Falimentimi i taksës “së ndershme” të Ramës

Jul 11, 2016 | 11:34
SHPËRNDAJE

mateo spahoMATEO SPAHO

Gjatë të gjithë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, Edi Rama ka pasur në qendër të programit të tij çështjen e zhvillimit ekonomik dhe pika e fortë qëndronte te Taksa Progresive e quajtur ndryshe si taksa “e ndershme”, e cila duke tatuar më shumë të pasurit, do të rishpërndante të ardhurat drejt të varfëve në formë rritjeje të pagave më të ulëta dhe me shërbime publike më cilësore.

Nga 1 janari 2014, hyri në fuqi taksa progresive e quajtur si e drejtë dhe e ndershme. Tashmë kanë kaluar dy vite e gjysmë nga zbatimi i saj dhe mundet që të analizojmë qetësisht pasojat që kjo taksë ka sjellë në ekonominë e vendit, në buxhetin e shtetit dhe sidomos në xhepat e Shqiptarëve.

Në vitin 2013, shteti Shqiptar me anë të administratës tatimore ka mbledhur 29.6 miliardë lekë të reja ose 296 milionë dollarë nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP). Taksa ekzistuese në atë kohë ka qenë ajo e sheshta dhe viti 2013 ishte një vit elektoral ku dihet se për shumë arsye agjentët tatimorë ishin më të relaksuar në kontrollet e tyre dhe se kjo shifër mund të ishte më e lartë. Çfarë ka ndodhur me taksën e ndershme të Ramës të zbatuar nga viti 2014 e tej?

Në vitin 2014 nga ky tatim u mblodhën 288 milionë dollarë dhe në vitin 2015 u mblodhën 295 milionë dollarë. Thënë ndryshe, në vitin 2015 të ardhurat e buxhetit të shtetit nga taksa progresive ishin 0.2% më të ulëta në krahasim me të ardhurat e taksës së sheshtë të vitit 2013 (një vit elektoral). Që nga këto të dhëna fillestare mund të kuptojmë se taksa progresive e Ramës nuk i shërbeu arkës së Shtetit.

Midis vitit 2013 dhe 2015, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto nominal ka qenë në nivel të agreguar rreth 7.8% dhe si pasojë pritej që edhe kjo taksë të rriste të ardhurat në po këtë masë. Duke marrë parasysh rritjen ekonomike (të publikuar nga Institucionet Qeveritare), kjo taksë duhej të sillte 8% më shumë të ardhura.

Nëse Shqipëria do të kishte vijuar me taksën e sheshtë, sot do të ishin mbledhur rreth 318 milionë dollarë ose 23 milionë dollarë shtesë që sot mungojnë. Taksa e drejtë e Ramës është në fakt taksë e pandershme. Taksa progresive e pandershme e Ramës ka rritur me 23 milionë dollarë informalitetin ku me po aq para mundet të jepej ndihma ekonomike 23 mijë familjeve të varfra ose rreth 80 mijë personave, po aq sa kanë kërkuar azil politik (për arsye ekonomike) në vendet e Europës Perëndimore.

Taksa progresive e pandershme e Ramës ka sjellë një situatë frike duke rritur tendencën për të fshehur të ardhurat dhe për të mos treguar aktivitetin ekonomik duke tharë Buxhetin e Shtetit dhe duke sjellë mosrritjen e pagave për më shumë se tre vite. Ky bllokim solli humbjen e fuqisë blerëse të punonjësve të shtetit, lëngimin e shtresës së mesme dhe stepjen për të rritur rrogat në sektorin privat.

Taksa progresive e pandershme e Ramës tradhtoi të varfrit dhe me ta 97% të Shqiptarëve, pasi duke mos mbledhur më shumë të ardhura, nuk rriti cilësinë e shërbimeve publike, duke filluar nga shkolla të harruara, duke vijuar me një shëndetësi të krimbur në korrupsion e duke përfunduar në rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Taksa progresive e pandershme e Ramës nuk i dha shtetit Shqiptar mundësinë për të kryer investime publike si rrugë, autostrada, kanale vaditëse, hekurudha, porte etj., duke e bërë investimin në Shqipëri të pafavorshëm për të gjitha kompanitë shumëkombëshe.

Taksa progresive e pandershme e Ramës ndaloi shtysën për të investuar në Shqipëri nga vetë Shqiptarët, të cilët tashmë besojnë se ky vend “nuk bëhet” dhe kjo thënie dëshmohet edhe në mungesën e kërkesave për kredi që biznesi Shqiptar vijon të mos kërkojë pavarësisht se ajo tashmë është e lirë dhe relativisht e lehtë për t’u marrë.

Taksa progresive e pandershme e Ramës goditi në të njëjtën kohë intelektualët dhe shtresën e mesme të vendit, duke filluar nga pedagogët, tregtarët, doktorët, inxhinierët, gazetarët, avokatët etj., të cilët ende sot kanë kurajën dhe një fije ndërgjegjeje të kundërshtojnë politikat kryekëput të gabuara (të vërtetuara me fakte dhe shifra) të Rilindjes, pasi nuk blihen për një thasë miell që t’i thonë të zezës të bardhë.

Taksa progresive e pandershme e Ramës është dy herë e pandershme, pasi u përdor për të marrë votat e shumicës së shqiptarëve, të cilët u shpërblyen më pas nga përkeqësimi i gjendjes së tyre ekonomike që u përkthye në emigrim masiv, rritje të kriminalitetit dhe pasigurisë, të trafikut të lëndëve narkotike dhe të zhdukjes së shpresës.

A thua se degradimi i Shqipërisë vjen për fajin e një takse? Natyrisht jo, por kjo tregon mendësinë me të cilën një qeveri vjen, mashtron dhe bën sikur harron. A ka shërim? Absolutisht po! Ky ndryshim mundet të fillojë nga ndryshimi i kësaj takse, por kjo qeveri nuk ka kohë të merret me hallet e shqiptarëve. Duhet dërguar në opozitë që të reflektojë dhe të hapë librat e ekonomisë dhe ditaret e fakteve nga e para. Do të thoni: Ti je i anshëm!…

Absolutisht po, fatmirësisht! Jam një ekonomist liberal, i cili mendon se një shtet që taton më shumë një qytetar në raport me një tjetër thjesht sepse ky do të punojë, të zhvillojë jetën e tij dhe të komunitetit në të cilin jeton në vend që të popullojë lloto-sportet dhe të dredhë tespihet duke sharë të tjerët, është një shtet racist.

Racist sepse godet njerëzit që kanë moralin e punës dhe dëshirën për të fituar dhe promovon llafet e kota, humbjen e kohës dhe ziliqarët mendjelehtë. Shqipëria ka nevojë të rikthehet në punë duke kthyer në vendin e vet një qeveri që punon, me njerëz që punojnë dhe me taksa që funksionojnë. Shqipëria bëhet!

*Koordinator i Partisë Demokratike

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura