EUROPA LEAGUE/ Zhgënjen Partizani, humb edhe në shtëpi. Kukësi kalon turin. Laçi ngec në Baku (VIDEO)

Jul 10, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Ka përfunduar ndeshja mes  Partizanit dhe Stromsgodset në rezultatin 0-1. Norvegjezët shënuan në minutën e fundit shtesë.

Pamje pas ndeshjes

Partizani, ashtu sikurse në pjesën e parë zhgënjehu edhe këtë radhë. Të kuqtë ishin të pafuqishëm përballë norvegjezëve, duke u mposhtur edhe në “Qemal Stafa”.

Autori i golit të vetëm në këtë ndeshje ishte Valsvik, i cili shënoi edhe dopietën e ndeshjes së parë në Norvegji, ku Partizani u mposht 3-1. Në këtë mënyrë, Partizani eliminohet nga Europa League që në turin e parë kualifikues. 

Më herët, përfunduan takimet e kthimit për turin e parë të Europa League, ku Kukësi ka kaluar me sukses për në turin e dytë, ndërsa Laçi është skualifikuar.

Torpedo- Kukësi 0-0 (0-2) 

Skuadrës së Kukësit i ka mjaftuar një barazim 0-0 në Bjellorusi ndaj Torpedos për të kaluar në turin tjetër. Kuksianët duket se po përsërisin rezultatet e një viti më parë, kur ishin shumë pranë kualifikimit në fazën e grupeve.

Kuksianët u mbrojtën mjaft mirë gjatë gjithë 90-minutëshit në Bjellorusi. Këtë e tregojnë edhe statistikat. Vendasit e mbajtën topin 61 % të kohës, duke shënuar 20 raste për gol, por pa mundur të shënojnë.

Por edhe Kukësi ishte mjaft i rrezikshëm në kundërsulme, duke nisur 11 aksione të frikshme, edhe pse vetëm një gjuajte brenda kuadratit. 

Pjesa e dytë ishte më kritike për kuksianët, të cilët u mbrojtën mjaft mirë. Edhe vetë bjellorusët, të cilët duhet të shënonin dy gola për ta çuar ndeshjen në shtesë u dorëzuan.

Në këtë mënyrë, Kukësi i falet fitores 2-0 në shtëpi,  e cila i jep një biletë për në turin tjetër të Europa League. 

Lojtarët e Kukësit festojnë kalimin e turit me videoselfie në Minsk të Bjellorusisë

Posted by Gazeta Panorama Online (live updates) on Thursday, 9 July 2015


Inter Baku – Laçi 0-0 (1-1)

Laçi nuk ka shkuar më shumë se një barazim 0-0 në kryeqytetin e Azerbajxhanit në ndeshjen e kthimit ndaj Inter Bakut.

Laçianët vinin nga një rezultat jo i favorshëm, 1-1 në shtëpi dhe u duhej një fitore ose një barazim 2-2 që të kualifikoheshin për në turin tjetër.

Mirëpo ndeshja përfundoi në barazim pa gola, çka dërgon azerët në turin tjetër të Europa League. Megjithatë, nuk mund të themi se Laçi zhgënjehu në këtë ndeshje.

Skuadra shqiptare pati më shumë raste se vendasit, edhe pse nuk arriti të finalizonte. Në pjesën e dytë u shtuan përpjekjet e laçianëve, ndërsa vendasit dukeshin të trembur dhe u mbyllën në mbrojtje.

Objektivi i tyre ishte të mos pësonin gol dhe ia arritën. Në këtë mënyrë Laçi del jashtë Europa League për këtë vit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura