Europën apo trashëgiminë e krimeve të komunizmit?

Feb 20, 2015 | 13:38
SHPËRNDAJE

AGRON TUFA

   I nderuar Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë, zoti Ilir Meta,
Nisur nga një shqetësim i hershëm, i gjerë dhe i përhershëm publik, që ka të bëjë me mungesën e plotë të vullnetit politik për dënimin ligjor të krimeve të komunizmit në Shqipëri përgjatë 24 viteve pas rënies së diktaturës, më lejoni t’ju drejtohem me këtë epistulë, për t’u dhënë zë, siç besoj unë, edhe atyre qindra-mijëra bashkëqytetarëve tanë, të cilët, në një mënyrë a në një tjetër kanë pritur të vendoset drejtësia, ligji, transparenca dhe paqja e përgjithshme kombëtare në shoqërinë tonë.
Mjerisht, kjo nuk ka ndodhur! Njerëzit tanë, qoftë nga radhët e viktimave të komunizmit, qoftë nga radha e të paprekurve nga dhuna e survejimi komunist, kanë pritur me vite vullnetin e njëmendët të klasës sonë politike për një ekzorcizëm të plotë të së keqes, të drejtësisë dhe transparencës dhe janë zhgënjyer, kanë humbur besimin. Të alienuar nga masa të rrejshme, gjysmake, që synojnë çaktivizimin e problemit me show të shumtë politikë e mediatikë, ata tashmë kanë kaluar në një monolog të topitur, që është rezultat i pafuqisë së tyre. Ç’gjendje më të dëshpëruar se kjo mund të ketë për një shoqëri, së cilës i rrëfehet se rruga jonë e së ardhmes janë dyert e Bashkimit Europian? Si mund të synohen ato dyer të qytetërimit me këto trauma që i tërheqim prej së shkuarës, me këtë lëndim të pamort e me këtë pamje të egërsuar dhe me eshtrat e mijëra qytetarëve të pushkatuar, të cilëve ende nuk u dihen varret? Dhe dyert e qytetërimit europian, i nderuar zotëri, nuk hapen kanatash për të hyrë, më së pari, xhelatët e kriminelët që ushtruan mbi bashkatdhetarët e tyre persekutimin më të pashembullt në historinë e pasluftës së Dytë Botërore! Atëherë shtrojmë pyetjen: çfarë mësimi moral po u lëmë ne brezave pasardhës? Mos vallë atë që pohon në vargjet e tij një poet shqiptar: “Fitimtarët – fitimtarë, të mundurit – të mundur përsëri”?
Sepse, për hir të së vërtetës, kujtesa jonë kolektive nuk mund të reduktohet në një kujtesë peshku – sikur e gjithë kjo fatkeqësi kombëtare të paskësh ndodhur në shekujt antikë! Kujtesa jonë – po, është topitur nga mosdashja e klasës politike për të vepruar, për t’u përballur me të keqen, por kujtesa jonë është aty, ndryshe nga ç’mendojnë relativizuesit e saj të politikës së lartë se, me gjasë, koha është aleate e mosveprimit dhe harrimit të krimeve. Gabohen, zotëri, gabohen rëndë! Kujtesa është aty – tatuazh në lëkurën e atyre që u morën dhunshëm, u pushkatuan mesnatash pa gjyqe, u burgosën dhe u dërguan nëpër kampet e shfarosjes me punë të detyruar. Kujtesa është aty, edhe pse xhelatët e djeshëm ligjërojnë drejtësinë dhe të drejtën ligjore nëpër katedra universitetesh e akademish, edhe pse kanë zënë pozicionet më të larta në hierarkinë e drejtësisë, edhe pse kanë arritur majat marramendëse të politikës së lartë, të drejtimit të institucioneve shtetërore, arsimore e kulturore. Viktimave dhe bijve të tyre u takon të përballen në këto instanca të larta të shtetit me persekutorët e tyre të paskrupullt. Dhe kjo është e neveritshme, e papranueshme, e turpshme! Ky qenka çmimi i lirisë dhe cilësia e saj? A e keni pyetur ndonjëherë këtë popull që përfaqësoni, zotëri, se ç’mendim ka ai për higjienën e përfaqësimit nga politika e lartë deri në institucionet edukuese?
Një peizazh të qartë jua dha, zotëri, sondazhi i kryer nga z. Eduard Zaloshnja i para dy javëve, me shifra shokuese, sipas të cilit 83-84% e popullsisë (ish-të persekutuar nga komunizmi ose jo) ishin për hapjen e dosjeve dhe Lustracionin.
Një përgjigje, gjithashtu të qartë, e jep peticioni publik me firmat e elitës intelektuale të Europës dhe Shqipërisë, që ju bën apel për hapjen e plotë të dosjeve sipas ligjit gjerman dhe Lustracionin. Pra, shoqëria shqiptare e ka dhënë opinionin e saj se çfarë mendon, duke qenë si gjithnjë në avangardë të zhvillimeve. A do t’i përgjigjen vallë përfaqësuesit e saj të zgjedhur në Parlament, apo do të bëjnë si gjithmonë “një vesh shurdh e një sy qorr”, siç ka ngjarë deri më tash? E drejta do ta donte që përfaqësuesit e zgjedhur prej po këtij populli të majtë e të djathtë ta dëgjonin se çfarë mendon populli që i ka zgjedhur. Përndryshe, po kjo e drejtë do t’i detyronte parlamentarët tanë ligjvënës të viheshin në kërkim të ndonjë populli tjetër.

I nderuar kryetar i Parlamentit, zotni Ilir Meta,
Ju e dini po aq mirë sa unë (në mos më mirë) se hapja e dosjeve dhe Lustracioni është i vetmi akt i ndershëm publik që na bën të një higjiene mendore, shpirtërore e civilizuese me atë Europë, të cilën e mëtojmë më aq ëndërrim. Ju, i nderuar kryetar i Parlamentit, bashkë me kolegët tuaj, e dini po aq mirë (në mos më mirë) se rrënjët e të keqes shqiptare gjenden në kënetën e së shkuarës diktatoriale dhe se prej andej na vijnë frytet e hidhura të përditshmërisë sonë traumatike. Dhe po kaq mirë sa unë (në mos më mirë) ju e dini, i nderuar kryetar i Parlamentit, se pa e “drenazhuar” këllirën e kësaj kënete, që na llangos çdo çast përditshmërinë tonë, nuk ka shtegdalje tjetër morale përballë fëmijëve tanë, përballë brezave që vijnë. Ata do të na lypin llogari të rreptë, ne, bashkëkohësve, bashkëmoshatarëve, se si pranuam të ndërtonim një ngrehinë kaq perverse e kaq të keqvendosur të shoqërisë, duke i pasur të gjitha mundësitë e një zgjedhjeje të lirë. Dhe kjo, i nderuar kryetar, në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, ata do të trashëgojnë dobësitë tona, veset tona, mjerimin tonë! Po unë nuk dua, sikundërse dhe ju, sikundërse çdo bashkëkohës me vetëdije të shëndoshë morale, të turpërohet para “gjyqit të historisë”, i cili nuk toleron, por ngre gishtin e akuzës për të na shënjuar me turp për atë që kishim mundësi ta bënim dhe nuk e bëmë; për atë ndotje të madhe që lejuam të ndodhë para syve tanë. Sepse i kemi pranuar kriminelët tanë, u kemi falur një karrierë që ata as e kishin ëndërruar. I inkurajojmë përditë të nxjerrin sheshit nga shpirti i vet satanik idhujt e tyre me portrete dhe gjithë pajën e nostalgjisë; i kemi lënë në katedra auditorësh të na mësojnë të njëjtat dokrra si në kohën e lugatit; i kemi lënë të na bëjnë drejtësinë; u ofrojmë mikrofonat dhe studiot të shprehen, ndërkohë që po të hapej goja e viktimave, gjak do të rridhte!
Dhe, të më ndjeni, i nderuar kryetar, këto që ju shkruaj nuk janë profka e as retorikë.
Në vigjilje të dërgimit të peticionit për hapjen e plotë të dosjeve sipas ligjit gjerman dhe, pandashëm me të, të Lustracionit, ju siguroj se mbështetja e elitës intelektuale të Europës dhe Shqipërisë është vetëm majë simbolike e një mbështetjeje të gjerë gjithëpopullore, nëse ju do ta ndërmerrnit këtë hap të domosdoshëm, edhe pse të vonuar. Çfarë kuraje tjetër ju duhet? E kam fjalën, i nderuar zotëri, për hapjen e plotë të dosjeve të diktaturës dhe Lustracionin, jo për gjysmëligje, gjysmëalibi që predikojnë pedagogjikën e mashtrimit dhe alibisë, që amnistojnë adeptët e meshave të zeza publike, pjesëtarë të zellshëm në ritualin e dhjetëra mijëra flive anë e mbanë Shqipërisë. E kam fjalën për transparencë dhe Lustracion të shoqërisë dhe jo për rehabilitim përfundimtar të rrënjëve të së keqes shqiptare.
Ne, i nderuar zotni kryetar, jemi të vetëdijshëm përballë përllogaritjes cinike se “nuk kemi gjë në dorë” dhe se “nuk mund ta ndryshojmë gjendjen” me peticionin tonë (që dikujt mund t’i duket i pafuqishëm e ndoshta qesharak). Por jua them me bindje të plotë se po shfrytëzojmë të vetmin mjet demokratik që ende e kemi në dorë (nesër nuk i dihet), se ne, nismëtarët e këtij peticioni, njëmend që nuk e kemi në dorë për ta ndryshuar gjendjen, por brenda fuqisë së fjalës dhe vullnetit tonë, jua bëjmë me dije, se herëdokur, kur të gjendemi përballë pyetjes asgjësuese “ç’bëtë ju, bashkëkohësit e lirive demokratike?”, së paku do të dimë si të përgjigjemi: “Bëmë aq sa kishim në dorë!” Përgjegjësitë e tjera, i dashur kryetar, rëndojnë mbi ju!
Me respekt, Agron Tufa,
*Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ISKK
Bashkënismëtar i Apelit drejtuar Parlamentit shqiptar për hapjen e dosjeve dhe Lustracionin

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura