Është koha për të vepruar kundër riskut klimatik në Ballkan

Sep 19, 2018 | 12:33
SHPËRNDAJE

LINDA VAN GELDER*

Linda

Me vijimin e rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, po rritet edhe ekspozimi i tyre ndaj riskut nga ndryshimet klimatike dhe fatkeqësitë natyrore. Gjatë njëzet viteve të fundit, standardet e jetesës janë rritur gjashtëfish në Bosnjë dhe Hercegovinë, gati trefish në Shqipëri dhe në Serbi. Po rritet numri i të punësuarve dhe niveli i pagave. E ardhmja e rajonit, sipas parashikimeve më të fundit të Bankës Botërore, është e shndritshme.

Megjithatë, në horizont po mblidhen re. Paralelisht me këtë rritje të mirëpritur po rriten edhe risqet e klimës dhe fatkeqësive, të cilat vënë në rrezik komunitetet e cenueshme.

Në vitin 2014, kemi parë përmbytje historike që kanë shkaktuar më shumë se 2 miliardë euro dëme dhe humbje në Bosnjë dhe Hercegovinë (rreth 15 për qind e produktit të brendshëm bruto) dhe mbi 1,5 miliardë euro dëme dhe humbje në Serbi (rreth 5 për qind e PBB-së së Serbisë). Verën e fundit kemi parë temperatura rekord, nga të cilat u deformuan shinat e trenave, ranë me dhjetëra zjarre anembanë Ballkanit, pasoi thatësirë në Serbi, nga e cila ndodhi një rënie e prodhimit bujqësor prej afro 10 për qind, ndërsa Shqipëria u detyrua të shpenzojë 200 milionë euro në importe të energjisë elektrike në mes të një thatësire shkatërrimtare. Të gjitha këto ngjarje ekstreme shërbejnë për të na kujtuar shumë qartë se sa i cenueshëm është ky rajon nga tronditje të lidhura me klimën.

Situatat të tilla ekstreme të motit janë duke u kthyer me shpejtësi në një gjë normale – në fakt, deri në fund të shekullit temperaturat mesatare rajonale mund të rriten me deri 4 gradë celsius ose më shumë mbi nivelet paraindustriale. Kjo do të sillte thatësira më të shpeshta, rënie të prodhimit bujqësor, mungesa të mëdha uji dhe rënie të energjisë hidroenergjetike – çka rrezikon të ndalojë zhvillimin e arritur prej disa dekadash.

E thënë thjesht, është një kosto tepër e lartë. Për fat të mirë, ka ende kohë për të vepruar dhe, duke zbatuar politika që marrin në konsideratë edhe ndryshimet klimatike, vendimmarrësit e politikave në Ballkanin Perëndimor mund të përgatiten për katastrofat e së nesërmes.

Në këto përpjekje, Serbia po udhëheq rrugën. Në Serbi është vendosur në zbatim kuadri i parë i plotë për administrimin e risqeve të fatkeqësive, duke u bërë kështu një nga vendet e para në botë që e ka harmonizuar plotësisht legjislacionin e tij me Kuadrin Sendai. Duke u mbështetur në këtë forcë shtytëse, Serbia ka siguruar në vitin 2017 një kredi prej 66 milionë eurosh nga Banka Botërore me të drejtë të marrjes së menjëhershme të fondeve të rimëkëmbjes pas një fatkeqësie madhore. Opsioni për livrim të shtyrë në kohë për katastrofat (Cat DDO) i kësaj huaje – i pari i këtij lloji në rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore – është ideuar për të mbrojtur investimet jetësore sociale nga ndikimet fiskale të fatkeqësive natyrore. Ky instrument është vënë tashmë në përdorim – duke kontribuar në shumën prej rreth 23 milionë eurove të nevojshme për të financuar programet e rimëkëmbjes në shëndetin publik, arsim, bujqësi dhe më gjerë pas përmbytjeve të kësaj vere.

Por, duke pasur parasysh kompleksitetin dhe kostot që lidhen me risqet klimatike, asnjë vend nuk mund të pritet ta përballojë i vetëm këtë sfidë. Me mbështetjen e Fondit Global për Zvogëlimin e Fatkeqësive dhe Rimëkëmbjen (GFDRR) dhe të Instrumentit për Ndihmën Para-Anëtarësimit të Bashkimit Europian, Serbia është duke përdorur teknologjinë LiDAR për të krijuar modele dixhitale topografike mbi bazën e të cilave do të orientohen investimet në parandalimin e risqeve të përmbytjeve.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, një projekt i Bankës Botërore me vlerë 86 milionë euro po rivendos infrastrukturën kritike për mbrojtjen nga rritja e riskut të vërshimeve. Në Shqipëri, qeveria është duke zbatuar politika të qëndrueshme për tokën, të tilla si rigjenerimi i pyjeve për të ndihmuar në mbrojtjen e furnizimit me ujë nga valët e të nxehtit dhe thatësira dhe është një nga vendet e para që sekuestron karbonin në tokat e prekura nga erozioni. Në IRJ të Maqedonisë po punohet për ta mbrojtur sektorin vital të bujqësisë në vend nga ndryshueshmëria e klimës nëpërmjet zhvillimit të institucioneve kyçe bujqësore dhe bërjes së investimeve të nevojshme në infrastrukturë, shërbime mbështetëse dhe përmirësime të fermës. Ndërsa në Kosovë dhe në Malin e Zi, politikat e eficiencës energjetike po integrohen në politikat e tjera për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike, siç janë çatitë me izolim termik dhe modernizimi i sistemeve të ngrohjes nëpër shkolla dhe spitale. Po bëhen investime kritike në të gjithë rajonin edhe përgjatë korridoreve kryesore rajonale të transportit dhe tregtisë për të ulur cenueshmërinë nga risqet klimatike, si përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës.

Nisma të ngjashme po bëhen edhe në nivel rajonal dhe rezultati tregon se rajoni i Ballkanit Perëndimor arrin më shumë kur punon së bashku se sa do të arrihej nga puna e secilit shtet më vete. Me mbështetje nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) dhe Banka Botërore, partneritetet e vazhdueshme me vendet fqinje janë duke e përmirësuar procesin e shkëmbimit të të dhënave hidrometeorologjike – duke i rritur përpjekjet për parashikimin e motit dhe duke i forcuar sistemet meteorologjike evropiane më në përgjithësi.

Duke punuar në nivel ndërkufitar, këto vende mund t’u japin qytetarëve të tyre paralajmërime të hershme më të mira për risqet e fatkeqësive dhe risqet klimatike.

Kjo punë rajonale do të marrë një tjetër shtysë këtë javë, gjatë së cilës një grup ekspertësh, vendimmarrësish të politikave dhe palësh të tjera të interesit do të mblidhen në Beograd për Konferencën e parë rajonale “Të kuptojmë risqet” – një prej disa hapësirave të pakta ku shkencëtarët, përfaqësuesit qeveritarë, zërat e sektorit privat dhe anëtarët e shoqërisë civile mund të takohen së bashku për t’i dhënë përgjigje sfidës së riskut klimatik dhe për të zbatuar novacionet më të fundit në këtë fushë.

Me rritjen e pasigurive lidhur me modelet klimatike në rajon, qeveritë e Ballkanit do të duhet të ndjekin qasje gjithnjë e më paraprake për të siguruar mbrojtjen dhe prosperitetin e komuniteteve. Partneritetet e fuqishme ndërkombëtare, si edhe investimet vizionare në aftësinë për rimëkëmbje, do ta ndihmojnë këtë rajon të përshtatet pavarësisht se çfarë moti do të bëjë për to.

*Drejtoreshë Rajonale për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura