“Është ofendim!”/ MPJ i “mbyll derën” Vuçiçit pas kërkesës për vizitë në Kosovë: Vjen tani që janë zbuluar varrezat masive të shqiptarëve

Nov 21, 2020 | 14:14
SHPËRNDAJE

Kërkesa e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç që të vizitojë Kosovën bashkë me tre zyrtarë të lartë, Vulin, Gjuriç e Petkoviç, është refuzuar nga autoritetet vendase.

ta

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla shprehet se kërkesa përbën ofendim më tepër se sa provokim, pasi vjen në një kohë kur në Serbi po kryhen gërmime pas gjetjeve të mbetjeve mortore “të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas.

“Kërkesa e Vuçiç, Vulin, Gjuriç e Petkoviç për të vizituar Kosovën, në një kohë kur Kosova përballet me rihapjen e plagës e dhimbjes së madhe të personave të pagjetur, dhe zbulimit të varrezave masive të shqiptarëve të vrarë e masakruar në luftë, 21 vjet më pas, është ofendim më tepër se provokim!”, thuhet në deklaratën e ministres Haradinaj Stublla.

“Qytetarët e Kosovës, familjet e të pagjeturve, të vrarëve dhe të masakruarve nga forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, pyesin me të drejtë se çka do të ndodhë pas zbulimit të varrezave masive dhe rivarrosjes? Deri kur drejtësia ndërkombëtare do të lejojë, që po ata që kryen krimet te kryejnë edhe hetimet e gjykimet?”, ka thënë Haradinaj-Stublla.

Më 16 nëntor, autoritetet e Kosovës dhe Serbisë njoftuan se në Kizhevak afër Rashkës në Serbi, janë gjetur mbetje mortore. Në një raportim të mëhershëm të mediave të Kosovës u bë me dije se Vuçiç kishte kërkuar që Kosova t’i sigurojë ekipit të tij eskortë policore për shoqërim gjatë qëndrimit në Kosovë, e po ashtu edhe t’ua lejojë mbajtjen e armëve gjatë kësaj vizite.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura