Familja Adams vjen në Teatrin Eksperimental

Feb 26, 2016 | 12:40
SHPËRNDAJE

Ndoshta shumë i kujtojnë pjesëtarët e çuditshëm të familjes Adams, flokët e gjatë të Morticias, Të mërkurën që nuk i qeshte buza kurrë, Xhaxha Festerin, Gomezin apo Dorën e vetmuar (një dorë pa trup) të kudondodhur. Nëse nuk i kanë njohur, do të mund t’i njohin në një version shqiptar.

“Të çmendurit Adams” është një komedi e re muzikore që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental nga 5 marsi, ora 19:00. Përmes lojës së aktorëve, kërcimeve apo këngës live, ofrohet jo vetëm argëtim.

Adams

Përmes këtyre personazheve të çuditshëm, paranormalë, trajtohen ca çështje universale, ndër të cilat më kryesorja është ajo e vlerave të familjes. Ku gjenden ato? Një familje në aparencë “e çuditshme” përballë familjes tradicionale.

Nëse e mbani mend Wednesday-n, ajo tashmë nuk është më fëmijë. Shfaqja sjell një histori fantastike dashurie mes dy adoleshentëve dhe një makth për çdo baba. Wednesday Adams, dikur një vogëlushe e mbushur me ligësi të hijshme e të papërmbajtshme, që do të helmonte vëllanë e vet vetëm për një xhiro me ambulancë – tashmë është rritur dhe ka gjetur dashurinë.

Fatkeqi – Lukasi – një djalë i ëmbël e romantik nga një familje e zakonshme, të cilin familja Adams nuk e ka njohur asnjëherë. Dhe sikur të mos mjaftonte, Wednesday i rrëfen dashurinë të atit dhe i përgjërohet të mos i tregojë të ëmës.

Tashmë Gomez Adams duhet të bëjë atë që nuk e ka bërë kurrë më parë – të mbajë një sekret nga gruaja e tij që e adhuron aq shumë saqë puth edhe tokën ku ajo shkel, Morticias. Gjithçka do të ndryshojë për familjen Adams brenda një nate kaotike, kur Lukas dhe prindërit e tij “normalë” ftohen për darkë nga “të çmendurit” Adams.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura