Esmeralda Kame: Momenti i së vërtetës pas tradhtisë bashkëshortore

Oct 1, 2012 | 15:19
SHPËRNDAJE
Esmeralda Kame në rolin e Nertilës, në shfaqjen “Harroje dashurinë”

Aktorja e re, bashkëshortja e regjisorit Erion Kame, vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë me një shfaqje nën regjinë e të shoqit. “Harroje dashurinë” dhe roli i Nertilës si çelësi i zgjidhjes së të gjitha situatave konfliktuale e kanë ngasur drejt një tjetër tipologjie karakteri, që ajo më parë nuk ia njihte vetes…   

I shoqi e tradhton… Por, ajo nuk mund të shkelë mbi veten dhe ta pranojë në heshtje si diçka normale që rëndom u ndodh sot shumë femrave. Vendos t’i “nxjerrë sytë” dashnores së të shoqit, edhe pse në përballje me të gjërat ndërlikohen më shumë. Roli i Nertilës, në shfaqjen e regjisorit Erion Kame, që në jetë është njëherësh edhe bashkëshorti i saj, e ka përfshirë Esmeralda Kamen në një dimension aktorial të ri, ku në situata të caktuara i është dashur të dalë nga vetja… Në teatër, ky është bashkëpunimi i parë profesional me të shoqin, ndërsa më herët ata kanë interpretuar në serialin televiziv “Bar Kafe”. Përpara premierës së fundjavës, Esi, siç e njohin në rrethin e miqve të ngushtë dhe kastës së aktorëve, rrëfehet për rolin e karakterit që ajo ka në shfaqjen ‘Harroje dashurinë’, si është të punuarit në art me njerëz brenda familjes edhe atëherë kur vërejtjet dhe tonet e zërit ngrihen në syrin e të gjithëve… aty ku zhvillohen ngjarjet duke marrë trajtën e duhur, përpara çeljes së siparit të premierës në TKK-së.

Nertila dhe momenti i të vërtetës

Esmeralda gjatë interpretimit të disa muajve më parë në shfaqjen “Familja në shi”

Ishte ajo që ia kërkoi të shoqit rolin e Nertilës. Pati fatin të ishte e para që lexonte skenarin dhe roli i besuar nga regjisori, njëherësh bashkëshorti i saj Erion Kame, e ngjiti sakaq në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë. Pas prezantimit të shfaqjes për herë të parë në qytetin e Gjakovës në festivalin “KomediFest”, dhe jo rastësisht, për aktoren Esmeralda Kame, interpretimi në shfaqjen “Harroje dashurinë” është më tepër se një rol karakteri. Është çelësi që zgjidh të gjitha situatat e vështira mes çiftit, ku një nga partnerët tradhton. “Erioni zgjodhi që ta prezantojë për herë të parë shfaqjen në Kosovë, pasi Gjakova është edhe qyteti i origjinës së prindërve të mi, ndaj jo pa arsye trupa teatrale u zhvendos për disa ditë atje. Publiku e duartrokiti gjatë, ndaj dhe shfaqja u vlerësua. Ndihem me fat që im shoq më besoi rolin e Nertilës, i cili është një rol karakteri”, thotë Esi. Përplasja e karaktereve në skenë e ka detyruar të “zhvishet” nga vetja, për të qenë Nertila, personazhi që ajo interpreton në “Harrojë dashurinë”. Nuk ka qenë një sfidë e lehtë, sidomos në atakimet me karakterin e saj, në momentet kur i duhej të mbushej me mllef, herë të tjera të bënte histeriken. “Ajo që e bën të veçantë rolin, është forca e përzier me një lloj histerie, duke sjellë në skenë një “furi” të vërtetë. Nertila ka një dramë të vetën, pasi i shoqi e tradhton. Asnjëherë më parë nuk jam gjendur në një situatë të ngjashme, ndaj u përpoqa të modeloj karakterin, ta sintetizoj atë me disa personazhe që njoh në jetën reale, duke sjellë njëherësh origjinalitet në skenë”.

Një rol në bashkëpunim me tim shoq
Të punuarit me të shoqin e ka vendosur raportin e tyre artistik në të tjera nivele, ndonëse ajo thotë se Erioni është njeri që nuk i njeh kompromiset, sidomos kur bëhet fjalë për punën. Jo pak herë gjatë provave ajo është përballur me vërejtjet e tij, të cilat nuk i ka kursyer për në shtëpi. “Erioni nganjëherë është mjaft i vështirë. Nuk e njeh kompromisin dhe vërejtjet nuk i ruan për në shtëpi. I thotë gjërat siç duhet dhe në sy të të gjithëve. Mendoj se jeta familjare apo bashkëshortore duhet të ndikojë minimalisht në një punë profesionale. Ia kërkova vetë këtë rol Erionit dhe besoj se e kam merituar”, thotë Esmeralda.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura