Eshtrat do zhvarrosen, Ibrahim Kodra pranë Konicës e Frashërllinjve

Feb 8, 2016 | 14:18
SHPËRNDAJE

Ibrahim Kodra do të prehet pranë Konicës e vëllezërve Frashëri. Me gjithë protestat e banorëve të Ishmit, kundër zhvarrosjes së piktorit të madh nga fshati i lindjes, Ministria e Kulturës do t’i shkojë deri në fund vendimit, për të sjellë në kryeqytet eshtrat e mjeshtrit.

Sipas MK-së, në këtë mënyrë vihet në vend edhe amaneti i fundit i Ibrahim Kodrës. Kështu, në datën 12 shkurt, fondacioni “Ibrahim Kodra”, Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës do të organizojnë një ceremoni zyrtare për rivarrosjen e piktorit, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta të shtetit e kulturës.

Ibraim Kodra ne studion ne Milano
Ibraim Kodra ne studion ne Milano

Mësohet se vendimi i mësipërm u mor pas depozitimit pranë Ministrisë së Kulturës së një kërkese nga ana e Behgjet Pacollit dhe Fatos Faslliut, kryetarë të fondacionit “Ibrahim Kodra” në Lugano dhe në Durrës, lidhur me plotësimin e vullnetit të fundit të vetë piktorit të madh, “Nder i Kombit”, Ibrahim Kodra, që të prehej në Tiranë.

Vënia në vend e amanetit të Mjeshtrit kryhet me rastin e 10-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Për të nderuar kujtimin e një prej shqiptarëve më të shquar në botë, eshtrat e tij do të vendosen pranë Kodrave të Liqenit, një vend ky tepër i frekuentuar jo vetëm nga banorët e Tiranës, por edhe nga vizitorë të huaj.

“Ministria e Kulturës, në mbështetje të vullnetit të fundit të Mjeshtrit Ibrahim Kodra, piktorit me famë botërore, është e mendimit se memoriali i tij i vendosur në krah të figurave të mëdha të kombit shqiptar, si Faik Konica, vëllezërit Frashëri, nderon figurën e madhe të Kodrës, si dhe do të nderonte shtetin shqiptar në plotësimin e këtij vullneti. Ky Memorial në nder të tij është respekt i emrit, kontributit, dashurisë për figurat e vyera të kulturës shqiptare, të cilët kanë lartësuar emrin e kombit në nivele ndërkombëtare”, shprehet përmes një njoftimi për shtyp Ministria e Kulturës.

VARRIMI NË ISHËM

Plot 10 vjet më parë u nda nga jeta Ibrahim Kodra, piktori i madh, që krijoi në tablo “Shqipërinë fantastike”. Edhe pse ai e kaloi gjithë jetën e tij në Milano, dëshira e tij ishte të varrosej në Shqipëri. Edhe pse ai ua kishte shprehur gjithnjë njerëzve të tij më të afërt dëshirën për t’u varrosur në Tiranë ose në Durrës, trupi i tij i pajetë u vendos në vendlindjen e tij, në Ishëm.

kodra1Kujdestari i tij ligjor, Fatos Faslliu, ka 10 vjet tashmë që troket dyerve të ministrive për të vënë në vend dëshirën e Kodrës, por me gjithë premtimet e vazhdueshme, asnjëherë nuk u bë asgjë. Çoi letra, kërkesa deri në Kryeministri, por asgjë.

Kur në Galerinë Kombëtare të Arteve, në vitin 2012, u hap e para ekspozitë e plotë e Kodrës “Shqipëria fantastike” (kurator Rubens Shima), ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës në GKA, i premtoi Faslliut se “Kodrës do t’i bëhet nderi deri në fund, do ta varrosim me dinjitet”.

Duke i shtrënguar edhe një herë dorën Faslliut, premtoi: “Fjalë burrash!”. Por po mbushen 4 vjet që atëherë dhe eshtrat e Kodrës mbetën në Ishëm. Në këtë 10-vjetor të vdekjes, Kodra mund të prehet i qetë, ndërkohë që në Ishëm do të mbetet memoriali në kujtim të tij. Ministria bën të ditur se memoriali i vendosur në Ishëm, në varrezën aktuale të Maestro Kodrës, do të qëndrojë në Ishëm dhe do të plotësohet me një pllakë përkujtimore ku do të shkruhet: “Ishmi është krenar për birin e vet, piktorin e madh, Nderin e Kombit, Ibrahim Kodra (1918-2006), që tani prehet sipas vullnetit të tij të mbramë në Tiranë, pranë figurave të shquara të kulturës kombëtare”. Gjithashtu vënia e kësaj pllake përkujtimore do të shoqërohet me një ceremoni zyrtare nderimi.

Eleni Laperi: Lëvizja e eshtrave të piktorit, makabre

“Kodra i përket Ishmit”. Kështu shprehet studiuesja e artit dhe kuratorja Eleni Laperi. Zhvarrosja e eshtrave të Ibrahim Kodrës, për t’i vendosur ato në Tiranë, ka ngjallur edhe reagime mospajtuese.

Eleni Laperi
Eleni Laperi

Studiuesja Laperi është një ndër ato që është kundër këtij vendimi. Përmes një statusi në faqen e saj në “Facebook”, ajo i ka bërë një thirrje të hapur ministres Kumbaro, që të mos marrë parasysh kërkesën e fondacionit “Ibrahim Kodra”, por të investojë në vendlindjen e piktorit, duke e kthyer atë në një destinacion turistik.

“Zonja Mirela Kumbaro, ministria juaj nuk duhet të bjerë në nivelin e injorancës së përfaqësuesve të fondacionit ‘Ibrahim Kodra’, se sipas asaj logjike i pari Ismail Qemali duhet ta ketë varrin pas Kryeministrisë. Ato të holla që doni të harxhoni për një varr monumental te Kodrat e Liqenit për Ibrahim Kodrën, përdorini për publikime e suvenire, që të tërheqin vizitorë në fshatin e tij të lindjes, ku e ka vendin edhe varri. Ashtu do të përparojë, do të bëjë emër e do të pasurohet edhe fshati i tij”, shkruan Laperi.

Siç ndodh rëndom në këto raste, komentet kanë pasuar njëritjetrin. Nuk ka ngurruar t’i bashkohet debatit dhe t’i kthejë një përgjigje studiueses edhe Fatos Faslliu, kujdestari i testamentit të Kodrës:

“Lexova jo pa habi shkrimin e mësipërm. Nuk dua të bëj asnjë lloj debati me ju, por do të ishte më mirë që më parë të informoheshit. Për sa i përket mënyrës si më keni cilësuar, ua lë në dorë lexuesve të vendosin nga anon peshorja e injorancës”. Pa kësaj ndërhyrjeje, studiuesja është përgjigjur, pa u tërhequr nga mendimi i saj i mëparshëm se Kodra i përket Ishmit.

“E pranoj që jam unë thellësisht injorante, e sa më shumë njoh e lexoj, aq më shumë bindem për këtë. Pse i thashë ato fjalë për ju? E para, sepse është makabre kjo që po u bëni eshtrave të artistit. E dyta, sepse përfytyroj Ishmin, jo pas 100, po pas 50 vitesh, si një fshat turistik të njohur në Europë, plot dyqane e tezga që shesin bluza, çanta, çadra, shalle, suvenire ngjyra-ngjyra me totemet e Kodrës. Përfytyroj sikur kjo të arrihet me workshop-e, që do të mësonin banorët si ta përdorin trashëgiminë e artistit të tyre, si të vetëpunësoheshin, si të bënin Ishmin vend pelegrinazhi. E më thoni pastaj që kjo nuk do ta gëzonte atje lart Ibrahim Kodrën më shumë se ai varri monumental te liqeni. Ju siguroj që te liqeni nuk do t’i shkonte njeri. I kanë në mes të Tiranës: Skënderbeun e Ismail Qemalin, apo vëllezërit Frashëri e mbretin Zog (që aq shumë thonë se i duan), e nuk u vë njeri një lule. Prandaj guxova e ju cilësova pak fort, se mendova që keni aq shumë shembuj në Itali, ku vende të vogla janë bërë të famshme nga emrat e mëdhenj të bashkëvendësve. Uroj të vlejë diçka përfytyrimi im modest”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura