“EtnoFest”, 80 skica dhe etyde të Abdurrahim Buzës

Aug 3, 2015 | 12:52
SHPËRNDAJE

“EtnoFest”, festivali i shfaqjeve, performancave e instalacioneve artistike starton sot në Kukaj të Kosovës me njërin prej etërve të pikturës shqiptare.

Aty do të prezantohen 80 skica dhe etyde të piktorit të madh shqiptar, Abdurrahim Buza, pronë e familjes Buza. Në “EtnoFest”, për 5 net me radhë do të keni rastin të shihni gjithashtu ekspozitën e piktores dhe poetes nga diaspora, Valdete Berisha, si dhe plot surpriza të tjera, si: Dokumentarë të rrallë nga AQFSH për çdo natë, kostume tradicionale, punime artizanale, libra me përmbajtje patriotike, filma me subjekte shqiptare etj.

Djali i Abdurrahman Buzës, Kujtim Buza
Djali i Abdurrahman Buzës, Kujtim Buza
Aktivitetet nisin për çdo natë në orën 18:00, për t’u mbyllur afër mesnatës, me biseda humori, muzikë dhe gatime tradicionale. Me atë çfarë ofron, “EtnoFest” ka targetuar të gjitha shtresat e shoqërisë pa dallim moshe, profesioni e nacionaliteti. “EtnoFest” është kthyer në një traditë, ku të gjithë mund të shijojnë jo vetëm pjesëmarrjen artistike, por edhe bukurinë e një vendi malor tipik shqiptar, siç është Kukaj i Prishtinës.

BUZA, I FTUARI SPECIAL
Në hapje të ekspozitës ekskluzive do të jetë i ftuar djali i piktorit, Kujtim Buza. Skicat dhe etydet janë pjesë e artit që Abdurrahim Buza realizoi në 55 vjet vite (1905-1987) dhe që nuk u ekspozuan kurrë nëpër galeritë e Tiranës, derisa i biri, Kujtimi, ka nisur t’i shfaqë herë pas here nëpër ekspozita të ndryshme. Kësaj here, “stacioni” i ekspozimit do të jetë “EtnoFesti”.

Gjithashtu, nata e parë e festivalit do të përfshijë ekspozitën retrospektive të fotografive të edicioneve të kaluara të “EtnoFestit” nga Adigraphics, ekspozitën e kostumeve tradicionale nga “Tradita collection”, ekspozitën e etno eksponateve të Gjon Gjergjajt, punëtori të veglave tradicionale nga Prend Palushaj dhe do të mbyllet me një koncert solistik nga Edona Reshitaj. Për “EtnoFest” do të kontribuojë edhe Arkivi Qendror i Filmit Shqiptar (AQSHF), i cili do të mundësojë për çdo natë shfaqjen e disa dokumentarëve me temë të traditave shqiptare në kostumet popullore, valle dhe artizanat. 

NETËT E TJERA TË FESTIVALIT
Në natën e dytë do të marrë pjesë etnoansambli nga Lezha “Dede Ndue Lazri” dhe etnogrupi i Podgurit nga Istogu. Më tej do të ketë biseda odash dhe promovime librash: “Dita e Plisit” me autor Prend Buzhalën e Ismet Krasniqin; “100 zambakë Mirdite” me autor Mark Gjokën; “Proza popullore nga lugu i Drint”, autor Gjon Gjergjaj. Në orën 21:00 të natës së dytë do të ketë një hapësirë edhe për studentët, ku Butrint Pasha do të ngjisë në skenën e improvizuar “Antigonën” e Sofokliut dhe Astrit Bytyqi “Jul Cezarin” e Shekspirit. Dita e tretë do të çelet me ansamblin “Zëri i Llapushës” nga Carralluke, Malishevë dhe ansamblin “Ardhmëria” nga Gjakova.

etno

Më tej, do të ketë barcaleta të sjella nëpërmjet rapsodëve Rasim Beqaj e Bardhyl Bardhi – Romajë. Një shfaqje pa tekst “Ikja” nga Fatbardha Shala dhe “Emigrantet” e Slavamir Mrozhekut në regji të Arianit Gecit – Qendra Multimedia, do të ngjiten në skenë rreth orës 21:00. Për të vijuar me një dokumentar nga AQSHF dhe duke e mbyllur me gatimet tradicionale. Në natën e katërt, “EtnoFesti” do të startojë me komedinë “Gjyshi im është kuller” nga Teatri Klinë, me autore Vlora Zhutaj dhe regjisor Alban Gashi, pasuar nga ansambli “Jehona” nga Theranda. Më tej do të vihen në skenë shfaqja “Karamel” me autor dhe regjisor Naser Shatrolli nga Teatri “Adrian Abdullahu”, Ferizaj.

Shfaqja tjetër është “Zëri njerëzor – Hajria”, nga Zhan Kokto dhe Fadil Hysaj, me aktore Sheqerie Buqaj. Nata e fundit vijon me filma dokumentarë, me tema nga tradita. Në natën e pestë dhe të fundit, do të dëgjohet ansambli “Tradita”, nga Ulqini, për të vijuar shkurt me një dokumentar tradicional. Një hapësirë e madhe në kohë do t’u jepet ndarjes së çmimeve, që mbyllin edhe festivalin “EtnoFest”.
ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura