Eunukë & Konkubina

Sep 5, 2021 | 10:38
SHPËRNDAJE

tupja

EDMOND TUPJA

Të enjten e shkuar, intelektuali Kastriot Islami qe i ftuari i zonjës Beti Njuma tek RTV “Ora”, në fund të emisionit qendror të lajmeve, për një intervistë pikërisht me rastin e formimit të qeverisë Rama 3 (Nuk e di përse mbiemri i kryeministrit tonë të përjetshëm, kur ndiqet nga një numër, më kujton 11 faraonët egjiptianë, nga Ramsesi 1 tek Ramsesi 11); që në krye të intervistës, zoti Kastriot Islami e cilësoi qeverinë e sapodalë nga mitra e koklavitur e Partisë Socialiste – në dukje pa operacion cezarian – si një “harem eunukësh e konkubinash”.

Në përgjithësi, shqiptarët e dinë ç’është haremi (një “banesë e veçantë për gratë myslimane të sulltanit”, na mëson “Fjalori i gjuhës shqipe”, Tiranë, 2006); në përgjithësi gjithashtu, shqiptarët e dinë ç‘është eunuku (një “burrë i tredhur që ruante gratë e haremit”, na mëson i njëjti fjalor); mirëpo, lidhur me fjalën “konkubinë”, duhet të njohësh mirë frëngjishten, italishten ose anglishten që ta dish ç’kuptim mbart ajo: kjo fjalë vjen nga latinishtja concubina dhe ka kuptimin “që fle me dikë” (sigurisht jo për të gërhitur në kor, por për t’u çiftuar), ndërsa “konkubinazh” quhet statusi i një burri dhe i një gruaje që jetojnë bashkë në çift e në të njëjtën banesë, por pa qenë të martuar zyrtarisht; nga ana tjetër, flitet për konkubinazh heteroseksual e për konkubinazh homoseksual dhe, në këtë pikë, shembujt janë të shumtë në shoqërinë tonë tashmë të emancipuar (të emanqishpuar?) seksualisht.

Por le të kthehemi tani tek qeveria Rama 3. Së pari, për të qëndruar në lëmin e seksualitetit, ku përfshihet haremi me konkubinat e sulltanit dhe me eunukët që vigjëlojnë për t’i mbrojtur ato, duhet pranuar se numri 3 na sjell ndër mend herdhet dhe organin gjinor të mashkullit, më saktë të sulltanit Rama në krye e në zemër të haremit qeveritar apo të qeverisë haremlie me, të paktën sipas zotit Kastriot Islami, 12 konkubina dhe 4 eunukë. Po të bëjmë një llogaritje fare të thjeshtë, i bie që çdo eunuk të ketë në patronazh tri konkubina, por këtu lindin disa pyetje: Cilat konkubina do t’i caktohen secilit eunuk?

Kush do të ketë nderin t’i caktojë ato? Në bazë të çfarë kriteresh? Një mendje më thotë se konkubinat do të caktohen me short dhe se këtë short do ta hedhë zëvendëskryeministri i ri me sy të lidhur, me veshë të shtuposur dhe me flegrat e hundës të bllokuara; një tjetër mendje më thotë se secila konkubinë do të paraqesë me shkrim emrin e eunukut që parapëlqen të jetë patronazhisti i saj. Gjithsesi, fjalën e fundit do ta ketë detyrimisht e erotikisht vetë kryeministri ynë sulltanesk i përjetshëm në praninë dhe me bekimin e Shkëlqesisë së Saj Zonjës Yuri Kim, Ambasadoreshës së Adhurueshme të SHBA-ve në Republikën Haremlisht të Hareshme të Shtëpisë, oh më falni, të Shqipërisë Publike.

Së dyti, numri 3, në mënyrë të pashmangshme, na shpie tek Trinia apo Triadha e Shenjtë: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë, çka rrjedhimisht na çon tek shenja e barazimit midis Birit të Zotit dhe Ramës, kryeministrit tonë të përjetshëm njëherazi kryetar i PS-së dhe prijës i shqiptarëve, që do t’u hapë këtyre dyert e Parajsës për jetën e amshuar! Për sa i përket Frymës së Shenjtë, ajo vjen drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pavarësisht pengesave që i nxori Djalli me uraganin Ida.

Kjo Frymë e Shenjtë do t’i sjellë dhuratë çdo shqiptari një palë pantallona magjike, të cilat sa herë t’ua futësh duart në xhepa, aq herë ato do të të mbushen me dollarë, por me kushtin e detyrueshëm që gjysmat e tyre t’ia dërgosh haremit qeveritar apo qeverisë haremlie për mirëmbajtjen e eunukëve të saj universalë dhe të konkubinave të saj kontribuese në mirëqenien posaçërisht të pandalshme të popullit tonë që i është aq mirënjohës kryeministrit tonë të përjetshëm!

Së fundi, nuk mund të rri pa u drejtuar një pyetje zonjave e zonjushave si edhe zotërushëve e zotërinjve që po më lexojnë në këtë çast: A e di vallë Edi Rama, kryeministri ynë i përjetshëm, se – siç e ka shkruar francezi Frédéric Dard, me pseudonimin San-Antonio, në njërin prej romaneve të tij policore – “Përjetësia është disi e mërzitshme andej nga fundi”?

Oh, e marr me mend, ndonjëra apo ndonjëri syresh mund të thotë me vete:  “Euuu, nuk e vras unë mendjen për këtë! Euuu, nuk…”, kurse ndonjë gazetar apo analist mistrec, madje mistrec pa cak e pa kufi, mund të bëjë djallëzisht pyetjen që vijon: “Po sikur në mungesë të sulltanit, ndonjëri prej eunukëve ta bindë ndonjërën prej konkubinave se nuk është aq eunuk sa pretendon ndoshta vetë sulltani?”.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura