Faleminderit z. Hahn!

Oct 3, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

Vjollca BrahoVJOLLCA BRAHO

Teksa ulem të shkruaj duket sikur kam njëkohësisht jo vetëm dorën time, por edhe të time eti, të gjyshes sime, të të parëve të mi në vite bashkë me ata që nuk mundën dot të kalonin të gjallë kufirin. Ndaj sot nuk mudem të kem thjesht një falenderim të thjeshtë për Komisionerin Hahn për atë ç’ka tha me zë të lartë në Bruksel.

Dua të kem gjithë fjalët për të nderuar një diplomat që pas shumë kohësh artikuloi atë që i themi jo vetëm bashkëatdhetarëve tanë, por mbarë botës së qytetarëruar: Çamët dhe e shkuara e tyre janë një histori që duhet zgjidhur sepse ne kemi të drejtën tonë dhe që askush nuk mund të ndalojë zbardhjen e së vërtetës! Unë jam ndjerë mirë prej shumë kohësh teksa kam parë shumë miq të mi jo çamë që shqetësohen si unë, si të afërmit e mi për atë që kërkojmë prej kohësh të zgjidhim me të shkuarën tonë.

Jam ndjerë mirë sepse tashmë e besoj se çështja jonë nuk është çështje e një komuniteti të veçantë, por e mbarë shqiptarëve. Sepse është çështje dinjiteti për shqiptarët. Me të drejtë kryetari i PDIU, z. Idrizi, ftoi historianët nga podiumi i Kuvendit të Shqipërisë që të bëhen pjesë e debatit, të ngrejnë zërin. Sepse ata janë të parët që e dinë se historia nuk zhbëhet.

Sepse historia kërkon vetëm zgjidhje dhe ne jemi për të shkuar drejt një zgjidhje me Greqinë si një fqinj që ka dëshirë ta shohë në sy fqinjin e tij, që t’i kërkojë atij të mos frikësohet nga ajo çfarë duam, por të na shohë si pjesë e munguar, të na shohë si pjesa që duhet të bashkëjetojmë. Por, duke parë reagimet e qeveritarëve të Athinës pas deklaratës së komisionarit Hahn, e sidomos pas pëforcimit të këtij qëndrimi edhe nga zëdhënësja e Komisionet Europian, Maja Koçijançiç, për të vijuar dialogun mes dy vendeve për zgjidhjen e kësaj çështjeje, me duhet të pohoj se duhet ende shumë rrugë drejt zgjidhjes. Reagimi i tyre tregon se duhet ende përpjekje për të bindur fqinjët të pranojnë atë ç’ka neve na takon me të drejtën tonë.

Në këtë betejë unë do t’i drejtohesha sërish bashkëqytetarëve të mi, që të bashkojnë zërin për kauzën që ka të bëjë me krenarinë e të gjithëve. Sepse ne jemi shqiptarë të çamërisë, jemi një gjak, jemi një histori, ndaj dhe zgjidhja nuk na takon vetëm ne. Në shumë takime me gratë çame, kam ndjerë se ata besojnë se zgjidhja do të jetë përmes një zëri të bashkuar. Në atë çfarë kam marrë nga gratë çame është bindja e tyre se vetëm bashkë mund t’ia arrijmë që ajo që na është trashëguar amanet të mos mbetet një zë i heshtur.

Ndaj, edhe në emër të gjithë grave çame dëshiroj të falënderoj z. Hahn që i dha një dimension të ri betejës sonë, që i dha shpresën se zëri ynë po dëgjohet dhe se amaneti i të parëve tanë nuk shuhet. Reagimi i fqinjëve ndaj diplomatit të Brukselit tregon se, fqinjët ende nuk janë gati të pohojnë se duhet të gjejmë zgjidhje. Dhe ne e dimë, se më shumë se sa shtëpitë dhe pronat tona, ata nuk duan të pranojnë të shkuarën, nuk duan të pranojnë atë kalvar vuajtjesh që i shkaktuan të parëve tanë që lanë shtëpitë e tyre, pasuritë e tyre.

Por qetësia jonë tashmë duket se ka mbërritur atje nga kemi synuar gjithnjë ta zgjidhim, nga sytë e përbashkët të të gjithë qytetarëve të përgjegjshëm, qofshin këta në Tiranë, Athinë, Bruksel, Romë, Paris, Londër, apo kudo gjetkë ku diskutohet për atë çfarë është e drejtë. Deklaratat e Komisionerit Hahn janë prova se politika e ndjekur nga PDIU ka bërë udhëtimin e duhur. Ndaj, duke besuar se sot po i jap zë mijëra e mijëra fjalëve që do të dëshironin të thonin jo vetëm çamët, por mbarë shoqëria shqiptare, po përsëris sërish fjalët nga zemra: Faleminderit Komisioneri Hahn!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura