Etrit Berisha: Kontratë te Lacio, por… të shohim

Nov 22, 2015 | 12:57
SHPËRNDAJE

Edhe pse herët për të folur për Europianin, megjithatë vë- mendja e tifozëve kuqezi është e përqendruar te kompeticioni ku do të ndjekin për herë të parë idhujt e tyre. Etrit Berisha po bën paraqitje pozitive si me Kombëtaren, edhe me Lacion. Gardiani shqiptar, me ndërhyrjet e tij të mrekullueshme, ka qenë disa herë hero i fitoreve të kuqezinjve gjatë ndeshjeve kualifikuese për në “Francë 2016”, që tashmë i kemi lënë pas.

Berisha-Etrit

Portieri nga Prishtina, i cili ishte pjesë e miqësores mes përfaqësues së Kosovës dhe Kombëtares shqiptare, e zhvilluar në vendlindjen e tij, ka folur për këtë takim, situatën e tij te skuadra italiane dhe, mbi të gjitha, për të ardhmen e tij dhe paraqitjen e Shqipërisë në finalet e Europianit. Në një prononcim për “KosovaPress”, ai shprehet i bindur se Shqipëria do të vazhdojë me performancën pozitive, ashtu siç ka bërë edhe gjatë kualifikueseve.

“Mendoj se do të jetë një Shqipëri ashtu siç e keni ndjekur edhe gjatë ndeshjeve kualifikuese. Kemi pasur një rrugë të vështirë me shumë takime të forta dhe kemi dhënë maksimumin tonë. Gjithçka e kemi arritur si grup i bashkuar. Edhe në Europian do të shkojmë për të njëjtën gjë. Do mundohemi që ta përfaqësojmë Shqipërinë sa më mirë që të jetë e mundur”, ka deklaruar Berisha. Gardiani është shprehur se kualifikimi nuk ka qenë aspak i lehtë.

Sipas tij, Shqipëria ka pasur një grup të vështirë, por gjithçka është arritur me sukses sepse gjithmonë është besuar te kualifikimi. Portieri vijon fjalën e tij duke thënë se trajneri De Biazi i ka bindur lojtarët se mund të shkojnë në Francë. “Mund të them se vetëm ne në grup kemi besuar se do të shkojmë në finalet e kompeticionit, pasi dihet që kemi pasur ekipe të forta dhe ndeshje shumë të vështira.

Mirëpo, edhe falë trajnerit që na ka mundësuar dhe na ka bindur se kemi një ekip cilësor, arritëm të kualifikohemi”, ka theksuar Berisha. Ish-portieri i “2 Korrikut” në Kosovë ka folur edhe për paraqitjet e tij te Lacio, si dhe ka lënë një dritare të hapur për të ardhmen e tij. Berisha thotë se ndihet i lumtur në klubin italian dhe ai dëshiron që të jetë akoma pjesë e lacialëve.

“Tani për tani kam kontratë me ekipin dhe jam duke punuar jashtëzakonisht mirë që të arrij objektivat e mia dhe shpresoj se do të qëndroj aty, por gjithsesi do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka përfunduar portieri, duke mos e garantuar të ardhmen e tij me bardhekaltrit për një kohë të gjatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura