Eurotuneli në kurriz të refugjatëve

Aug 3, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

Një gazetë britanike për pjekjet e refugjatëve për të arritur tunelin e kanalit e ka krahasuar me invazionin që druhej se do të ndërmerrnin trupat gjermane në Luftën e Dytë Botëtore. Krahasime populiste me nazistët ende vazhdon të ketë ndër britanikët.

Natyrisht që ato janë një marrëzi e paparë. Këtë javë ia dolën vërtet rreth 100 deri në 150 refugjatë që ta kalojnë tunelin, duke hipur si pasagjerë nëpër trena apo kamionë. A mund të flitet për invazion për një shifër të tillë, apo të bësh fjalë për “migrant madness”, siç bëjnë gazetat britanike? Jo. Aq më keq që kryeministri britanik ndaj këtyre ekzagjerimeve reagon i nxituar në mbledhjet e kabinetit të sigurisë, duke u shprehur për “një mizëri refugjatësh”, që po turren drejt Britanisë së Madhe.

David Cameron do të duhej më mirë të deklarojë se përse qeveria e tij refuzon me këmbëngulje të mbajë pjesën e vet të barrës europaine dhe në krizën e refugjatëve të kësaj vere të pranojë më shumë njerëz. Britania e Madhe në gjashtë muajt e parë të vitit ka nisur rreth 24.000 procese azilimi. Në Gjermani janë 170.000, në Itali 60.000. E pra, ku është “Invazioni”?

POPULIZËM I PASTËR
Pengesat e pamasa të trafikut para tunelit të kanalit dhe portit të Doverit në anën britanike vetëm në një masë të vogël shkaktohen prej bllokimit të përkohshëm të tubave të tunelit. Trenat vazhdojnë qarkullimin. Shkas për pengesat masive në trafik është kryesisht greva e shoferëve francezë. Gazetat në Britaninë e Madhe, por edhe në vende të tjera europiane, shkruanin se ushtria britanike duhet të mobilizohet për shkak të refugjatëve në tunelin e kanalit. Edhe kjo është e gabuar. Ushtria, sipas planeve të qeverisë, më së shumti duhet të rregullojë qarkullimin në jug të Anglisë dhe kamionët e bllokuar në trafik duhet t’i parkojë përkohësisht në territorin e kazermave.

Këtë javë të “dramës së refugjatëve” në Kale shumë gjëra ngatërrohen me njëra-tjetrën, për të fituar pikë me teza populiste te zgjedhësit në Britaninë e Madhe. Thelbi i problemit është diçka krejt tjetër: askush nuk e di, se si duhet zgjidhur situata aktualisht e tensionuar në Kale. As qeveria franceze, as ajo britanike dhe as Bashkimi Europian në tërësi nuk kanë një recetë. Refugjatët, që nga Siria apo Afrika e Veriut kanë kaluar përmes detit në tokë e kanë mbërritur deri në veri të Francës, bëjnë më se të qartë që sistemi i deritanishëm nuk funksionon.

Nëse do të zbatoheshin ende “rregullat e Dublinit”, në bazë të të cilave për refugjatët është përgjegjës ai vend, ku ata kanë mbërritur fillimisht, atëherë refugjatët nuk do të ishin në Francë. Është, pra, urgjentisht e nevojshme që të reagohet në mënyrë realiste ndaj lëvizjeve të migracionit të refugjatëve dhe jo sipas “rregullave të Dublinit”. Deri tani ministrat e Brendshëm të BE-së kanë dështuar në etablimin e një sistemi të kuotave të migracionit dhe kritereve të arsyeshme të shpërndarjes.

E kjo edhe për shkak të rezistencës së Britanisë së Madhe dhe të Gjermanisë kundër shfuqizimit të parimit që vendi i parë i kontaktit duhet të kujdeset për refugjatët. 3000 deri në 5000 veta, që shpresojnë në Kale për shansin e tyre, do të duhej në fakt që autoritetet franceze ose t’i kthejnë në vendet ku kanë mbërritur fillimisht, ose t’u ofrojnë atyre hapjen e procesit të azilit në Francë.

Ose në rast se atyre nuk u njihet e drejta e azilit, duhet të kthehen në vendet e origjinës. Por kjo nuk ndodh, sepse autoritetet franceze prej vitesh qëndrojnë indiferente dhe gjithashtu rrallëherë është e mundur të konstatosh te refugjatët se ku e kanë prekur ata kufirin e BE-së, ose nga cili shtet i BE-së vijnë.

NJË PROBLEM I VJETËR
Situata e vështirë në Kale nuk është e re. Qysh nga fundi i viteve 1990, atje duket se në politikën europiane për refugjatët diçka thelbësore nuk shkon. Asokohe në zonën Sangatte u krijua kampi i parë për refugjatë nga Afganistani dhe Kosova. Në vitin 2001 dhe 2002 pati trazira, sepse refugjatët e dëshpëruar e kuptuan që ata nuk kanë shanse.

Në vitin 2002, Nicolas Sarkozy, asokohe ministër i Brendshëm, udhëzoi mbylljen e kampit. Ai demonstroi pushtetshëm ambicien e tij, por problemin ai nuk e zgjidhi. Një vit më vonë u krijua kampi spontan, një xhungël në lindje të Kalesë.

Në vitin 2009, kampin e shpërndanë. Refugjatët vazhdojnë megjithatë të vijnë edhe sot. Kampi sërish u shtua. Vetëm në vitin 2014 shteti francez ndërtoi një kamp modest zyrtar për pranimin e refugjatëve, por qysh në inaugurim kampi ishte mjaft i vogël. Që prej asaj kohe, “xhungla” rritet vazhdimisht e shpenguar. Këtë verë ajo është jashtëzakonisht e madhe, sepse presioni i refugjatëve nga Mesdheu në përgjithësi është në rritje.

Shifrat për tentativa të kalimit të Eurotunelit në hyrjen e Kalesë dramatizohen nga kompania menaxhuese e tunelit. Bëhej fjalë për mijëra njerëz, që gjoja natën donin të sulmonin tunelin. Kjo është e gabuar. Ishin grupe të vogla, që disa herë u përpoqën të kapërcejnë gardhin dhe të arrijnë trenat. Vetëm pak syresh ia dolën vërtet.

Eurotuneli është papritur në fokus, impiantet e sigurisë, gardhet dhe numri i punonjësve të sigurisë janë të pamjaftueshëm. Deri tani kanë qenë kryesisht kamionët që ngarkohen nëpër tragete në shënjestër të refugjatëve. Por qëkurse këta sigurohen dhe kontrollohen më mirë, refugjatët tërhiqen nga portet e trageteve drejt Eurotunelit, sepse atje ata shohin më shumë shans (që nuk ekziston) për të kaluar në Britaninë e Madhe.

PA RRUGËDALJE?
Çfarë duhet bërë? Refugjatët nuk do të mblidhen më në Kale, në rast se ata nuk kanë me të vërtetë asnjë shans për të arritur ishullin britanik. Afatshkurtër ndoshta një izolim rigoroz do ta qetësojë situatën në Kale. Por afatgjatë problemi nuk zgjidhet kështu. Refugjatët do të gjejnë rrugë të reja, porte të tjera ose ndoshta do të dalin në ilegalitet në Francë.

Një mbyllje konsekuente e kampit të refugjatëve gjithashtu do të jepte sinjalin se lëvizja drejt Kalesë nuk ka kuptim. Por për arsye humanitare, prishja me dhunë e kampit do të ishte e vështirë. Nga ana tjetër, as qeveria franceze nuk mund të vazhdojë kështu si deri tani, duke ndjekur çdo natë refugjatët në territorin e Eurotunelit. Qeveria franceze dhe ajo britanike, por edhe politikanët europianë ndodhen para një dileme të vërtetë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura