në Shqipëri, ku shumë shkolla kanë aplikuar këtë lloj edukate seksuale. Kjo është një ide e gabuar pra, një ideologji që shkon kundër natyrës dhe kundër shoqërisë. Nga e gjithë kjo buron një edukim i shtrembëruar, që sjell si pasojë një vizion antropologjik të gabuar, duke na devijuar nga natyra jonë dhe duke i dhënë fund bërthamës themelore të shoqërisë, që është familja, me pasoja shkatërruese mbi të gjithë.

Në këtë linjë mendimi theksoj dhe se edukimi seksual nuk duhet t’u lihet vetëm atyre që i quajmë ekspertë të fushës. Familja është “ekspertja” kryesore për sa i përket edukimit dhe themeleve të njeriut më shumë se çdo ekspert tjetër me përvojë, sepse është vetë mënyra e jetesës së njeriut që e do të tillë.

Kështu, ne duhet të ndihmojmë familjen të realizojë misionet e saj, pra dhe detyrat themelore edukuese së bashku me strukturat e tjera shoqërore si shkolla etj., që duhet të jenë subsidiare ndaj saj. Edukimi pra është një detyrë themelore dhe e pa zëvendësueshme e prindërve dhe roli i tyre nuk mund të cenohet si në situatat e përshkruara më sipër, qoftë edhe në fushën e atij seksual.

Prandaj, duhet menduar për disa veprime konkrete si kurse në mbështetje të familjeve, përfshirje më shumë të familjeve në vendimet nga ana e shtetit dhe shkollave që lidhen me aspektet e afektivitetit, kulturore apo fetare të fëmijëve etj. Prindërit duhet të informohen për nismat që ndërmerren në shkollë dhe ata në çdo rast duhet të ketë të drejtën për mospërfshirjen fëmijët e tyre në të tilla nisma, në rastet kur ato nuk janë në përputhje me edukimin e tyre familjar etj.

Kombinimi i këtyre kategorive mundet të realizohet vetëm brenda ambientit familjar dhe të kompletohet plotësisht në marrëdhëniet e ekuilibruara mes anëtarëve të saj dhe formave të tjera të shoqërisë, të cilat mund të jenë politike, të tipit profesional, miqësore, ekonomike, sportive, vullnetarizmi, përkatësie fetare etj. E gjithë kjo është thelbësore për të siguruar një autonomi efektive të subjektit kundrejt formave të ndryshme të nënshtrimit apo të shfrytëzimit të njeriut.

Pikërisht në sajë të funksionimit të familjes, ne mund të njohim dhe të luftojmë këto shtysa nihiliste, që lidhen me ideologjitë e sipërpërmendura. Nën këtë këndvështrim pikëpamjet nga mund të vëzhgohet familja mund të jenë të shumta, por nuk duhet të rreshtim së theksuari aspektet dhe efektet pozitive të saj, që i harrojmë shpesh ose i sfumojmë përballë shqetësimit të atyre rasteve negative kur këto relacione familjare nuk funksionojnë ashtu si duhet.

Pra, familja është një burim i pashtershëm për të gjithë dhe mbeten të pabazuara të gjitha ato paragjykime që kjo strukturë është e vjetër dhe nuk ka më asgjë për t’u dhënë individëve dhe shoqërisë në ditët e sotme. Familja, si edhe rolet e formuara në të, janë thelbësore për një edukim të përshtatshëm të njeriut dhe për formimin e identitetit të tij, jo vetëm në fazat e hershme të jetës, ose vetëm në drejtimin nga prindërit te fëmijët, por edhe për marrëdhëniet midis familjes në sensin e ngushtë dhe familjes në sensin e gjerë (gjyshërit dhe anëtarët e tjerë të një fisi).

Kjo strukturë mbetet guri i themelit për stabilitetin dhe ndërveprimin e lidhjeve të çiftit, për zhvillimin e balancuar të përbërësve që lidhen me afektivitetin dhe dashurinë. Ajo ka një rol qendror në krijimin dhe përfitimin e faktorëve integrues dhe relacionalë, që nuk janë thjesht instrumentale, por kanë një vlerë reale e të rëndësishme edhe jashtë kufijve të familjes, pra kundrejt shoqërisë.

Ambienti familjar është vendi ku formohen aftësitë për të gjykuar si dhe vështrimi kritik mbi realitetin dhe e gjithë kjo arrihet me anë të edukimit, që për të qenë i plotë ka nevojë për lidhjet serioze dhe të qëndrueshme mes anëtarëve të familjes.

Nga të gjitha këto forma alternative edukimi, del në dukje se ajo që disa herë synohet për të krijuar struktura të barasvlefshme me të ashtuquajturën “familje tradicionale” është e kundërta e asaj që duhet, duke dhënë efektin e një destabilizimi në ekuilibrin e këtyre marrëdhënieve, me pasoja negative sidomos mbi pasardhësit tanë, që humbin mundësinë të rriten në një ambient të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Kjo do të sjellë probleme në formimin e identitetit të tyre dhe në mundësinë për të krijuar një shoqëri të përgjegjshme e të lirë në të ardhmen. Këtu dua të theksoj se pikërisht këto elemente krijojnë midis familjes e shoqërisë një korrelacion shumë të rëndë- sishëm. Rritja ne ambientin e “familjes se vërtetë” dhe funksionimi normal i atij “uniteti” me bazë burrin e gruan, bën të mundur krijimin e kushteve ideale të zhvillimit e edukimit harmonioz të secilit që në fëmijëri, qoftë në planin psikologjik, fizik apo dhe të kapaciteteve të plota intelektuale.

Nga ana tjetër, kjo krijon dhe premisat e plota për kontributin e rentabilitetin maksimal të individëve në aktivitetin e tyre shoqëror, profesional etj., për zhvillimin e shoqërisë në tërësi. Dhe në të gjithë këtë tablo, edukimi brenda apo jashtë familjes është arma më e fortë që ekziston, sepse siç thuhet në sajë të lindjes sjellim dikë në jetë, por nëpërmjet edukimit i japim kuptimin atij njeriu, jo vetëm në të jetuarit në shoqëri, por edhe të jetës vetë.

Dua të përfundoj këto rreshta me disa fjalë të Papa Françeskut, që para një viti u shpreh para kardinalëve në këtë mënyrë: “Familja sot shpesh përbuzet dhe keqtrajtohet. Por ajo që kërkohet prej nesh është që të dimë sa e bukur, e vërtetë dhe e mirë është formimi i një familjeje, të qenit familje sot; sa është ajo thelbësore për ekzistencën e kësaj bote dhe për të ardhmen e njerëzimit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura