Europa kundër vetvetes?!

Jun 29, 2016 | 11:20
SHPËRNDAJE

zeno jahajZENO JAHAJ

Gjysma e anglezëve ka votuar për ta lënë BE-në. Një makth a gjëmë e stërmadhe ka pushtuar mediat fjalimet, liderët, për një efekt të mundshëm domino: Bashkimi Europian shkon drejt shpërbërjes. Kësisoj, tashmë europianët do të enden secili për hesap të vet në xhunglën e re gjeopolitike që mund të krijohet nga një Europë e copëzuar, e paorientuar, pré e fantazmave që e patën sfilitur atë, sidomos në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.

Ky është pak a shumë skenari i gjëmës apo i makthit. Për më shumë se dy shekuj Europa ishte qendra e fuqisë, pasurisë, intelektit dhe e qytetërimit perëndimor. Si e tillë, ajo sundoi skenën botërore. Për rrjedhim, edhe formula e gjeopolitikës kishte vulën e saj. Natyrisht, Europa ka qenë dhe është një burim vlerash universale progresi me gjithçka që i ka sjellë dhe i sjell njerëzimit në politikë e shoqëri, ekonomi e financë, mendim e ide, teknikë e teknologji, në të gjitha fushat.

Revolucione të mëdha e të rrjedhimeve globale ishin produkte europiane. Ashtu sikurse, për fat të keq, ishte Europa për të cilën dhe në të cilën u zhvilluan dy luftëra të përmasave botërore. Dy ideologjitë më shkatërrimtare të njerëzimit, komunizmi e nazizmi, hodhën rrënjë dhe u instaluan pikërisht në Europë. Europa ishte një Perandori edhe pa qenë e bashkuar: do të ishte një nga vendet europiane që do të mbante gjithnjë çelësat e botës, pavarësisht se quhej Britani e Madhe apo Holandë, Francë apo Spanjë.

Kjo Europë ishte që furnizoi me gjak dhe i dha jetë një kontinenti të tërë amerikan, që krijoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’i besuar, pastaj, asaj, tërë çelësat e botës. Por, kur Europa e kuptoi, më së fundi, se pushoi së qeni perandori; kur asnjë vend europian nuk mund të vendoste tashmë i vetëm fatet e botës; kur nuk do të mund të përdorte më instrumentet që kishte përdorur për më shumë se dy shekuj, atëherë ajo iu drejtua një zgjidhjeje tjetër: të organizohej dhe të vepronte si bashkësi, si Bashkim Europian.

E vërteta është se kontinenti, një herë e një kohë i vetëm me treg botëror sundimi e influence, sot fuqitë europiane zor se shtrihen dot deri edhe brenda kontinentit. Vetëm 8 për qind e eksporteve europiane shkojnë në tetë ekonomitë e tregjeve më të zhvilluara, siç janë ato të disa vendeve të Azisë, të cilat tashmë vlerësohen se janë gjenerues të rritjes së ardhshme të ekonomisë botërore. Dikur me popullsi sa 33% e asaj botërore, sot, popullsia e Europës nuk përbën më shumë sesa 17% të saj – një ritëm rënieje që rrezikon madje edhe riprodhimin e vetvetes.

Dikur Europa jepte gjysmën e prodhimit botëror, në vitet 1980 një të katërtën dhe sot një të pestën. Parashikimet janë akoma më pesimiste. Pikëpyetjet që ngrihen janë therëse: Do të varrosë Europa të gjitha armët që i dhanë asaj privilegjin e të qenët truri politik i botës?

Do të varrosë Europa rolin e vet si aktor kushtë- zues gjeografik e ekonomik i zhvillimeve të ardhshme globale? Do të sakrifikojnë vendet europiane identitetin e vet europian për hir të identiteteve kombëtare? A do të konkurrojë dot një Europë e shpërbërë përkundrejt fuqive të mëdha aktuale dhe atyre të reja që po afirmohen? Më në fund, por jo e fundit për nga rëndësia, a do të ndihen më të sigurta vendet dhe qytetarët europianë pa fuqinë unike gjeofinanciare të Europës së Bashkuar?

Europa e Bashkuar lindi si nevojë për t’i dhënë fund tragjizmit të saj që e çoi gjithë botën në dy luftëra shkatërrimtare, për t’i dhënë fund nacionalizmit të formës së nazizmit e të fashizmit. Edhe pse u quajtën luftëra botërore e përmasat ishin të tilla, fush- ëbeteja ishte Europa dhe milionat e të vdekurve nga këto luftëra ishin tragjikisht vetëm europianë. Europa e Bashkuar lindi si nevojë për t’i dhënë fund dobësisë së saj klasike – armiqë- sive shekullore, rivalitetit nacionalist, për t’u riformësuar si një kontinent më i lirë dhe më me prosperitet, pikërisht nën kuadrin e integrimit ndëreuropian, jo të lirisë për konflikt europian.

Pas dy luftërave shkatërrimtare, të cilat “tëharrën” burimet e saj njerëzore, materiale e financiare, Europa u ndërgjegjësua se shkaku i këtyre luftërave ishin pikërisht pengesat për tregtinë dhe lëvizjen e lirë të prodhimeve, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve nëpër të gjithë kontinentin. Europa e Bashkuar lindi si nevojë për të vërtetuar se e mira e përbashkët nuk sigurohet me struktura perandorake, si ato të ishBashkimit Sovjetik, por me struktura të lira demokratike.

Dhe Europa e fitoi këtë betejë. Europa e Bashkuar lindi si nevojë e rirregullimit të balancave gjeopolitike, për të mos i lënë këto balanca në dorë të fatit apo të fuqive autarkike a komuniste. Vetëm një Europë e Bashkuar me vlerat e saj të lirisë e të prosperitetit demokratik do të kishte bërë të mundur të ndikoheshin zhvillime me peshë gjeopolitike si integrimi i shteteve postfashiste si Spanja, Portugalia apo Greqia, apo i atyre postkomuniste të pothuaj tërë Europës Lindore.

Vetë këto vlera universale do të mundësonin që, madje edhe Serbia, e njohur për dyzimet e saj gjeopolitike e trajtat agresive të nacionalizmit të saj, të aspirojë për integrimin europian. A mund të dalë, prandaj, Europa kundër vetvetes? Europa – djepi i vlerave demokratike – kontinenti më i pësuar historikisht nga politikat e ekstremeve ultra të djathta, ultra konservatore e ultra nacionaliste, nuk mund të lejojë të bjerë në duart e neonazizmit, neofashizmit, shovinizmit, ksenofobisë, racizmit, autoritarizmit, e regjimeve të korruptuara.

Pësimi i hidhur, shumë i hidhur është shumë i afërt në kohë për ta harruar. Europa – rast unik i kulturës dhe strukturave të bashkëpunimit në nivel kontinental, nuk mund të lejojë të shpërdorojë armët e fituara në sajë të kësaj kulture dhe të këtyre institucioneve. Një nga këto armë është siguria që prodhon BE-ja përmes ekonomisë e financave të saj. Ishte dhe është BE-ja që ushtron politikat dhe armën gjeofinanciare përmes sanksioneve nga të cilat mund të tkurret aventurizmi ekspansionist i oligarkisë ruse. NATO, sigurisht është në gjendje ta trajtojë problemin aventuresk të Rusisë në Ukrainë, Estoni, Letoni apo Lituani, por jo pa BE-në.

Vetë Britania e Madhe nuk do të ndihet e sigurt jashtë BE-së. Mjafton të kujtojmë se do të ishte një burrështetas britanik, Uinston Çërçill, të cilit Britania e Madhe i detyrohet shumë, i cili do të jepte i pari alarmin për një Luftë të Ftohtë, që promovoi me arsye idenë e Bashkimit Europian kur ende Lufta e Dytë Botërore ishte në mesin e ashpër të saj kur shkruante: “Mezi pres të shoh Shtetet e Bashkuara të Europës, në të cilat barrierat midis shteteve do të minimizohen së tepërmi dhe se udhëtimi pa kufizime do të jetë i mundshëm…

Ka një ilaç, që në qoftë se adoptohet përgjithësisht apo edhe spontanisht nga shumica dërmuese e popujve në shumë vende, do të ishte sikur një mrekulli për të transformuar tërë skenën dhe në pak vjet do ta bënte Europën po aq të lirë dhe të kënaqur sa Zvicra sot. Çfarë është ky ilaç sovraniteti? Ai është të rikrijohet Familja Europiane, sa më shumë që mundemi, dhe ta sigurojmë atë me një strukturë nën të cilën ajo të mund të jetojë në paqe, siguri dhe liri.

Ne duhet të ndërtojmë një Shtete të Bashkuara të Europës. Hapi i parë në këtë rikrijim të Familjes Europiane duhet të jetë një partneritet midis Francës dhe Gjermanisë. Në qoftë se, nga ana tjetër, komuniteti tregtar i Europës do të ishte përgjithmonë i kufizuar vetëm për gjashtë vende, rezultatet mund të jenë më keq sesa të mos bëhet asgjë…Kjo prirje nuk do ta bashkonte Europën, por do ta ndante atë dhe jo vetëm në fushën ekonomike…”.

Vrasja alla naziste e Jo Cox, këshillat e udhëheqësve të tri partive kryesore politike, thirrjet e shumicës së kompanive lidere në biznese, prononcimet e dhjetëra njerëzve të famshëm, yjeve të sportit e të artit, paralajmërimet dramatike nga ekspertë të ekonomisë, folën për të qëndruar në Europën e Bashkuar. Vullneti i kombinuar i kryeqytetit dhe rinisë angleze që votuan 75% për të qëndruar në BE, si dhe ato të Skocisë, përkundër provincave dhe pleqve kon- Î servatorë, flet po kështu që Britania duhet të qëndrojë në BE.

Prandaj, Britania e Madhe, në thelb nuk ka dalë nga BE-ja, për më tepër po të kujtojmë se ajo nuk ishte pjesë e Eurozonës. Impakti natyrisht do të jetë i madh. Britania e Madhe është fuqi e madhe, anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, një nga anëtarët më me peshë në NATO. Dalja e saj mund të ndërsejë nacionalizmin, ekstremizmin e separatizmin në të gjithë kontinentin.

Të paktën për dy vitet që vijnë, BE-ja do të merret me veten e vet, duke lënë kësisoj hapë- sira gjeopolitike boshe, sidomos në Ballkan, ku më pak Europë e Bashkuar do të thotë më shumë Rusi e Turqi, domethënë një gjendje e vitit 1913… E vërteta që nuk thuhet qartë nga e gjithë kjo zallamahi është frika nga dinamika e re e globalizmit: milionat e refugjatëve që i sulen Europës.

Një Europë e Bashkuar e menaxhon sidoqoftë problemin, edhe pse bëhet fjala për shifra të llahtarshme masive refugjatësh, që jo vetëm prekin demografinë, por sidomos destabilizojnë Europën. Sidoqoftë, një Europë e Bashkuar mund ta menaxhojë që në origjinë problemin e miliona refugjatëve. Po një Europë e shpërbërë çfarë do të bëjë?

Italia e vetmuar, p.sh., edhe pse është fuqi e madhe, nuk e menaxhon dot këtë problem në origjinë. Si një shtet demokratik ajo nuk mund t’i lë ata të mbyten në det. Por nuk ka as fuqi për t’i absorbuar. Atëherë mbetet rruga e fundit: t’i hipë në trena e t’ua faturojë europianëve të tjerë. Europa nuk duhet dhe nuk do të shthuret. Në çdo rast, të gjithë europianët janë të humbur e as anglezët nuk janë të fituar.

Europa vetëm do të reformohet, sepse është një nevojë e kohës, e zhvillimeve. Kombet demokratike nuk shkojnë në luftë, as në ndarje e izolim, por në reformë. Europa nuk është një bashkim i dhunshëm, as artificial, por një bashkim vlerash e perspektivash të pakthyeshme. Nuk jemi në kufijtë e shthurjes së Europës, por në kufijtë e nisjes së reformimit të Europës.

Kjo është një betejë e re Europës, beteja e riformimit e transformimit, jo e tërheqjes. Beteja dhe inati nuk është me Britaninë, por me të ardhmen e vetë Europës. Europa nuk mund të dalë kundër vetvetes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura