Fadil Hoxha, në optikën e Qoses, Surroit e Myrtezait

May 18, 2022 | 7:30
SHPËRNDAJE

HALIL RAMACapture

Me një vështrim realist të kushteve dhe rrethanave historike nëpër të cilat kaloi Kosova, në vitet e thyerjeve të mëdha dhe krizës së pushtetit, janë të rrallë personalitete që u kundërqëndruan sfidave, provokimeve, përndjekjeve, hileve dhe dredhive politike të panumërta, në mënyrë aq stoike, si Fadil Hoxha.

Ai pati vizionin e një politikani patriot e modern, i cili projektoi dhe sendërtoi të ardhmen e atdheut të tij. Në dy libra të botuar në Prishtinë: “Fadil Hoxha siç e njoha unë” i akademik Ekrem Myrtezai dhe “Fadil Hoxha në veten e parë”, me parathënie nga publicisti Veton Surroi, personaliteti më emblematik i Kosovës së periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe i pasluftës, kur Kosova qe e okupuar nën pushtetin serb, paraqitet si udhëheqës dhe pushtetar i thjeshtë, pa ekstravagancë apo kryelartësi.

Në këto botime, si dhe në filmin dokumentar televiziv “Fadil Hoxha-arkitekt i Kosovës së lirë” – prodhim i Radiotelevizionit Publik Shqiptar (ku jam bashkëskenarist me Dr.Hajri Mandrin), Fadil Hoxha evidentohet si misionari historik që vjen e na zgjon për motivime të mëdha kombëtare, si personaliteti që mbushi me frymë krijuese një shekull, për t’i dhënë dinjitet njerëzor popullit shqiptar.

Në çaste kritike, i urtë e racional, kolos i luftës, sa romantik në ëndërrime aq realist në veprime, e lindi vuajtja e popullit të tij për t’u ngritur mbi dallgët e shantazhet politike si feniksi nga hiri. Ai lindi në Gjakovë (15 maj 1916), por njerëzit e mëdhenj nuk i nxë qyteti, ai u bë bir i tërë Kosovës dhe i Shqipërisë që e ëndërroi tërë jetën si komb të bashkuar. Fadili nuk krijoi pasuri, por la veprën e Tij: Kosovën e lirë me vështrimin drejt demokracive të përparuara e të qytetëruara, ai sot është Kosova në ecje, jeta në prosperitet dhe liria e demokracia në hapësira të reja!

Fadil Hoxha bashkë me shokët e tij Xhavit Nimanin, Xhevdet Hamza, Veli Dema, Xhafer Vokshi etj. i qëndrojnë historisë Kosovës si kostelacion yjesh në qiellin e demokracisë. Personalitete kosovare të botës akademike e të letrave e personifikojnë Fadil Hoxhën si intelektualin e udhëheqësin komunikues, të hapur, të çiltër dhe të ngrohtë me të gjithë, si burrështetasin që ngrihet në lartësitë morale të burrave të rrallë të kombit shqiptar që ende na fton e na thërret, për më shumë dashuri amtare për më shumë dinjitet! Sipas akademikut Ekrem Murtezai, Fadil Hoxha ka bërë për Kosovën optimumin e asaj që ka qenë e mundur në kushtet, rrethanat dhe në situatën e atëhershme brendapërbrenda sistemit socialist e monist”.

Ekrem Murtezai që nga viti 1969 e deri në vitin 1973 ka qenë shef i Kabinetit dhe këshilltar i pavarur i Fadil Hoxhës, i cili në Kongresin IX, u zgjodh anëtar i Byrosë Ekzekutive të Kryesisë së LKJ që ka qenë maja e piramidës në hierarkinë partiake jugosllavë. Në librin e tij “Fadil Hoxha siç e njoha unë”, akademik Ekrem Murtezai veç tjerash shkruan: “Fadil Hoxha për shqiptarët ka bërë tërë atë që ka qenë e mundur në kushtet mjaft të pavolitshme ekonomike, politike, kulturore dhe ndërkombëtare, duke dhënë optimumin e mundshëm brendapërbrenda sistemit.

Në bazë të angazhimit të tij si politikan numër një i Kosovës, si tribun, mund të them se Fadil Hoxha ka meritën më të madhe se kushdo tjetër nga drejtuesit e tjerë kosovarë jo vetëm për arritjet e shqiptarëve në federatën jugosllave, por, më tepër, edhe për atë që kemi sot – shtetin e ri të pavarur dhe sovran të Kosovës, sepse pa Kushtetutën e vitit 1974 , do të kishte shumë vështirësi juridike ndërkombëtare në përkrahjen e UÇK.

REXHEP QOSJA: FADIL HOXHA MË MBRONTE MUADHE KONCEPTIN E SHQIPËRISË ETNIKE

Akademik Rexhep Qosja, për Fadil Hoxhën, në “Klan Kosova” në vitin 2015, thotë: “Unë e di një gjë, Fadil Hoxha ka thënë të mbrojmë inteligjencën, sepse e ka ditur se tehu i sulmeve të Serbisë ishte drejtuar kundër intelektualëve të Kosovës. Në takimet që kam pasur me Fadil Hoxhën, Mahmut Bakallin dhe Xhavit Nimanin, ata i kam perceptuar duke bërë sjellje në pjesën më të madhe të dinjitetshme. Ata flijonin interesat e veta të ngushta dhe mendonin për interesat e Kosovës. Serbia ka bërë çmos që në vitin 1981 dhe 1982 të verë administratë ushtarake në Kosovë.

Këtë tragjedi e ka parandaluar Fadil Hoxha”. Më tej, akademiku i mirënjohur kosovar shprehet se: “Prej rreziqeve që më janë kanosur, jo vetëm për dënim politik, por edhe për pushim nga puna, edhe për burgosje, më ka shpëtuar një njeri që është figura më e shquar politike e Kosovës dhe quhet Fadil Hoxha. Ai në mënyrë të hapur u ka thënë zyrtarëve që vendosnin për fatin e intelektualëve, mbani duart larg prej Rexhep Qosjes. Më kanë shkarkuar nga detyra e drejtorit, më kanë dënuar edhe partiakisht, por nuk më kanë burgosur. I kam një borxh moral e njerëzor Fadil Hoxhës dhe këtë e kam thënë hapur dhe shpjeguar në ditar.

Të mos harrojmë se Fadil Hoxha ka qenë nxënës i Normales së Elbasanit dhe sado që ka qenë zyrtar i lartë në Jugosllavi, që zbatonte politikën e atij shteti, ishte atdhetar gjithëkombëtar. Kam pasur tri a katër biseda me të, në katër sy, dhe e kam ndjerë, e kam parë, dhe e kam përjetuar nostalgjinë që kishte Fadil Hoxha për Shqipërinë”.

Një tjetër personalitet i mirënjohur kosovar, akademik Pajazit Nushi në një intervistë dhënë RTK-së në vitin 2015 shprehet se: Fadil Hoxha ka vdekur si thotë populli me “zhigun” e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kjo ka qenë vija konstante e politikës së tij. Jam i sigurt që ka shku me brengën që Kosova (ende) nuk është bashkuar me Shqipërinë. Për aq sa e kam njohur Fadil Hoxhën, për këtë jam i sigurt.

Po ashtu, akademiku i shquar i Kosovës, Jusuf Bajraktari, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, vlerëson se: Fadil Hoxha është njeriu, luftëtari, komandanti, politikani dhe burrështetasi që me përkushtim, vuri emrin e Tij, në altarin e personaliteteve që personifikojnë historinë Kosovare si një nga figurat e mëdha shqiptare të shekullit që lamë pas. Intervista…

Prof. dr. Hakif Bajrami, historian dhe publicist i njohur shqiptar, shkruan se: Fadil Hoxha e përkushtoi jetën dhe veprimtarinë e tij në shërbim të pandërprerë të atdheut, aktiviteti i tij shumëdimensional nga komandant i talentuar i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, burrë shteti dhe patriot i flaktë, u bë simbol përkushtimit atdhetar. Idhulli i partizanëve të Kosovës, Udhëheqësi i shquar i shtetndërtimit në gjysmëshekullin e pasluftës, kurrë nuk iu nda epiteti “separatist” nga Beogradi. Historia e luftës dhe pasluftës ka emrin mendjen dhe veprën e babait separatist, Fadil Hoxha.

Nga llogoret e Luftës deri te piramida e pushtetit, nga akuzat dhe burgjet, deri te mirënjohja e heroit të Kosovës, me adhurimin më madhor publik, shtrihet jeta dhe vepra e këtij vigani liberator!

Prof. Dr. Masar Rizvanolli – Kryetar i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, ndër të tjera vlerëson se “Fadil Hoxha ishte ndër themeluesit e parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe aradheve partizane, në krye të së cilës ishte vetë ai… gati në të gjitha betejat ishte luftëtar me armë në dorë, duke u treguar strateg i niveleve të larta ushtarake.

Po ashtu, gjeneral Rrahman Parllaku – “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, në librin e tij testament “Memoria historike e Kombit” shkruan se: “Për mua, Fadil Hoxha është më i madhi i të gjithë shqiptarëve, qofshin në Shqipëri apo në Kosovë. Më i madhi duhet të ishte Enveri, po të mos kishte pushkatuar të vetët si Pol Poti. Fadil Hoxha, si burrë shteti, me aftësi e dinjitet, me zgjuarsi e largpamësi të jashtëzakonshme, duke shfrytëzuar më së miri koniunkturat e brendshme politike në ish-Federatën Jugosllave, arriti ta bëjë Kosovën pjesë kushtetuese të Federatës”.

PAK RADHË PËR FILMIN DOKUMENTAR KUSHTUAR FADIL HOXHËS

Filmi dokumentar “Fadil Hoxha-arkitekt i Kosovës së lirë” që u promovua më 15 shkurt 2022 në sallën e Akademisë së Shkencave në Tiranë, në praninë e më shumë se 100 personaliteteve akademike e publike nga Tirana e Prishtina, (ku unë jam bashkëskenarist me dr. Hajri Mandrin dhe me regjisor të mirënjohurin Llesh Nikolla – “Mjeshtër i Madh”, e konsulent z. Bashkim Hisari), është një prodhim me metrazh të gjatë, 47 minuta, i cili i kushtohet veprimtarisë së Fadil Hoxhës, për periudhën 1932 deri 2001, si lideri kryesor në historinë e Kosovës.

Filmi jep një përmbledhje të zhvillimeve politike, historike dhe kulturore në Kosovë, duke u fokusuar te kontributi politik dhe patriotik i Fadil Hoxhës në zhvillimin dhe konsolidimin e Pavarësisë së Kosovës. Diskursi politik e patriotik i Fadil Hoxhës, në mbrojtje të të  drejtave dhe lirive të popullit shqiptar në Kosovë Në përshëndetjen për të pranishmit,pas shfaqjes së filmit dokumentar, ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ndër të tjera veçoi formimin, frymën, qëndrimet, vlerat dhe arritjet e Fadil Hoxhës si udhëheqësi më jetëgjatë i Kosovës, duke dhënë në gjuhë filmike, momentet dhe pasazhet më domethënëse që shërbejnë për plotësimin e shëmbëlltyrës së Fadil Hoxhës, si protagonist kryesor.

Po ashtu, prof. dr. Bujar Kapexhiu – “Nderi i Kombit” e vlerësoi filmin si një narrativë dokumentare me efekte letrarizuese ku dimensioni i liderit kosovar Fadil Hoxha jepet në diskursin e tij politik e patriotik, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të popullit shqiptar në Kosovë. Rëndësi ka materiali i pasur arkivor e fotografik dhe intervistat që japin rolin bashkëpunues të F.Hoxhës në politikëbërje në mbrojtje të kauzës shqiptare. Skenari dhe materialet filmike, intervistat me personalitetet më të shquara akademike në Shqipëri dhe Kosovë jepen në film në mënyrë estetiko-profesionale me një nivel të lartë, duke përcjellë vlera dhe mesazhe aktuale në dobi të përparimit të shqiptarëve.

Në vlerësimet që bëjnë figurat më të shquara kombëtare akademike, historike dhe publicistike si akademik Rexhep Qosja, Jusuf Bajraktari, Paskal Milo, Nevila Nika, publicistët Veton Surroi, Akif Bajrami etj., përcaktojnë dhe ridimensionojnë figurën dhe rolin e Fadil Hoxhës në historinë e Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore deri në Luftën e UÇK-së, sidomos rolin e tij vendimtar për Kushtetutën e vitit 1974, që e përcaktoi Kosovën krahinë autonome, kufijtë e së cilës shërbyen për shtetin e sotëm të pavarur të Republikës së Kosovës.

Akademik Pëllumb Xhufi evidentoi rolin e rëndësishëm të Fadil Hoxhës në tejkalimin e prapambetjes kulturoro-arsimore të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, arritjet në fushën e të drejtave politike në kuadrin e autonomisë, lirisë dhe të drejtave politike e kombëtare dhe arritjet në Kushtetutën e 1974, përpjekjet në Konferencën e Bujanit për bashkimin kombëtar të shqiptarëve etj. Filmi dokumentar “Fadil Hoxha, arkitekti i Kosovës së lirë”, ruan koherencën kontekstuale, mbështetet në inserte ndëraktive që ndërthuren në formë kujtimesh dhënë në mënyrë estetike.

FADIL HOXHA ISHTE IDEALIST, BESONTE TE LIRIA DHE PROSPERITETI I POPULLIT TË TIJ

Fadili, si shumë djem kosovarë që shkolloheshin në Shqipëri, ishte ndër të parët që përqafoi idetë përparimtare e liridashëse të kohës, pasi kishte ndjerë shtypjen e lirive nacionale, nën sundimin e regjimit të egër serb. Fadil Hoxha, si burrë shteti, me aftësi e dinjitet, me zgjuarsi e largpamësi të jashtëzakonshme, duke shfrytëzuar më së miri koniunkturat e brendshme politike në ish-Federatën Jugosllave, arriti ta bëjë Kosovën pjesë kushtetuese të Federatës”.

Një ndër gratë më të njohura në kohën e saj, Vahide Hoxha, reformatore e Edukimit dhe aktiviste e shquar, jo vetëm pse ishte bashkëshorte e Fadil Hoxhës, por sepse kreu funksione të shumta, që nga profesoresha e Normales në Prishtinë deri te kryetarja e Bashkësisë së Kulturës.  “Sinqerisht them se kam kaluar një jetë të lumtur. Jemi marrë vesh për çdo gjë, kemi qenë si shokë. Prandaj, nuk e kam pasur lehtë që pas 56 vjetësh të ndahem prej tij. Ishte vështirë. Por, jam munduar të mbahem. Në çdo skutë të shtëpisë sime janë kujtimet, që më lidhin me të”.

Me një vështrim realist të kushteve dhe rrethanave historike nëpër të cilat kaloi Kosova, në vitet e thyerjeve të mëdha dhe krizës së pushtetit, janë të rrallë personalitete që u kundërqëndruan sfidave, provokimeve, përndjekjeve, hileve dhe dredhive politike të panumërta, në mënyrë aq stoike, si Fadil Hoxha.

Ai ishte idealist, besonte te liria dhe prosperiteti i popullit të tij, shpresonte dhe ishte i bindur se nëpërmjet Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si pjesë e Koalicionit Ndërkombëtar Antifashist, do t’i shërbente idealit të kahershëm të popullit të Kosovës – bashkimit me Shqipërinë. Ai ishte iniciatori kryesor edhe për aktivitetin e 500-Vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar – Skënderbeut (1968); 100-vjetorin të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1978), si dy nga ngjarjet kulmore të jetës kulturore e shkencore në Kosovë. Fadil Hoxha pati vizionin e një politikani patriot e modern, i cili projektoi dhe sendërtoi të ardhmen e atdheut të tij. Fadil Hoxha vdiq më 23 prill 2001 në Prishtinë, në moshën 85-vjeçare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura