“Eurobarometër 2018″/ Ekonomia dhe punësimi, mbi 50% e të intervistuarve në Shqipëri thonë se…

Aug 7, 2018 | 12:53
SHPËRNDAJE

Sondazhi Eurobarometër 2018 publikuar nga Komisioni Europian, tregon se mbi 50% e shqiptarëve vlerësojnë se situata financiare e familjeve të tyre dhe punësimi janë përmirësuar krahasuar me katër vite më parë.

Sondazhi bazohet në intervista të drejtpërdrejta me qytetarët. Në Shqipëri janë realizuar 1048 të tilla.

2

Pyetjes së si e vlerësojnë situatën financiare të familjes së tyre, 62% e të intervistuarve në Shqipëri e vlerësojnë “pozitivisht”.

Krahasuar me vitin 2014, kur është realizuar për herë të parë ky sondazh në Shqipëri, përqindja e atyre që vlerësojnë se gjendja e financiare e familjes së tyre është “pozitive” është rritur nga 52.9% në 61.9% .

Sa i takon situatës personale të punësimit, 57% e të intervistuarve e vlerësojnë “pozitive”.

Sentimenti për gjendjen ekonomike ka ardhur gradualisht në përmirësim përgjatë kohës që është aplikuar Barometri në Shqipëri. Pjesa e të intervistuarve që shprehen se se gjendja e ekonomisë së vendit është “shumë keq” është ulur nga 35.5 % në sondazhin e parë të vitit 2014 në 7.44% në sondazhin e fundit, ndërsa ata që e konsiderojnë gjendjen e ekonomisë si “pozitive” ka kaluar nga 27.6% në 48.8%.

1

Të pyetur mbi pritshmëritë e tyre për 12 muajt e ardhshëm, 84% e të intervistuarve në Shqipëri e vlerësojnë situatën “më mirë” ose “njësoj”. Në Bashkimin Europian, vetëm 25% presin përmirësim, ndërsa 48% mendojnë se situata do të mbetet e njëjtë.

Pritshmëritë për 12 muajt e ardhshëm mbeten pozitive për situatën ekonomike dhe punësimin, në mbi 50% të të intervistuarve. Konkretisht, 50% e të intervistuarve në Shqipëri vlerësojnë se punësimi do të përmirësohet përgjatë vitit të ardhshëm. Në Bashkimin Europian, kjo shifër është vetëm 27%.

Qytetarët shqiptarë shprehen optimistë edhe mbi situatën personale të punësimit, ku 49% e të intervistuarve besojnë se do të ketë përmirësim dhe 35% mendojnë se do të vijojë e njëjtë. Në total, 84% e të intervsituarve janë pozitivë.

Të pyetur mbi pritshmëritë për situatën ekonomike, 52% e të intervistuarve në Shqipëri shprehen se në 12 muajt e ardhshëm ajo do të jetë më mirë. Në Bashkimin Europian, vetëm 25% presin përmirësim, teksa 48% mendojnë se situata do të mbetet e njëjtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura