Eva Alikaj: “Nuk më vrau emigrimi, por harresa, askush s’më telefonoi”

Dec 21, 2014 | 11:40
SHPËRNDAJE

Eva nuk donte që ky rrëfim t’i dilte si një ankesë e vazhdueshme, por nuk është në gjendje të ndryshojë as realitetin, prandaj i thotë gjërat ashtu siç janë. Siç ishin atëherë kur të gjithë e harruan, e si janë sot kur për të të kujtuar duhet të bësh paktet e kohës. Vështirësitë 20-vjeçare, rritjen e djalit e vetme, shijen jo të mirë pas largimit, rikthimi në teatër, ky i fundit te komedia “Shtëpia pa dritare”… të gjitha i tregon vetë…

Sikur ta dinin se ajo ka qenë gjithnjë këtu, edhe atëherë kur askush nuk kujtohej, edhe atëherë kur kolegët e kishin harruar, nuk do të thoshin se ky është rikthimi i Eva Alikajt, sa herë ka pasur role në teatër. Mundet që, fizikisht të ketë qenë në Vjenë, të ketë pasur gjithë sikletet e një jete të huaj, ama njërin vesh e ka pasur përherë nga telefoni. Priti gjatë deri sa, Hervin Çuli, sot drejtor i Teatrit Kombëtar ndërsa dikur regjisor i pjesës “Ylli pa emër”, e thirri në vitin 2005 kur dhe u rikthye vërtet pas një heshtjeje të gjatë. Ajo nuk do kishte dashur asnjëherë të mungonte për kaq shumë kohë. Jetonte gjithnjë përgjysmë, me njërën këmbë brenda zullumeve të një jete të përditshme, me tjetrën në një rol të munguar për të cilin do të ishte gjithnjë gati, sikur telefoni të kishte rënë më parë. Sot, aktorja Eva Alikaj është me kohë të plotë në Tiranë. Gjatë fundjavës, me rolin më të ri të shfaqjes së regjisorit Saimir Gongo, “Shtëpia pa dritare”, ndërsa çdo fillimjavë, si konkurrente e spektaklit “Dancing with the Stars”. Në ditët midis, vrapon sa për në një provë, në tjetrën. Nëse ju duket në formë shumë të mirë të hënave, kur e shihni të vallëzojë, mos kujtoni se është ashtu, fare pa u sforcuar. Vallëzimi i saj i fundit kishte qenë ndoshta ai i ndonjë roli në film përpara ’90. Nuk ka vallëzuar për 20 vjet, ashtu siç e ka privuar veten edhe nga gjithë gjërat që do t’i merrnin qoftë edhe pak kohë nga rritja e Xhinos, djalit që sot është i zoti i vetes, falë edhe sakrificës së të ëmës. Megjithëse tani, ata që i lexojnë a dëgjojnë rrëfimet e saj përpiqen t’i japin një kuptim të shkuarës, asnjëherë nuk do të përjetojnë njësoj si ajo, shijen e të lënit mënjanë, atë të harresës. Je në majat e tua profesionale dhe befas, të duhet të hidhesh gjëkundi, pa ditur ç’ka poshtë; ky është prologu i ikjes së saj. Mbase nuk e shtynë bujshëm, ama e lanë të hidhet. Veçse, në të gjitha këto vite, ajo e ka ditur që do të ishte sërish aty ku kishte qenë. Sot, është shumë e ngarkuar për të pasur mllefe, ama një kuptim, nuk diti t’ia japë kurrë. As atëherë kur humbi besimin në njerëz e nisi të lutet në Zot.
Shfaqja paraardhëse, te “Hamletmachine”, ka qenë shumë afër në kohë për ta konsideruar rolin aktual te “Shtëpia pa dritare”, si një rikthim të Eva Alikajt. Më duket, është lënë pas koha e ikjeve e ardhjeve… Mund t’ju konsiderojmë këtu tani?
Kjo është ajo çka shihni ju, por unë ngaqë kam qenë vetëm fizikisht e larguar, më duket sikur gjithnjë kam qenë këtu. Megjithatë, pavarësisht ndjesive, ende nuk kam një përgjigje të fundit për t’ju dhënë. Sado që unë personalisht jam e rikthyer, ndihem sërish pa fole, sepse kontrata njëvjeçare me teatrin, më përfundon në fund të vitit. Kështu që ç’mund t’ju them. Nuk jam e qetë shpirtërisht duke ditur që nuk kam një “shtëpi” të sigurt. Po të më lejonin, do isha këtu, gjithnjë.
Kur thoni po të më lejonin, e keni fjalën për mënyrën si funksionojnë gjërat apo u referoheni njerëzve konkretë?
Mënyrës se si funksionojnë gjërat, sepse këtu duhet të kesh miq e shokë, duhet të njohësh regjisorin, tjetrin e tjetrin. Ndërsa unë nuk kam rreth të gjerë, nuk kam shumë miq. Ndoshta kjo edhe për shkak të largimit të gjatë. Po të kisha qenë këtu gjithnjë, do kisha funksionuar njësoj. Ndërsa mendoj që s’kam fare nevojë të kem njohje me një regjisor apo një tjetër. Nëse ata që vënë shfaqe, mendojnë se unë ende mund të shfrytëzohem për aftësitë e mia, unë këtu jam. Por teatri nuk ka pse të funksionojë me kontrata. Le të jetë një grup aktorësh gjithnjë i gatshëm për të qenë pjesë e shfaqjeve.
Me “mënyrën si funksionon këtu” nënkuptoni kompromiset që duhen bërë për t’i bërë gjërat?
Kjo nuk është fare e bukur për t’u thënë, por është e vërtetë, nuk mbijetohet ndryshe. Unë nuk kam bërë kompromise më parë. Kanë ardhur, më kanë thirrur për të gjitha rolet e dikurshme. Sot nuk është më i njëjti realitet dhe po, do bësh kompromise. Mbase nuk duhet as ta thosha, por po e bëj sepse dua, në një mënyrë, të pastrohem.
Pse u larguat nga Shqipëria? Keni ikur në kohën tuaj më të mirë, ndërsa sot vini në një kohë që për të jetuar duhet vetëm të përshtateni?
Po unë nuk ika nga Shqipëria. Atë kohë, në ’91, unë pata mundësinë të dal jashtë shtetit njësoj siç bëjnë të gjithë sot. Unë ja ku isha, Vjena ja ku është, mund të vija në cilëndo kohë që do të më merrnin, por askush nuk më telefonoi kurrë. Pastaj, e gjendur në këtë situatë, ti përpiqesh t’i ndërtosh gjërat e tua sipas rrethanave. Nis e përshtatesh sepse nuk ke alternativa. Pastaj erdhi në jetë im bir dhe duhet të vendosja ku ishte më e mirë rritja e tij. Përgjigjen e kësaj besoj nuk është nevoja ta them.
Jo se është ndonjë ndjesi e panjohur kjo, po secili ka përvojën e vet kur vjen te harresa. Si jetuat me këtë?

Eva Alikaj në filmin “Amaneti”
Jetoja përditë me çudinë e kësaj. Si është e mundur që askush nuk po kujtohet, thosha. Pastaj, duke mos ditur ç’përgjigje t’i jepja vetes, mendoja që me siguri do të kujtohen, por pse po vonohen kaq shumë! Ata s’janë në vete! Por unë atëherë nuk isha ajo që koha e përvoja më bëri të jem sot. E di tani që askush nuk kujtohet, askush nuk ka për të të ftuar. U njoha vonë me realitetin. Atëherë, kur e bëra, kur humba besimin në njerëz, nisa të besoj në Zot. Këtu ne nuk kishim pasur kulturë fetare dhe unë, njësoj si të gjithë, nuk kisha asnjë marrëdhënie me Zotin. Pastaj në Vjenë, në Kishën e Shën Stefanit, nisa të shkoja vazhdimisht. U habita kur e pashë në një emision televiziv pak ditë më parë dhe u përlota.
Të merr malli edhe për gjërat që i do prej kushteve, jo prej zgjedhjeve. Do donit të ishit atje?  
Në këtë periudhë të vitit po, do doja të isha atje. Ky është viti i parë që nuk do të jem me ata të tre për festat e fundvitit.
Kush janë dy të tjerët meqenëse njëri duhet të jetë Xhino?
Po njëri është Xhino, dy të tjerët janë prindërit e mi, prandaj jam mësuar t’u them gjithnjë ata të tre, familja ime. Nëse gjej pak kohë, kurdo qoftë, gjëja e parë që bëj është takimi me ta. Me këtë rast, gjej hapësirën edhe për të zgjidhur gjërat që ata mund të kenë nevojë. Janë ato punët e burrave, të cilat unë i kam bërë gjithnjë vetë. Megjithatë, i jam shumë mirënjohëse Xhinos që po kujdeset edhe për prindërit e mi që jetojnë sot me të.
Pas largimit, prindërit kanë qenë me ju gjithmonë?
Jo gjithmonë. Në fillim erdhi mamaja, im atë nuk donte të largohej prej këtej. Vetëm, pas ndarjes nga im shoq, do ta kisha të pamundur ta rrisja djalin. Sot që babai është më i moshuar dhe ka nevojë për kujdes, jeton andej.
Sot që jeni e mësuar, vini ca shaka në ato punët e burrave që ju është dashur të bëni, por dikur nuk keni ditur as ç’janë…
Oh jo, nuk e kam ditur, por njeriu i mëson të gjitha. Do përshtatesh me të gjitha. E dini, dikur, kur isha ende në Shqipëri, i shihja punëtorët gjithnjë me respekt ngase mendoja se bëjnë një punë shumë më të vështirë nga ajo e imja. Pastaj, jeta desh që edhe unë të bëja njësoj si ata. Të kisha punë me orare, të punoja për të mbijetuar sepse nga do vinin paratë?!
Çfarë bën Xhino sot që është i rritur e nuk ka më nevojë që e ëma të heqë dorë nga gjërat e saj që ai t’ia dalë?
Xhino është 22 vjeç dhe studion për violë në Konservatorin e Vjenës. Është i dashuruar dhe them që është mirë.
E keni nxitur ju të merret me muzikë, apo…?
Në filmin “Treni niset në 7 pa 5”
Unë kam dashur që ai të dijë të luajë një instrument. Më vonë tregoi që ishte gjëja e duhur kjo për të, por nuk është që doja patjetër të mësonte violinën apo violën. Mund të kisha dashur të luante edhe në piano, por nuk kisha mundësitë financiare për t’i blerë një të tillë. Kur e pyes sot a mendon se është e gabuar që të kam drejtuar nga muzika më thotë jo, për këtë ke bërë mirë. Keni bërë gjëra gabim?
Po, ka pika ku kemi pasur mosmarrëveshje, atëherë i kam thënë se sikur të më kishte besuar mua gjithnjë do të kishte qenë më mirë. Më tha se ai gjithnjë më kishte besuar, por edhe atëherë kur ka bërë ndryshe nga ç’i kam thënë, ka bërë sepse donte të bëhej më i mençur vetë, jo se i mungonte besimi tek unë.
Sot, për kapriço a dëshirë, të gjithë i provojnë fëmijët në gjithfarë sportesh a instrumentesh muzikore. 20 vjet më parë nuk ka qenë kështu. Atëherë o do ishe vetë adhurues i muzikës klasike, ose do ndikonte gjeni familjar…
Ka qenë një sfidë e vazhdueshme. Unë nuk kisha as stabilitet e as mundësi financiare në jetën që bëja, megjithatë doja më të mirën për tim bir. E çova së pari djalin te të afërt të mitë, të lidhur me muzikën, të cilët gjykuan se ishte gjëja e duhur, pra kishte edhe vesh muzikor, edhe prirje. Unë vetë s’kisha ndonjë kultivim në muzikën klasike. Ishte gjithçka e re. Rrija e përgjoja tim bir që i binte instrumentit për orë të tëra duke u përpjekur të dalloj se ku po gabonte. Po nga ta dija unë ku po gabonte, unë nuk e njihja muzikën! Pastaj gradualisht mëson, teatri dhe opera e Vjenës patën ndikimet e tyre dhe shyqyr që ishin, sepse unë ndryshe do çmendesha. Asgjë tjetër nuk kam bërë në ato vite të gjata, përveç këtyre dy kënaqësive që mund të frekuentoja.
Po konkurroni aktualisht në një spektakël kërcimi, kështu që edhe duhet të keni vallëzuar pak…
Më vjen mirë që mendoni kështu por jo, për 20 vite nuk kam kërcyer asnjëherë. Nuk kisha mundësi ta bëja. Prandaj edhe është shumë e vështirë të mësoj kaq shumë gjëra tani që jam te “Dancing with the Stars”. Imagjinoni një njeri që i kërkohet të ecë me shpejtësi 240 km në orë ndërsa ai nuk di as t’i japë makinës. Ky është një tjetër debat që kam pasur me Xhinon. Ai është i zoti në kërcim ndaj kur vendosa të isha pjesë e kësaj gare, i kërkova të më ndihmonte me disa hapa. Ai nuk mundi ta bëjë e unë iu ankova. Tani që më sheh, më thotë se habitet si kam mësuar kaq shpejt.
Më parë, gjatë provave të shfaqjes “Shtëpia pa dritare”, dëgjova një nga kolegët aktorë që ju drejtohej si të ishit balerinë, ndaj nuk është vetëm mendimi i Xhinos. Sepse tani keni mundësinë t’i bëni të gjitha. Po dikur, çfarë bënit ndërsa prisnit telefonatën e vonuar?
E dini çfarë, mua nuk më ka vrarë aq emigrimi sa ç’më ka vrarë reagimi i njerëzve, sidomos i emigrantëve në Austri. Është e tmerrshme! Unë isha e ndërgjegjshme që isha njësoj, ajo që kisha qenë, ajo që dikur ata krenoheshin pse e njihnin apo e kishin të afërm. Unë miqtë e mi i kam të mitë, nuk ka rëndësi sesa të ditur a të kulturuar janë, i dua ashtu. As paraja nuk më ka rëndësi. Vetëm se, duhet të them që këtë vit ka ndryshuar pak, këtë vit kam filluar të dua të kem para. Por edhe këto reagime të tyre të shëmtuara kanë ndikuar tek unë, sepse pastaj doja të sfidoja gjithë këta njerëz që po silleshin keq. Sigurisht që nuk ia dilja gjithmonë; kam qenë gjithmonë gjysmë e ulur, nuk mund të ‘lëshohesha’ si doja, duhet të ngrihesha patjetër.
Nuk di sa vlerë mund të ketë, por keni qenë aq e pranishme këtyre viteve në Shqipëri sa do mjaftonte edhe vetëm roli i Elsës… Ç’raport keni sot me njerëzit që u sollën keq?
Oh, i kam falur. Madje po ta dija se ata aq kishin, që ishin aq të vegjël, nuk do ta kisha përjetuar aq keq të gjithën. Por unë atëherë nuk dija as këtë e as shumë të tjera. Madje disa prej tyre i kam edhe xhan. Ata nuk dinin ç’bënin, s’ka qenë për faj të tyre.
Ka pasur dy kategori njerëzish që ju kanë lënduar. Ata që keni falur dhe ata që ju harruan, por që duket se po ndryshojnë përderisa jeni sidoqoftë në teatër, pavarësisht mungesës së sigurisë. Cili është roli aktual?
Është ai i një gruaje tipike shqiptare që i duhet të mbajë peshën e familjes. Nga ato që nuk kanë ndonjë formim intelektual, por halli ka dashur të bëhen të zgjuara. Të nxis burrin për të bërë kompromiset që i duhen për t’i mbijetuar kësaj jete.
Njësoj si në jetë… si gjendeni në këtë rol?
Po nuk është roli i ëndrrave të mia. Komedia është shumë simpatike, por janë personazhet meshkuj ata që spikasin. Në fakt mua më ishte thënë për një tjetër rol në një tjetër shfaqje. Isha përgatitur shpirtërisht të isha në atë rol, por pastaj ndryshuan gjërat dhe unë si profesioniste duhet të merresha me rolin tjetër, pavarësisht që nuk më edhi mirë.
Keni projekte që vijojnë me teatrin apo edhe në këtë pikë ju mban çekuilibri që ju ka mbajtur këto vite?
Nuk e di, unë jam këtu, por nuk kam asgjë të sigurt. Ndjesia ime e lirisë është këtu.  

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura