Fajdexhinjtë e marrin peng se nuk u ktheu 2 mijë euro

Jul 25, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Fajdexhinjtë marrin peng personin që nuk u ktheu në kohë shumën e marrë borxh. Por jo vetëm kaq. Ata e detyruan që të nënshkruante një kontratë, sipas së cilës do t’ua kthente paratë 10-fish më shumë, duke e kërcënuar se mund të bëhej sërish vetëgjyqësi.

Policia Shkodër
Policia Shkodër

Policia e Shkodrës vuri në pranga dje tre persona: vëllezërit Sandër dhe Pllumb Shtogajn, përkatësisht 35 dhe 27 vjeç, si dhe Mendim Isufajn. Për ta, me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg”.

Sipas të dhënave nga dosja e hetuar nga prokuroria, bëhet e ditur se tre të arrestuarit dyshohet se kanë marrë peng një person për disa orë, për shkak të një borxhi të pakthyer.

Mësohet se Prokuroria e Shkodrës nisi hetimin në bazë të referimit të Drejtorisë së Policisë Vendore, si edhe veprimet procedurale janë zhvilluar në bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve. NGJARJA

Në bazë të veprimeve hetimore të kryera për këtë çështje, rezulton se ngjarja ka ndodhur më 10 shkurt të këtij viti.

Në atë kohë, vëllezërit Sandër e Pllumb Shtogaj, banues në Shkodër, si edhe miku i tyre Mendim Isufaj, kanë marrë peng gjatë natës shtetasin me inicialet Z.K. Ky i fundit kishte marrë me fajde te vëllezërit Shtogaj shumën prej 2000 eurosh, të cilën duhej t’ua kthente me interes të lartë.

“I dëmtuari Z.K. nuk u është përgjigjur në kohë për kthimin e borxhit, së bashku me interesa dhe për këtë arsye, mbrëmjen e 10 shkurtit ai është rrëmbyer dhe mbajtur peng për disa orë nga të dyshuarit.

Z.K. është liruar, pasi ai ka pranuar të nënshkruajë një kontratë noteriale, në bazë të së cilës u detyrohej vëllezërve Shtogaj në shumën prej 2.5 milionë lekësh të rinj, pra rreth 10 herë më shumë sesa shuma reale që kishte marrë borxh”, bën të ditur organi i Akuzës.

Pasi kaluan dy ditë pas kësaj ngjarjeje, i dëmtuari Z.K. ka kallëzuar ngjarjen në Policinë e Shkodrës, e cila referoi materialin në Prokurorinë e Shkodrës, ku u regjistrua procedimi për veprat penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “vetëgjyqësisë”, në bashkëpunim.

Në bazë të veprimeve procedurale, u arrit të faktohej me prova shkencore se autorët e dyshuar janë shtetasit Sandër Shtogaj, Pllumb Shtogaj dhe Mendim Isufaj.

Prokuroria e Shkodrës kërkoi në gjykatë caktimin ndaj tyre të masës së sigurisë “arrest me burg”, gjë e cila u pranua nga gjykata. Vendimet e gjykatës janë ekzekutuar gjatë ditës së djeshme nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura