Është koha për studimet pedologjike në ndërtime

Dec 10, 2019 | 9:53
SHPËRNDAJE

PANDI ZDRULI*

zdruli

Në datën 5 dhjetor, në mbarë botën u festua Dita Ndërkombëtare e Dhéut, e shpallur si e tillë nga Kombet e Bashkuara për të sjellë në vëmendjen e të gjithëve rëndësinë që ka dhéu në çdo aspekt të jetës sonë të përditshme. Mjafton të thuhet se 95 % e të gjithë ushqimit që konsumojmë vjen nga ky burim. Por dhéu ka edhe shumë veti të tjera, një prej të cilave shpeshherë e harruar, është se pikërisht aty ne vendosim të ndërtojmë banesat, shkollat dhe po ashtu rrugët, autostradat, fabrikat e gjithçka tjetër që na nevojitet në jetën e përditshme. Shkenca që merret me studimin e dhéut është Pedologjia, e cila përveç studentëve të Shkencave Bujqësore apo Pyjore, është pak e njohur nga të tjerët. Është një shkencë relativisht e re, e cila u nda nga gjeologjia afro njëqind vjet më parë dhe tashmë ka zënë vendin e saj të padiskutueshëm në harkun e shkencave të tokës.

Mbas tërmetit që shkundi Shqipërinë në 26 nëntor 2019, me shumë të drejtë po flitet vazhdimisht për sizmologjinë dhe gjeologjinë e vendit tonë dhe për ndihmesën që këto shkenca duhet të japin për të pakësuar sa më shumë dëmtimet nga tërmetet, që mund të godasin në të ardhmen. Por unë mendoj se edhe cilësitë e dhéut duhet të merren parasysh kur vendosim të ndërtojmë banesat apo rrugët. Ka toka të tilla, që ne i quajmë Vertisole (nga latinishtja, vertire ose lëviz) ose dhera me përmbajtje të lartë të argjilës, të cilat në varësi të lagështisë në dhé kanë aftësi të bymehen apo tkurren dhe kështu e bëjnë banesën të paqëndrueshme. Këto lloj dherash, që ndryshe njihen edhe si toka të rënda, janë të përhapura në shumë zona të vendit dhe studimet e thelluara pedologjike që nga vitet 1970 e më tej, të kryera nga ish-Instituti i Studimit të Tokave, i kanë evidentuar me shumë saktësi për të gjithë tokën bujqësore në afro 700,000 hektarë.

Duhet thënë se shumë prej tyre tashmë janë kthyer në toka urbane për ndërtime, pa marrë parasysh aspak atë që ne pedologët e quajmë përbërja mekanike e dhéut apo tekstura, e cila së bashku me strukturën e dheut, kur dominohet nga argjila e bën banesën të paqëndrueshme. Për shembull, zona e Spitallës në Durrës ka shumë prej tyre, si dhe Savra në Lushnjë, Domosdova në Përrenjas, tokat buzë liqenit të Pogradecit apo Akernia në Vlorë, ku është parashikuar të ndërtohet aeroporti i Vlorës. Nga kolegë të mi në Angli kam dëgjuar që edhe zgjerimi i aeroportit Heathrow në Londër u vendos të bëhej pasi ekspertët pedologë bënë studimet përkatëse. Duhet thënë se vetitë fizike të dherave të rënda janë shumë të konsoliduara dhe është pothuaj e pamundur të ndryshohen, me përjashtim të rasteve kur përzihen me rërë, por ky është një operacion i kushtueshëm dhe kërkon makineri të specializuara.

Eksperienca botërore ka treguar se cilësitë e dhèut mund të shkaktojnë deri në deformimin e banesave apo të rrugëve dhe kjo ndodh vazhdimisht edhe kur nuk bien tërmete. Në SHBA ekziston prej shumë vitesh Byroja për Menaxhimin e Tokës (https://www.usbr.gov/), e cila ka në stafin e saj edhe pedologë, të cilët kryejnë studime të detajuara në terren duke përcaktuar mbi të gjitha cilësitë fizike të dherave dhe mbi këtë bazë bëhet edhe projektimi dhe vendvendosja e veprave që do të ndërtohen.

Bazuar sa më sipër, ndoshta do të ishte me vend që edhe pedologët e institucioneve në Universitetin Bujqësor të Tiranës apo kolegët e Qendrës për Transferimin e Teknologjive në Fushë-Krujë të ishin pjese përbërëse e Komitetit Kombëtar për Rindërtimin, që është krijuar së fundi mbas dëmeve të tërmetit.

*Profesor i Shkencës së Tokës. Qendra Ndërkombëtare për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare (CIHEAM). Instituti Agronomik Mesdhetar i Barit, Itali

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura