Evi Reçi: Fër fër fër bëjnë pantallonat

Jun 4, 2015 | 11:50
SHPËRNDAJE


Evi Reçi rikthen Tefta Tashko Koçon në versionin modern. Refreni i famshëm “Kur më vjen burri nga stani”, ndërthuret me rrymën “electro-swing” në këngën e re “Merr guximin”. Por koreografia ku këngëtarja shfaqet me pantallona të shkurtra dhe dy meshkuj balerinë, hap debat: “Fër-fër-fër ma bën fustani, apo…pantallonat?”

Një këngë tribut për Tefta Tashko Koçon. Evi Reçi risjell këngën e njohur të viteve ’30, “Kur më vjen burri nga stani”, në versionin “electro-swing”. Nën titullin “Merr guximin”, kënga ka tekst modern, ku femra shfaqet kërkuese ndaj mashkullit, ndërsa refreni ndërthuret në versionin origjinal me zërin e Tefta Tashko Koços. Por, ndërsa këngëtarja legjendare këndon vargjet e famshme “Kur më vjen burri nga stani/fër-fër-fër ma bën fustani”, Evi Reçi shfaqet në klip e veshur me pantallona të shkurtra, me këmishë dhe dy djem balerinë, që vallëzojnë të tre. Dhe me këtë koreografi, duket sikur kënga i përshtatet edhe komunitetit homoseksual, konkretisht “gay”-ve. Po a është vërtet kështu? Duke folur për gazetën “Panorama”, Evi Reçi thotë se “kushdo mund ta gjejë veten në këtë klip, pavarësisht orientimit seksual”. Sa për femrat, atyre nuk ua bën më edhe aq fustani “fër-fër-fër”…

Evi Reçi gjatë debutimit të këngës – homazh për Tefta Tashko Koçon
Pse vendosët të bëni një këngë-homazh për Tefta Tashko Koçon? Ishte ide e juaja, apo jua sugjeruan?
Kisha më shumë se një vit që e kisha në kokë si ide, por nuk kisha gjetur akoma autorët e duhur, që do ma realizonin siç doja unë. Por vendosa Tefta Tashko Koçon, sepse e adhuroj si këngëtare, ka sjellë një frymë europiane në vitet ’30 dhe është një ikonë për t’u inspiruar.
Kënga titullohet “Merr guximin”. Kush e ka bërë tekstin, koreografinë etj.?
Tekstin e ka bërë Rona Nishliu dhe muzika është nga Mixey. Për koreografinë janë kujdesur Odeta Dishnica dhe Ervis Nallbani, ndërsa për veshjet “Satin Atelier”.
Gjatë debutimit janë dy meshkuj që kërcejnë me ju. Pse kjo zgjedhje dyshe, kur kënga i dedikohet vetëm një burri?
Është vendosur me dy balerinë, për ta bërë më interesante si koncept dhe jo “shabllon”. E kam përshtatur në ditët e sotshme, duke luajtur me dy balerinë në mënyrë me lozonjare.
Nga ana tjetër, në videoklip ju në një pjesë të mirë të këngës shfaqeni me pantallona të shkurtra. A mos ka tendencë kjo këngë që të përfshijë edhe homoseksualët, pra dikujt mund t’ia bëjnë “fër-fër-fër” edhe pantallonat?
Nuk e kam menduar kaq thellë këtë gjë, por kushdo mund ta gjejë veten në këtë klip, pavarësisht orientimit seksual.
A mendoni se femrave të sotme ua bën fustani “fër-fër”, kur u vjen burri?
Më duket se fustani iu bën më pak “fër-fër-fër”, ndaj kam vënë edhe titulli “Merr guximin”, pasi femrat e ditëve të sotshme janë më shumë guximtare.
Mendoni se në muzikë shet më shumë zëri i këngëtarit, melodia, teksti, zhveshja…apo çfarë tjetër?
Mendoj se në muzikë shet paketa artistike, zëri i përkryer, imazhi i kuruar, autorët e talentuar.
Pas kësaj kënge, mendoni të bëni ndonjë tribut edhe për ndonjë këngëtar/këngëtare tjetër?
Besoj se do vazhdoj dhe për pak këtë linjë muzikë, “electro-swing”, por në vijim nuk di akoma çfarë do eksperimentoj.
Vera është përpara dhe është stina ku këngëtarët prodhojnë sa më shumë këngë. Çfarë projektesh keni?
Për mua nuk ka rëndësi është verë apo dimër, pasi nuk i lidh projektet e mia me koncertet. Por këtë vit do kemi shfaqje në disa aktivitete kulturore.
Keni realizuar disa këngë, por ende jo një album. Pse?
Albumi është një projekt që do të realizohet së shpejti, pasi prita të nxjerr dhe këngën e fundit “Merr guximin” për ta kompletuar.
A jeni e angazhuar në ndonjë punë/projekt tjetër, përveç muzikës?
Jam në “Radio Fleur” në Itali, si spikere dhe gazetare kulture po tek ajo redaksi, por muzika mbetet prioritet.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura