“Është kushëriri i parë i Etilda Gjonit, por unë nuk…”, Meta: Si po përpiqet Rama për të sfumuar çështjen McGonigal, do të largohet me zgjedhje e protesta

Jan 31, 2023 | 20:42
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se kryeministri Edi Rama po përdor taktika të ndryshme për të sfumuar çështjen korruptive të McGonigal.

meta rama

Sipas Metës, njëra prej taktikave që Rama po përdor për të zbogëluar para syve të shqiptarëve këtë çështje është lidhja që kryeministri po përpiqet të krijojë mes Dorian Duçkës, njërit prej të përfshirëve në aferën McGonigal dhe familjes së kreut të PL-së.

Komentet Meta i bëri gjatë një interviste për A2CNN, ku tha se Dorian Duçka është edhe kushëriri i parë i ish-ministres Etilda Gjonaj, por ai tha se nuk mund ta akuzojë atë, pasi sipas tij, çdo njeri në këtë vend duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta.

Në përfundim Meta tha se qeveria e Ramës do të largohet me zgjedhje e protesta.

“Ky është një mashtrim publik i Edi Ramës dhe mund t’ju them se si Doriani unë kam nja 200 kushurinj dhe asnjë tjetër nuk zgjodhi Rama për këtë çështje. Rama e ka përdorur për të thënë që ja ky është edhe kushëriri i Metës. Ai është edhe kushëri i parë i Etilda Gjonajt, por nuk mund ta akuzojë atë për lidhje me të.

Gjithkush në këtë vend, që të jetë shteti i së drejtës duhet të mbajë përgjegjësi para ligjit. Çdo përpjekje për të sfumuar përgjegjësinë e arkitektit të shndërrimit të zyrës së kryeministrit në një zyrë korruptimi për zyrtarët e huaj për të dëmtuar opozitën, duhet të marrë përgjigjen e duhur.

Unë e kam bërë të qartë, Rama do të largohet me zgjedhje dhe protesta. Ky është binomi që do të bëjë të mundur rrëzimin e tij. Zoti Rama e ka përfunduar kapitullin e tij politik, por për shkak të marrjes peng të lidershipit të opozitës, ai e shtyu këtë periudhë me një kosto shumë të madhe për qytetarët. Ndryshimi është i pashmangshëm dhe do të ketë ndryshim me çdo çmim”, është shprehur Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura