“Është zbuluar vetëm maja e ajsbergut”/ Gështenja për Panorama TV: Rama duhet të jepte dorëheqjen për çështjen “McGonigal”! E korruptoi për të eleminuar opozitën

Feb 3, 2023 | 17:55
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja ka folur për çështjen “McGonigal” që ka trazuar politikën shqiptare dhe për refuzimin e kryeministrit Edi Rama për të dhënë shpjegime në Parlament pas thirrjes në interpelancë nga opozita.

Në një intervistë për Panorama TV, Gështenja u shpreh se aktakuza e nxjerrë nga drejtësia amerikane deri më tani, është vetëm maja e ajsbergut për lidhjen e Ramës me Charles McGonigal.

Sipas tij, që në momentin e publikimit të kësaj çështje, Rama duhej të kishte dhënë dorëheqjen, për t’i treguar publikut shqiptar se nuk ka lidhje me ish-agjentin e FBI-së, si dhe për t’i hapur rrugë drejtësisë shqiptare për të hetuar.

Ervin Kukeli: Pse po shmanget kryeministri një debat me opozitën në Parlament?

Lefter Gështenja: Është seanca e dytë që mazhoranca me forcën e kartonit, kalon projektligje si asnjëherë në këto 30 vjet pa u dëgjuar zëri i opozitës. Në shkelje të Kushtetutës, kryetarja mori në vendim për të kaluar projektligjet pa diskutim. E pashpjegueshme. Grupi parlamentar i PD-së, ndërmorëm një kërkesë për largimin e zonjës Nikolla. Në seancën e dytë kërkuam interpelancë me zotin Rama.

Ervin Kukeli: Sipas rregullores, është i detyruar kryeministri Rama që të jetë i pranishëm në seancë kur thirret në interpelancë?

Lefter Gështenja: Bazuar në rregulloren e Kuvendit, Rama duhet të paraqitet në Kuvend qoftë edhe me kërkesën e një deputeti. Lidhur me interpelancën, kryeministri mund të delegojë. Por kur bëhet fjalë për interpelanca për punën e ministrisë. Bëhet fjalë për një marrëdhënie private që Rama ka me një prej ish-drejtuesit e lartë të FBI-së. Për këtë nuk mund të përgjigjet me një ministër, qoftë dhe me zonjën Spiropali.

Por jo me atë që akuzohet gjithë këto ditë, në media shqiptare dhe amerikane, ku kryeinistri akuzohet se ka një marrëdhënie me një prej ish-drejtuesit e lartë të FBI-së, ku ka paguar para për të ekzekutuar opozitën e Shqipërisë. Bëhet fjalë për hedhjen në erë të demokracisë. Rama, i cili i ka të gjitha pushtetet sot, ka institucionet KUshtetuese, tentoi me këtë lëvizje që të marrë institucionin më të rëndësishëm, siç është dhe opozita shqiptare.

Nuk bëhet fjalë vetëm për 225 mijë dollarë. Janë provuar shkresërisht të gjitha aferat që kryeministri ka bërë me ish-drejtuesin e FBI-së, përmes punëve publike, shfrytëzimit të lejes që i është dhënë për shfrytëzimin e naftës. Në këtë është përfshirë dhe një kompani ruse, e cila është sanksionuar  nga Perëndimi.

Ervin Kukeli: Reagimi i Ramës për çështjen “McGonigal”, ku shprehet se ka të bëjë me drejtësinë amerikane. Ndërkohë, drejtësia shqiptare, a duhet të kishte filluar hetimet ndaj kryeministrit?

Lefter Gështenja: E para për tu përgjigjur, lidhur me ato ç’ka shkruan kryeministri. Nuk mund të thotë që janë akuzat e opozitës. Akuzat vijnë nga SHBA. Jemi në dijeni që gjykata në SHBA, ka një material ku akuzohet, citohet 14 herë emri i kryeministrit të vendit. Vetëm për këtë fakt, kryeministri duhet të jepte dorëheqjen. Kjo për të treguar dhe në institucionet shqiptare që është i pastër nga akuzat.

Unë ju siguroj, me çfarë shohim, shumë shpejt do dalin bëma të tjera të kryeministrit për këtë çështje. Deri tani është zbuluar vetëm maja e ajsbergut. Organet ligjzbatuese duhet të kishin filluar menjëherë hetimit. Edhe pse kjo nuk ndodhi, një ditë pasi u bënë këto publikime, grupi parlamentar i PD-së, depozitoi kallëzimin për fillimin e hetimit penal ndaj Ramës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura