Aksidenti misterioz/ Vëllai i 32-vjeçares: U zhdukën 100 mijë eurot që do blinte shtëpi, pas ngjarjes na kërcënuan që të heshtnim

Aug 2, 2015 | 10:13
SHPËRNDAJE

Familjarët e një 32-­vjeçareje nga fshati Llakatund i Vlorës kanë denoncuar dje Policinë Rrugore për fshehjen e një aksidenti automobilistik të ndodhur katër ditë më parë në autostradën Kavajë­-Rrogozhinë, midis zonës së Gosës dhe të Lekajt.

Vajza e aksidentuar
Vajza e aksidentuar

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, vëllai i viktimës, 27-­vjeçari Fisnik Bushi, akuzoi drejtpërdrejt për fshehje të krimit, segmente të caktuara të Policisë së Qarkullimit Rrugor.

Fisnik, ju sot (dje) keni telefonuar te “News 24″ dhe “Gazeta Shqiptare” për një aksident automobilistik të ndodhur në Kavajë. Mund të na thoni se cili është problemi juaj?

Tri ditë më parë humbi jetën në aksident motra ime, ndaj dua të zbardhet e vërteta e kësaj ngjarjeje. Kjo për faktin se asnjë televizion nuk e dha këtë lajm. Dua të di pse u fsheh ky aksident, mos e kanë vrarë time motër? Pse nuk na treguan ku ndodhi, pse ndodhi, aksidenti? Kush e shkaktoi? Mos ishte grabitje, apo dhunim? Pse nuk na i dhanë sendet e saj personale? Pse nuk na japin çantën ku kishte më shumë se 100 mijë euro? Për këtë jam drejtuar te “News 24″ dhe “Gazeta Shqiptare”.

Si e mësuat lajmin për aksidentin?

Unë isha në punë. Jetoj në Tiranë së bashku me motrën që varrosa. E kisha lënë motrën në gjumë, pasi dola herët. Nga ora 12:00 e së enjtes më mori nëna në telefon që më tha që Bujana ka pësuar një aksident. Më dha numrin e infermieres së spitalit të Durrësit. Infermierja më tha hajde se motra të ka vdekur. Kur shkova, e gjeta motrën jashtë morgut. Atë e kishin futur në arkivol, e kishin veshur, gati për ta çuar në shtëpi. Kishin bërë biznes edhe me vdekjen e saj. Më kërkuan 1.5 milionë lekë të vjetra për të çuar motrën në shtëpi. Ndërsa pagova 50 mijë lekë të vjetra për rrobat që i kishin veshur. Rrobat e saj i kishin flakur. E vetmja gjë që kemi gjetur deri tani është vetëm një shapkë të motrës. Ata të morgut më dhanë vetëm një dokument, ku thuhej se shkak i vdekjes ishte aksidenti. Po jo vendi ku ndodhi aksidenti dhe çfarë e si ndodhi.

Çfarë ndodhi më pas?

Sapo çova trupin e motrës në shtëpi për ta qarë, xhaxhai dhe daja im shkuan në policinë e Kavajës dhe të Durrësit për të marrë sendet e saj personale. Para se të varrosej, nëna kërkoi vathët, orën, celularin dhe çantën e saj për t’i futur në arkivol. E kemi traditë, por asgjë nuk gjendej dhe nuk është gjetur akoma.

Dyshojmë se e gjithë kjo ka të bëjë me çantën me para që ka pasur motra. Bëhet fjalë për më shumë se 100 mijë euro. Me këto para, ime motër do të blinte një shtëpi, për veten e saj. Ku janë paratë? Ne dyshojmë se për këtë shkak është mbajtur e fshehur ngjarja. Dyshojmë që këtë e kanë bërë policët që kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

Çfarë mësuat nga policia?

Policia e Kavajës ia hidhte fajin asaj të Durrësit. Dhe ne sorollateshim në komisariatin e Durrësit, ndërkohë që aksidenti kishte ndodhur në Kavajë. Mësuam se motra ka qenë në makinë me Kostandin T. ose Ramis A. (ai ka dy emra). Na thanë që është nga Vlora, por ne nuk e njohim. Gjithashtu, na thanë se do të na i jepnin sendet personale të Bujanës, sot (dje) në orën 16:00, por nuk na dhanë asgjë. Na thanë që sendet personale ia kishin dhënë vëllait të shoferit. Por, ç’punë kishte ai me sendet personale të motrës sime dhe pse nuk na i japin ne?

Ku punonte motra juaj?

Ka punuar në bankë dhe ishte ekonomiste e kontabiliste. Me bizneset merrej. Motra prej 10 vitesh punonte në Tiranë.

Çfarë bëni para Komisariatit të Policisë së Kavajës?

Ne duhet të ishim duke pritur ngushëllime në shtëpi, se e kemi derën të hapur e na vijnë shumë njerëz, por nuk mund ta lëmë këtë çështje. Erdhëm këtu, pasi këta menduan se do ta na përcillnin lehtë duke na çuar në Durrës. Ne kërkojmë që të na kthehen sendet dhe çanta me para e motrës. Mendoj që janë hedhur lekë për t’u mbuluar ngjarja. Ne jemi shumë të paqartë dhe të shokuar nga kjo ngjarje. Nuk e dimë nëse motra ka qenë pasagjere dhe si e në çfarë gjendjeje ka qenë shoferi; i alkoolizuar apo i droguar? Nuk dimë se çfarë ka ndodhur konkretisht. E kanë grabitur apo e kanë dhunuar motrën time.

Keni pasur kërcënime?

Po, më ka marrë një biznesmen nga Vlora e më ka thënë të hesht për këtë punë. Ai më ka thënë të mos bëj zhurmë, më ka kërcënuar. Siç duket është i lidhur me autorin e aksidentit dhe me policinë për të mbuluar faktet.

Çfarë kërkoni ju?

Kërkoj që ministri Saimir Tahiri të merret me këtë çështje dhe të hedhë dritë, pasi ne po sorollatemi në policinë e Kavajës, e cila nuk na jep asnjë sqarim. Motra ime mund të jetë grabitur dhe vrarë dhe ne familjarët e saj nuk mund të heshtim pa zbardhur të vërtetën. Kërkojmë që të na dorëzohen paratë dhe të gjitha sendet personale që motra kishte me vete.

Marre nga Gazeta Shqiptare

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura