Euro zbret sërish në nivelin më të ulët në 10 vite, eksportuesit në panik

May 22, 2018 | 13:02
SHPËRNDAJE

Monedha e përbashkët ka vijuar tendencën rënëse edhe gjatë ditës së sotme, duke arritur sërish në nivelin më të ulët në 10 vite, që nga shkurti i vitit 2009.

kursi

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 126.89 lekë, me rënie prej 0.15 lekësh në krahasim me një ditë më parë, ndonëse në bursa monedha e përbashkët u forcua.

Sot ka rënë edhe dollari dhe pjesa më e madhe e monedhave të shportës, një tregues ky se leku është i fortë. Një dollar u këmbye me 107.38 lekë, me një rënie të fortë prej 0.77 lekësh në krahasim me një ditë më parë dhe duke iu larguar nivelit më të ulët që nga janari I këtij viti, që u arrit dje.

Në bursat ndërkombëtare, euro e ka marrë veten pas pesë javësh radhazhi me rënie, duke u këmbyer me 1.18 dollarë, teksa tregjet po presin të shohin nëse ngadalësimi i tremujorit të parë të eurozonës është shtrirë dhe në muajt në vijim.

Ekspertët pohojnë se arsyeja kryesore e euros së dobët lidhet me ofertën e lartë për valutë në tregun e brendshëm, përballë kërkesës së dobët. Faktorët mbeten të njëjtë, burimet nga ekonomia informale, që po kanalizohen përmes ndërtimit, të ardhurat nga turistët që këtë vit pritet të jenë më të shumë në numër dhe faktorët e zakonshëm si eksportet, remitancat, pagesat e taksave nga bizneset që i kanë të ardhurat në euro, etj. Së fundmi është shtuar dhe fluksi i turistëve, një faktor që ka rritur ofertën në valutë.

Në krahasim me fillimin e këtij viti, euro ka rënë me 6.5 lekë, ose me 5.1%. Kjo rënie e fortë ka shqetësuar eksportuesit, të cilat kanë dalë vazhdimisht deklarata për të raportuar humbjet që po pësojnë dhe kërkojnë që të gjenden shkaqet e forcimit të monedhës, që sipas tyre është i pazakontë.

Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit Të Prodhuesve tha për Monitor se ata kërkojnë të gjendet shkaqet dhe arsyet që kanë çuar në zhvlerësimin e lartë të euros, pasi nuk ka një shpjegim të logjikshëm zyrtar të asaj që po ndodh. Rritja ekonomike nuk vlerësohet në nivele aq të larta sa të justifikojë këtë forcim të lekut, pohoi ai. Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë i ka dërguarpak javë më parë një letër Ministrit të Ekonomisë dhe Financave, z.Arben Ahmetaj dhe për dijeni kryeministrit Edi Rama, ku shpreh shqetësimin për rënien e shpejtë të euros në tregun e brendshëm, që po shkakton humbje të mëdha tek eksportuesit dhe disa segmente të industrisë prodhuese. Ata paralajmërojnë se nëse euro do të vazhdojë nënçmimin, kjo do të shoqërohet me rënie të fitimeve që do të sjellin më pak invesatime dhe vende pune. Bashkimi i Prodhuesve, duke marrë në konsiderate problematikat dhe shqetësimet që janë percjellë nga shume prej anëtareve të organizatës, në lidhje me ndikimin serioz të luhatjes së kursit të këmbimit të monedhës vendase dhe monedhave të huaja gjate dy muajve te fundit, me kërkesë dhe propozim të disa industrive prodhuese-eksportuese, do të do të organizojë një tryezë diskutimi me temë “Zhvlerësimi i monedhës së huaj dhe ndikimi tek prodhuesit-ekportuesit vendas”.

Edhe eksportuesit e bimëve mjekësore dolën dje në një konferencë për shtyp, ku kreu i Shoqatës, Filip Gjoka tha se zhvlerësimi i monedhës se huaj si ajo e euros dhe dollarit ka shqetësuar muajt e fundit kompanitë eksportuese, ata vlerësojnë se ka një rrezik të madh nëse nuk do të ketë ndërhyrje me politika stimuluese në këto sektorë jetik të ekonomisë së zhvillimit kryesisht të zonave rurale të vendit tonë.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura