Është thjesht Edi Rama vs Yuri Kim, nuk ka të bëjë fare me Bashën apo opozitën

Jul 29, 2020 | 10:12
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI fitim zekthi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është dalluar në gjithë këto vite për një marrëdhënie mjaft të kujdesshme në lidhje me partnerët apo miqtë ndërkombëtarë, me zyrtarët e BE-së, me ambasadën amerikane etj. Kjo marrëdhënie është ndërtuar me një përpikmëri kirurgjikale në dy drejtime.

Drejtimi i parë ka pasur të bëjë me shfaqjen, ndërtimin nga ana e Ramës të profilit të një njeriu që e admiron mendimin politik, modelin qeverisës, idetë, vlerat e lirisë dhe të respektimit të të drejtave njerëzore që për shumëkënd shihen si shtrati, mbi të cilin qëndron tërë bota perëndimore. Angazhimi ka qenë kaq ekstrem për vite me radhë sa në gjithçka që ka bërë (vetëm si dukje, si imazh), që nga veshja e deri tek intervistat e porositura në shtypin e huaj, që nga fjalori e deri te përzgjedhja e kompanive apo studiove fituese, që nga ekspozitat apo lobimet e deri te hipokrizitë me vendosjen e lapsave në xhepin e xhaketës apo dërgimin e 30 mjekëve për të ndihmuar Italinë, është përpjekur të shfaqet si një ndjekës i paepur i mendimit të John Lock-ut apo i Charl Montesquieuse, i ideve politike të Vili Brandt-it, Bill Klintonit apo te Francois Miterrand-it etj. Nuk po hyjmë të analizojmë inkoherencat në qëndrime apo faktin nëse Rama i njeh apo jo mendimet politike të Lock-ut apo Montesquieu-se. Kjo është një temë tjetër që thjesht do të tregojë edhe ajo që gjithçka është një dukje dhe se njohja që Rama ka për këtë mendim është diçka e paqenë.

Drejtimi i dytë ka pasur të bëjë me ndjekjen pikë për presje të asaj që kërkonin njerëzit e fuqishëm të Perëndimit, në Shqipëri dhe kudo. Rama kurrë nuk i ka dalë kundër ambasadës amerikane apo ambasadës së BE-së, kurrë nuk ka dalë kundër komisionerit të Zgjerimit apo atij të Politikës së Jashtme. Rama, për shembull, pas një takimi me ambasadorin amerikan Withers, gjatë kohës që zhvillonte grevën e urisë në çadër para Kryeministrisë, tha pas atij takimi se “kishte vetëm respekt maksimal për mendimin e ambasadorit dhe nuk komentonte më tej”. Dihej që ambasadori nuk e mbështeste çadrën. Edhe pas takimit me ministrin francez për Europën, Pierre Lelouche, Rama nuk bëri asnjë koment, por zyra e tij u shpreh me vlerësim për miqësinë e Francës me ne. Ministri Lelouche, kur doli nga Bashkia e Tiranës pas takimit me Ramën në vitin 2013, teksa Rama nuk pranonte rezultatin e zgjedhjeve, tha se “kur humbet zgjedhjet, pranon rezultatin..”. Pra, edhe në ditët e veta më të këqija, Rama ka qenë shumë i kujdesshëm. Në ditët e veta më të mira, Rama shprehej se “mjafton të bien dakord amerikanët dhe unë pranoj gjithçka. Shkoni negocioni me ambasadën amerikane dhe unë pranoj gjithçka”.

Gjithë ky konstruksion shumëvjeçar ka qenë vetëm një mjet i zgjedhur nga Rama në funksion të pushtetit të tij. Rama kurrë nuk ka qenë ndonjë njeri që ka pëlqyer dhe jo më admiruar mendimin politik apo vlerat politike të perëndimit. Ai këtë e ka treguar në gjithë mënyrën se si qeveris, në mënyrën se si shan dhe fyen gazetarët dhe kritikët, në mënyrën sesi e mbushi Parlamentin dhe pushtetin vendor me njerëz që vinin nga trafiku i drogës, në mënyrën sesi shkatërroi çdo pavarësi institucionale apo çdo ndarje pushteti etj. Por ai kurrë ndonjëherë në gjithë këto vite nuk shkoi kaq larg sa të shtynte përpara me forcë ndryshime kushtetuese, që nuk janë asgjë më pak se një grusht shteti i pastër dhe këtë po e bën në një kohë që partnerët apo miqtë ndërkombëtarë nuk e mbështesin.

Te kjo rendje me forcë për të ndryshuar Kushtetutën, Rama rrëzoi vetë, haptazi, çdo iluzion të ndërtuar po nga ai vetë në kaq vite mbi të qenit e tij një politikan që mbronte vlerat, mbi të cilat ishte ngritur Perëndimi, SHBA-ja, vendet e BE-së etj.

Rama, me ndryshimet kushtetuese, nuk po i bën asgjë opozitës apo popullit në Shqipëri. Ai opozitën dhe popullin në Shqipëri kërkon t’i sundojë, t’i dominojë, t’i kthejë në objekte, t’i objektifikojë dhe t’i zhveshë nga të drejtat që kanë subjektet, t’i vjedhë apo t’i manipulojë. Kjo është diçka e treguar prej vitesh dhe nuk duket se gjendet ndonjë njeri i zakonshëm në Shqipëri, në opozitë jo e jo, që po befasohet nga kjo sjellje e Ramës. Rama, në këtë rast, thjesht ka një raport të ri, dhe i vetmi i vërtetë, me SHBA dhe me ambasadoren amerikane, me BE-në, me Bundestagun, me komisionerin Varhely, me ambasadorin Soreca etj.

Rama grushtin e shtetit nuk po e bën ndaj opozitës apo shqiptarëve, marrëveshjen e 5 qershorit nuk po e prish me shqiptarët apo me opozitën, ai po pret në besë opozitën apo shqiptarët. Po të ishte për shqiptarët dhe për opozitën, Rama do kishte bërë shumë më tepër, mund të kishte anuluar fare edhe pluralizmin, dhe vendi do të ishte në një tmerr.

Le të shohim pak më thellë shkeljen me këmbë që po u bën Rama vlerave që gjasme ai ka mbrojtur, hipokrizisht dhe për sy e faqe në këto vite, si admirues i vlerave politike amerikane apo perëndimore. Le të shohim si i përdhosin vlerat e SHBA dhe të Perëndimit këto ndryshime që po kërkon të bëjë Rama.

Filozofët e ligjit dhe studiuesit e shkencave politike bien dakord gati të gjithë se diskursi kushtetues shkrin në një ligjin kushtetues dhe teorinë morale dhe ajo që del nga kjo e gjitha është arsyeja politike. Pra, te diskursi kushtetues gjendet arsyeja politike.

Etërit Themelues të SHBA-së i kushtuan një rëndësi të pazakontë arsyes. Cass Sunstein, një teoricien shumë i rëndësishëm i ligjit sot, thotë se për herë të parë në histori, Etërit Themelues ngritën një republikë të arsyes. James Wilson, një nga Themeluesit, u shpreh në Konventën e Filadelfias se SHBA-ja i ofroi botës një republikë të arsyes.

Me këtë republikë, me arsyen e saj, siç e shpjeguan në “Letrat e Federalistit” Jefferson, Hamilton, Madison, nënkuptohet se në botë në krijimin e krijuar nga Krijuesi, gjendet një rend natyror dhe në këtë rend natyror ka të drejta natyrore. Në këtë mënyrë, republika që ata krijuan, politika, kishte për detyrë të dallonte dhe të sillej në përputhje me këtë rend të paravendosur. Kjo do të thotë se ata, vendi, nuk do të qeverisej nga “brutaliteti i dhunshëm i rastësisë”, siç kishte ndodhur gjithnjë. Makiaveli kish thënë më herët se “ngjarjet në botë qeverisen nga fati dhe nga Zoti dhe njerëzit vetë nuk kanë çfarë të bëjnë asgjë”. Themelet e Kushtetutës së SHBAsë u ngritën mbi arsyen, mbi mendimin se politika nuk do të jetë robinjë e “brutalitetit të rastësisë dhe e forcës”, por do të bëjë të mundur mbrojtjen e të drejtave natyrore siç e ka parashtruar Krijuesi në rendin natyror… (Duhet thënë se arsyeja në këtë rast nuk kishte kuptimin që i kishte dhënë asaj më parë Descartes, nuk eshtë diçka me shkak vetveten dhe e vetëmjaftueshme, por edhe ky ëhstë një diskutim tjetër).

Kësisoj, në paragrafin e parë të letrës së parë të Federalistit, Aleksandër Hamilton flet se “ … i takon popullit të këtij vendi, me sjelljen dhe shembullin e tij, të përcaktojë çështjen bazë nëse shoqëritë janë të afta apo jo të ndërtojnë qeverisje të mira me parimin reflektim dhe zgjedhje apo ato përgjithnjë janë të destinuara të varen në konstitucionin e tyre politik nga aksidenti dhe forca”.

Nga këtu nisi ndërtimi i Kushtetutës së SHBA-së. Në këtë paragraf, sipas shumë studiuesve, gjendet e mishëruar tërë filozofia e mendimit politik perëndimor, aty gjendet edhe republika e arsyes. Amerikanët, Kushtetuta e tyre, Deklarata e Pavarësisë dhe tërë mënyra sesi u ndërtuan dhe funksionojnë institucionet kanë në qendër vendimmarrjen me “reflektim dhe zgjedhje”. Ky parim u përthith nga kushtetutat e gati të gjithë vendeve të botës, jo vetëm perëndimore. Edhe Shqipëria, Kushtetuta jonë, është e ngritur mbi këtë parim.

“Reflektim dhe zgjedhje” do të thotë se vendimmarrësi, qeverisja, institucioni, shqyrton të gjitha mundësitë, shqyrton pasojat e çdo mundësie, ndalet dhe mendon se cila është ajo që do ai dhe ajo që duhet, pasi ka shqyrtuar këto mundësi dhe këto pasoja dhe bën atë që duhet, jo atë që do. “Aksident dhe forcë” do të thotë marrje e vendimit pa asnjë reflektim, befasisht dhe me forcë. E para sjell mbrojtjen e lirive dhe dyta sjell tiranitë. Arsyeja gjendet te “reflektim dhe zgjedhje” dhe vetëm bën të mundur në mënyrën e duhur prodhimin e një diskursi kushtetues, që, duke shkrirë ligjin kushtetues dhe teorinë morale, prodhon arsyen për të cilën folëm më lart.

Ndryshimet që kërkon të bëjë Rama, nuk kanë asnjë “arsye”. Diskursi i tij se ai po dëgjon popullin është një gjë kot fare, një rrenë e trashë. Në njëfarë mënyre, ky diskurs është ligji kushtetues i shkrirë me teorinë morale të Ramës. Teoria morale e Ramës është pa dyshim sundimi dhe dominimi, mbajtja e pushtetit, përdorimi i çdo mjeti (edhe thirrja e qelbësirave në qeverisje, edhe përdorimi apo futja në Kuvend e trafikantëve) për të fituar dhe mbajtur pushtetin. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, tha në një program televiziv kur po mbronte ndryshimet kushtetuese se “.. PS ka të drejtë të mbrojë interesin e saj elektoral”. Pra, ndryshimet bëhen për interesin elektoral të PS-së. Në vitin 2013, këshilltarja ligjore e Ramës, Edlira Jorgaqi, i tha Gjykatës Kushtetuese se “qeveria mendonte se ata kishin të drejtë të ndryshonin kushtetutën me akte normative”.

Kjo arsye politike e Ramës është përballë arsyes politike, mbi të cilën janë themeluar kushtetutat dhe sistemet politike të SHBA-së dhe të shumë e shumë vendeve. Kjo arsye shkel me këmbë arsyen e vendit të ambasadores Kim, shkel me këmbë letrën e Federalistit. Ndryshimet kushtetuese që po bën Rama nuk vijnë nëpërmjet “reflektimit dhe zgjedhjes”, por nëpërmjet “aksidentit dhe forcës”. Vërtet ambasadorja Kim dhe përfaqësuesit e BE-së në Tiranë janë këtu për të mbrojtur interesat e vendeve të tyre, por mbrojtja e vlerave politike, mbi të cilat janë ngritur ato, është gjithashtu një detyrë për ta. Shqiptarët, opozita, ne, jemi mësuar me sjellje si këto të Ramës, me shkelje si këto të Ramës. Shqiptarët i kanë mbijetuar Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes dhe do i mbijetojnë edhe Ramës, madje me shumë gjasa do ta mundin thellë edhe në zgjedhjet që do të vijnë, çfarëdo që të bëjë Rama. Problemin, Rama e ka me ambasadoren Kim dhe me përfaqësuesit e vendeve, vlerat e të cilave Rama po i përdhos dhe madje po përçmon duke folur për sovranizëm. Është thjesht Rama vs Yuri Kim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura