Falsifikimi i farmacive, gruaja mori ilaç për mjekim prostate

Sep 4, 2015 | 19:00
SHPËRNDAJE

Një grua nga Tirana që merr ilaçe për mjekimin e prostatës! Kjo nuk është e pamundur. Receta në fjalë është rimbursuar me fondet e shtetit shqiptar në periudhën 2013-2014. Paratë kanë dalë nga arka e shtetit dhe janë transferuar në llogarinë e farmacisë që ka lëshuar recetën, pavarësisht se gjithçka ka qenë e falsifikuar.

Farmaciiii
Një faturë e tillë, dukshëm e falsifikuar, është zbuluar nga Prokuroria e Tiranës, e cila është duke hetuar abuzimet e mëdha që kanë ndodhur me rimbursimin e ilaçeve që nga viti 2013 e në vazhdim.

Për këtë çështje në ditët e para të qershorit 2015 u arrestuan nëntë persona, ndërsa u shpallën në kërkim dy të tjerë. Këta të pandehur akuzoheshin se kishin qenë pjesë e vjedhjes së rreth 56 milionë lekëve të rinj nga buxheti i shtetit me anë të recetave false të lëshuara nga katër farmaci fantazmë.

Pas fazës së parë të hetimit që dokumentoi abuzimin nga katër farmacitë fantazmë, që kanë ekzistuar vetëm në letrat me të cilat janë vjedhur paratë, nën hetim janë përfshirë edhe 28 farmaci të tjera. Ky proces hetimi nënkupton verifikimin e të gjitha recetave që janë paraqitur për rimbursim në Drejtorinë e Fondit Shëndetësor të Tiranës dhe në Drejtorinë e Përgjithshme.

GRUAJA ME PROSTATË!
Pikërisht gjatë kontrollit të recetave që dyshohet se janë falsifikuar, grupi i hetimit i Prokurorisë së Tiranës ka zbuluar edhe “perlën”.

Një recetë e lëshuar nga një farmaci në Tiranë, te kolona e identitetit të pacientit ka të shkruar emrin e një gruaje. Në recetë është shënuar edhe mosha e pacientes, ndërsa në dokument thuhet se ajo ka blerë pranë kësaj farmacie medikamente mjekësore për kurimin e prostatës.

Falsifikimi i recetës në fjalë ka arritur në përmasat e të paimagjinueshmes, duke tejkaluar edhe ligjet e natyrës dhe duke hequr kufirin ndarës mes disa shqetësimeve shëndetësore, të cilat ndodhin te meshkujt, por jo te femrat. Receta në fjalë është verifikuar se është pjesë e një duzine dokumentesh të falsifikuara vetëm sa për të përfituar rimbursimin financiar për ilaçet në fjalë.

SKANDALI I RIMBURSIMIT
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar informacion nga departamenti i hetimor tatimor për 28 farmaci në disa rrethe kryesore të vendit, të cilat dyshohet se kanë vjedhur paratë e shtetit me abuzime në skemën e rimbursimit.

Hetimi ka nisur mbi bazën e kallëzimit të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Skema e abuzimit ka të bëjë me rimbursimin e çmimeve të medikamenteve mjekësore për receta të ekzekutuara nga farmacitë “Lundër”, “Nutrimed 2012”, “Bërzhitë” dhe “Adelina”.

Sipas kallëzimit, gjatë periudhës shtator 2014 – mars 2015 është konstatuar se këto katër subjekte kishin luhatje të mëdha në vlerat e rimbursimit nga njëri muaj në tjetrin. Shuma totale për këto katër subjekte është në vlerën 55.941.901 lekë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura