Fabiola Egro-Laço: Përmes “Skype”-t shoh time bijë, kursej para, por harxhoj kohë

Dec 17, 2012 | 14:06
SHPËRNDAJE
Fabiola me të bijën, Tina

Mbajtja e fëmijës në shtëpi për shumë prindër është siguri e komfort i madh. Ke shansin ta ushqesh dashurinë reciproke çdo ditë, me detaje të vogla, me gëzimet e problemet që sjell e përditshmja e, në të njëjtën kohë, të shohësh e “monitorosh” rritjen e fëmijës para syve të tu. Por, këtë “luks” nuk e ke kur fëmija është larg, sepse kohën e mundësinë e komunikimit e ke të limituar nga distanca. Për këtë të vijnë në ndihmë mënyrat moderne të komunikimit. Shkenca e teknologjia e ka afruar kaq shumë njeriun te njeriu, duke zvogëluar distancat e duke afruar kulturat. Për Fabiola Egron, aktivisten e njohur të shoqërisë civile, kryesisht për të drejtat e grave, fakti që e bija, Tina, prej katër vitesh studion në Karlsruhe, një qytet i Gjermanisë së jugperëndimit, nevoja për të komunikuar me të përmbushet përmes mjeteve të teknologjisë e skype është një prej të preferuarve të saj. Ajo thotë me bindje se skype-i është vërtet një nga “mrekullitë e vogla-të mëdha të përparimit të teknologjisë së komunikimit që bashkoi botën mbarë. Të gjithë mundësitë e shanset e mëdha që të jep komunikimi on line janë aq të mira për t’u shfrytëzuar, sa edhe të këqija për të të shfrytëzuar ty dhe kohën tënde. Në rastin konkret, kufijtë e duhur e disa herë më të skajshëm na i ka vënë vajza jonë, Tina. Duke jetuar në një vend si Gjermania, ajo ka mësuar të jetë e kursyer në kohë e para, si dhe të bëjë një jetë të përkorë e të programuar mirë. Tina nuk ka preferuar të hapë llogari në asnjë rrjet social, kështu që e-mailet e për më tepër skype janë mënyra më e mirë e komunikimit për ne. Flasim me orë të përcaktuara më parë, vetëm në mbrëmje vonë, jo më shumë se dy-tri herë në javë. Mendoj që kemi gjetur një balancë midis dëshirës, dashurisë dhe racionalitetit”. Duke qenë një trend në modë, dhe jo vetëm një gjetje e mençur që u vjen në ndihmë njerëzve nga të gjithë kontinentet e botës, pa dallim gjendjeje ekonomike, lidh gjithë të dashurit, heq merakun e mallit e prindit për fëmijën e sjell gëzimin brenda në shtëpi, kjo formë komunikimi është kurdoherë e vlefshme nëse përdoret me masë. “S’do e shihja si kursim, por si mos harxhim parash, prandaj dhe risku është akoma më i madh, me idenë që s’harxhon para, të rrish gjithë ditën në skype e të harxhosh kohë. S’duhet të harrojmë që realiteti është jashtë ekranit të kompjuterit dhe jeta e përditshme me problemet dhe sfidat e saj ka nevojë për aktorë realë dhe jo për ata virtualë”, përfundon ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura