“Falje nuk ka për të pasur, duhet dënim!”- Deputeti i PD-së sjell në vëmendje 80-vjetorin e Partisë Komuniste: Plagë në ndërgjegjen e kësaj shoqërie! Ka ende fajtorë për ato krime

Nov 8, 2021 | 14:37
SHPËRNDAJE

Gjatë ditës së sotme në Komisionin e Ligjeve në Kuvend u diskutua projektbuxheti për vitin e ardhshëm, për Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Gjatë fjalës së tij në komision, deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, i cilësoi fondet e vendosura në dispozicion të këtij institucioni si të pakta dhe të pamjaftueshme.

pjimage (35)

Duke sjell në vëmendje se sot është 80-vjetori i Partisë Komuniste, Bylykbashi theksoi se Instituti nuk duhet të fokusohet vetëm në nxjerrjen në pah të krimeve të komunizmit, por edhe në drejtimin e gishtit drejt fajtorëve që janë ende gjallë, si dhe dënimi i tyre.

“Nuk duhet të fokusoheni vetëm te studimi i krimeve, por duhet të fokusohemi edhe te dënimi. Jo më rezoluta vetëm, por dënimi, se falje nuk ka për të pasur”, tha Bylykbashi.

“Unë gjykoj që, sot është dhe një datë shumë specifike, është dita famëkeqe kur është themeluar Partia komuniste. Ju keni për detyrë të studioni dhe të nxirrni në pahë krimet e komunizmit. Në mënyrë të vazhdueshme fondet që ju jepen ju në gjykimin tim janë të pamjaftueshme.

Nëse duhet të ketë një prioritet që lidhet me atë që është pastrimi i ndërgjegjes së kësaj shoqërie nga krimet e komunizmit se komunizmi është më i gjerë, krimet janë pjesa më e zezë, bëhet fjalë për mijëra të vrarë, qindra të vrarë që nuk u gjenden eshtrat, me dhjetëra mijëra të burgosur dhe të internuar, unë gjykoj që instrumentet që vëmë ne në funksion të këtij procesi pastrimi, nëpërmjet nxjerrjes në pah të krimeve që më pas të kemi mundësinë të vëmë gishtin se ka ende fajtorë për ato krime.

Në atë kompetencë aq sa ka institucioni juaj, unë gjykoj se duhet të keni fokus dhe para më tepër. Ndërkohë që duhet të jetë prioritet i këtij Kuvendi që ta forcojë këtë.

Sot është përvjetori i 80-të i ditës që prodhoi krimet e komunizmit dhe ne nuk duhet të limitohemi vetëm te studimi i krimeve, por duhet të fokusohemi edhe te dënimi. Jo më rezoluta vetëm, por dënimi, se falje nuk ka për të pasur.  Po nuk u bë kjo do të mbetet plagë dhe jo njollë në ndërgjegjen e kësaj shoqërie dhe do të vazhdojmë të diskutojmë gjëra që gjenerohen nga dita që u themelua ajo parti”, tha Bylykbashi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura