Fallxhoret i marrin pushuesit 1 mijë euro

Jul 18, 2013 | 10:25
SHPËRNDAJE

Foto Ilustruese
SARANDE – Një shqiptar nga Maqedonia që prej disa ditësh ndodhej me pushime së bashku me familjen në qytezën e Ksamilit, ka rënë pre e një mashtrimi nga tri gra, të cilat duke i shtirë fall, kanë arritur t’i marrin atij një shumë prej 1000 eurosh. Pas denoncimit në Policinë e Sarandës nga ana e të dëmtuarit, blutë e qytetit bregdetar pothuajse 10 orë më vonë kanë bërë identifikimin e autorëve të këtij mashtrimi dhe ndërkohë kanë bërë edhe arrestimin e tyre. Rreth mesditës të së martës, 29-vjeçari nga Struga, Astrit Qamili, banor prej vitesh në Zyrih të Zvicrës, ka denoncuar se disa gra, duke i hedhur fall, i kishin marrë 1000 euro. Menjëherë është ngritur grupi i hetimit, ka shkuar në Ksamil dhe pas dëshmisë së marrë drejtpërdrejt nga maqedonasi, ka nisur punën hetimore për të gjetur se kush kanë qenë autorët e këtij mashtrimi në shumën e 1000 eurove. Me herët specialistë të hetimit në Sarandë kanë mësuar nga i dëmtuari se mashtrueset ishin tri gra të komunitetit rom. Pothuajse dhjetë orë më vonë, në orën 23:00 të së martës, blutë e Sarandës ranë në gjurmë të tri grave, bëri shoqërimin e tyre në Komisariat dhe gjatë procedurës rezultoi se të tria gratë rome kishin qenë autoret e mashtrimit të maqedonasit në Ksamil, duke i marrë atij 1000 euro. Për rrjedhojë, nga strukturat e Komisariatit të Policisë në Sarandë u bë arrestimi për veprën penale të “mashtrimit” i 62-vjeçares Sulltane Rama, 36 vjeçares Lirie Rama dhe 50-vjeçares Fatmira Muhaxhiri, që të tria banore të Fushë-Krujës. Sipas burimeve policore, një pjesë e eurove të marra nga tri gratë, tashmë të ndaluara nga policia, u janë gjetur në çanta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura