Europa do të rilindë me Italinë ose do të bjerë me të

Apr 2, 2020 | 19:43
SHPËRNDAJE

Alfred-Papuciu

ALFRED PAPUÇIU

Europës i kanë mbetur dhjetë ditë për t’iu përgjigjur thirrjeve për ndihmë nga Italia. E ardhmja e Unionit është në diskutim.

19 vendet e eurozonës i kanë dhënë vetes deri në Pashkë për t’iu përgjigjur kërkesave të mëdha për ndihmë të Italisë. Italia, vendi më i prekur nga bota, nga pandemia e Covid-19, është gjithashtu me më tepër borxhe në kontinent pas Greqisë. Ekonomia e saj nuk do të mbijetojë pa një përpjekje të paparë nga partnerët e saj europianë për të shfaqur solidaritetin e tyre financiar dhe për të garantuar besimin e tregut. A do të jenë në gjendje? A do të jemi dhe ne në gjendje?

Duhen rrëzuar tabutë
Një takim i Eurogroup, javën e kaluar, u shndërrua në një fiasko me rishfaqjen e ndarjes, midis mbështetësve të ortodoksisë financiare dhe mbështetësve të masave jashtë skemave klasike të liberalizmit, disa ministra të veriut nuk nguruan tu japin mësim kolegëve të tyre nga jugu. Një qëndrim i cili, përballë rrezikut me të cilin përballet Europa, është bërë i papërgjegjshëm. Me krizën e koronavirusit, është koha për të shembur tabutë e vitit të kaluar. Kjo është ajo që Komisioni Europian ka filluar të bëjë, duke hequr dorë nga Pakti i Stabilitetit dhe rregulli i tij 3%. Do të duhet të shkojmë më tej për të rindërtuar kontinentin, pasi virusi të ketë kaluar.
Ata që mendojnë se mund të zbatojnë sot në Itali rregullat e shtrëngimit të vendosura dje Greqisë, në këmbim të mbështetjes, gabohen seriozisht. Italia nuk po përballet me një krizë për shkak të keqmenaxhimit të fondeve të saj publike, por me një katastrofë natyrore që godet të gjithë planetin. Nesër, shumica e shteteve europiane do të kenë probleme. Eshtë jo vetëm urgjente të aktivizohet Mekanizmi Europian i Stabilitetit, pa kushte, por edhe ndonjë masë tjetër stimuluese, duke përfshirë edhe bashkimin e borxheve të ardhshëm, nëse është e nevojshme.

Me Zvicrën

Përndryshe, rënia e Italisë, nesër e Spanjës, do të çojë në shpërbërjen e zonës së euros dhe me atë të Unionit. Europa është e dënuar të rilindë me Italinë ose të fundoset përkrah saj. Dhe për ata që në Zvicër do të gëzoheshin për dështimin europian, ata do ta kuptojnë që edhe kjo fundosje do të jetë e jona. Në këtë krizë, është në interesin e Zvicrës të tregojmë solidaritet me Italinë, me Europën, çfarëdo që të vendosin fqinjët tanë. Sepse ne jemi në të njëjtën anije, atë të një kontinenti, vlerat e të cilit janë nën kërcënim nga të gjitha palët.

Frédéric Koller

Editorial

Përkthyer nga Alfred Papuçiu
Marrë nga gazeta “Le Temps”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura