Është koha e Shërbimit Shëndetësor Parësor

Nov 27, 2015 | 11:07
SHPËRNDAJE
SHEFQET DELIALLISI
SHEFQET DELIALLISI

SHEFQET DELIALLISI

Sfidë e rëndësishme e Siste mit të Kujdesit Shëndetë- sor është orientimi i tij  drejt Shërbimit Parësor, por njëkohësisht dhe rimodelimi i tij. Evidencat botërore tregojnë se Shërbimi i Kujdesit Shëndetësor i orientuar drejt Shërbimit Parësor siguron shëndet më të mirë, jetëgjatësi.

Është më i barabartë dhe ka kosto më të ulët. Ndërhyrjet e kushtueshme, jo gjithmonë të nevojshme, të mjekëve specialistë janë një shkak “i padukshëm” i rritjes së kostos së kujdesit shëndetësor. Dhe mjekët specialistë shpesh bëjnë punën e shërbimit parë- sor, departamentet e urgjencave shpesh mbushen me pacientë që duhet të trajtohen në shërbimin parësor. Ndërkohë që kujdesi parandalues, që sigurohet nga Shërbimit Parësor, redukton nivelin e shtrimeve në spital.

Nga ana tjetër, ngarkesa e punës në shërbimin e kujdesit parësor po rritet në mënyrë eksponenciale. Mjekët e këtij shërbimi duhet të kujdesen kryesisht për pacientë me sëmundje kronike, por edhe të kurojnë sëmundjet akute, të merren me depistimin dhe parandalimin. Sikur kjo të mos mjaftonte, një mal me shkresa duhet të plotë- sojnë çdo ditë. Kjo bën që të bjerë cilësia, të zvogëlohet koha e kontaktit mjek-pacient, që pacientët shpesh të largohen nga mjeku pa kuptuar se çfarë i është thënë. Pra, të pakënaqur janë dhe mjekët dhe pacientët, prandaj dhe sot kudo në botë flitet për rimodelim të Kujdesit Shëndetësor Parësor.

DY MODELE…

Sëmundjet që po dominojnë sot skenën janë ato kronike. Ka dy modele për menaxhimin e tyre. Modeli i parë, i fragmentuar, që e siguron kujdesin shëndetësor nëpërmjet mjekëve specialistë, që në qendër ka sëmundjen, dhe jo njeriun e sëmurë. Sipas këtij modeli, një person me disa sëmundje njëkohësisht: diabet, hipertension dhe sëmundje të zemrës, mund të ketë nevojë për mjekun e familjes, të diabetit dhe zemrës. Duke kaluar nga njëri te tjetri, jo vetëm që i rritet fatura e shpenzimeve, por dhe kostoja e sistemit shëndetësor. Kërkohet kohë dhe mundim.

Ekzaminime të përsëritura në mënyrë të panevojshme. Përplasje ndërmjet medikamenteve të dhëna nga secili mjek. Sipas Nash, ky model “e ballkanizon sëmundjen… i pason njerëzit nga një specialist në tjetrin, dhe secili specialist merr përgjegjësi vetëm për ‘fetën’ e tij”.

Modeli i dytë, që konsiderohet më i mirë, në qendër ka personin e sëmurë, dhe jo sëmundjen. Pacientin si një i tërë, jo pjesë të veçanta të tij. E zhvendos qendrën nga specialisti te shërbimi parësor, te mjeku i familjes, që luan rol koordinator dhe integrator.

KURIMI, KUJDESI DHE PUNA NË EKIP

Ndërsa sëmundjet akute kanë nevojë për kurim, sëmundjet kronike kanë më shumë nevojë për kujdes. Shërbimi i kujdesit parë- sor i sotëm është i modeluar për kurimin e sëmundjeve akute, për një kontakt të shkurtër mjek-pacient. Jo për trajtimin e sëmundjeve kronike, të cilat kërkojnë kryesisht kujdes, bashkëveprim afatgjatë mjekpacient, vlerësim sistematik dhe vetëmenaxhim të sëmundjes nga pacienti. Kujdesi, ndryshe nga kurimi, mund të sigurohet edhe nga infermierët.

Krijimi i një modeli të ri, që punon në ekip, në të cilin infermierët luajnë një rol cilësisht të ri, përmirëson cilësinë e kujdesit, ul koston dhe superngarkesën e mjekëve. Garfield, një nga pionierët e Planit Shëndetësor Kaiser, ka sugjeruar organizimin e shërbimit parësor me katër qendra aktiviteti.

Një qendër ku njerëzit e shëndetshëm të kryejnë periodikisht ekzaminime (depistime); një qendër për mbrojtjen e shëndetit (imunizim dhe kujdesje të tjera për njerëz të shëndetshëm); një qendër për të sëmurët kronikë dhe një qendër për të sëmurët akutë. Vetëm në qendrën e fundit pacientët kontaktojnë direkt me mjekun. Në të tjerat, kontakti është me profesionistë, jo mjekë. Mjeku ndihmon në hartimin, monitorimin e protokolleve diagnostike e mjekuese, dhe është i gatshëm për konsulta. Ky organizim lehtëson marrjen e kujdesit në kohë për të sëmurët akutë, por edhe për ata që nuk janë të tillë.

NJË PËRVOJË…

Sugjerohet një përvojë. Programin e Shëndetit në Familje, aplikuar në Kujdesin Parë- sor të Brazilit, që është i përshtatshëm veçanërisht për vendet me të ardhura të ul- ëta dhe vende në tranzicion epidemiologjik (ku përfshihemi dhe ne). Ky model është kosto–efektiv, efikas, edhe kur burimet financiare janë të kufizuara. Veçanërisht i përshtatshëm është në klimën aktuale ekonomike.

Programi i Mjekësisë Familjare kushton vetëm 31-50 dollarë për frymë në vit. Programi i Mjekësisë Familjare bazohet në një model të thjeshtë. Një ekip multidisiplinar i përbërë nga një mjek, infermiere, ndihmësinfermiere dhe 4-6 punonjës të shëndetit në komunitet që punojnë në një qendër (njësi) shëndetësore të vendosur në një zonë gjeografikisht të caktuar dhe që mbulon jo më shumë se 5000 banorë. Çelësi është punonjësi shëndetësor multifunksional në komunitet, i integruar në ekipin e kujdesit parësor, përgjegjës për deri në 120 familje.

Të paktën një herë në muaj ai kryen vizita në shtëpi për çdo familje. Merret me shëndetin e nënës dhe fëmijës, kujdesin kurativ, përzgjedhjen dhe referimin e njerëzve në qendrën (njësinë) shëndetësore. Në mënyrë proaktive identifikon problemet që hasen në menaxhimin e sëmundjeve kronike dhe trajtimin e tyre. Bën edukimin shëndetësor dhe promovimin e shëndetit në çdo familje, duke ndihmuar për një stil të shëndetshëm jetese, dhe, së fundi, gjithashtu në mënyrë proaktive, identifikon problemet shëndetësore akute të thjeshta që mund të trajtohen në shtëpi.

Rezultatet e arritura janë impresionuese. Mjafton të përmendim se vdekshmëria foshnjore në pak vite në Brazil, ka rënë nga 48 në 17 për mijë, apo vetëm në pesë vitet e fundit, shtrimet në spital nga diabeti apo goditjet cerebrale kanë rënë me 25% etj.

SHKOLLIMI DHE SPECIALIZIMI

Në kohën kur kërkohet nën-përdorimi i shërbimit spitalor dhe mbi-përdorimi i atij parësor, duhen më shumë mjekë dhe infermierë të përgatitur për shërbimin parësor, por dhe ndryshim i prirjeve, si në edukimin bazë, ashtu dhe në specializim. Çfarë ndodh në të vërtetë? Sot spitalet universitare pothuaj ekskluzivisht funksionojnë si “kështjella” të mjekësisë kurative akute… Studentët janë në kontakt kryesisht me pacientët e shtruar në spital, përgjithësisht në gjendje të rëndë, në pjesën dërrmuese me probleme akute. Programi i trajnimit nuk i jep një vizion të ekuilibruar për kujdesin shëndetësor në përgjithësi.

Sipas këtij programi, vendi më i rëndësishëm ku praktikohet mjekësia është spitali, që konsiderohet “servis për riparimin e shëndetit”. Transmetohet një nënvlerësim për shërbimin parësor, pacientët ambulatorë, ata me sëmundje minore. Ushqehen shprehi negative për trajtimin e sëmundjeve kronike. Jashtë vëmendjes së duhur lihet parandalimi, shëndeti në komunitet, apo shëndeti publik…

Specialistët e mjekësisë që merren me menaxhimin e sëmundjeve kronike nuk preferohen, mbasi modeli dominues vazhdon të jetë i orientuar te sëmundja, dhe jo te pacienti, ka si bazë spitalin, që nënkupton kurimin, dhe jo kujdesin. Kjo mospërputhje krijon mjekë të deziluzionuar dhe pacientë të shërbyer keq. Në vend të mbylljes… Në kushtet e reja të krijuara kërkohet një strategji për kthimin në specialitetin e vërtetë të mjekësisë së familjes.

Mjeku i përgjithshëm, që mbizotëron në shërbimin tonë parësor, ndryshon në aspekte të rëndë- sishme nga mjeku i familjes. Nga ana tjetër, infermierët me arsim të lartë që punojnë në shërbimin parësor nuk janë të përgatitur si duhet, nuk janë të pozicionuar ku duhet, përbëjnë një pasuri të konsiderueshme që nuk shfrytëzohet sa duhet. Mungon puna në ekip me mjekun, fokusimi tek edukimi, ndryshimi i stilit të jetës, parandalimi, ndjekja e të dhënave klinike…

Ndërkohë aplikimi i teknologjisë elektronike të informacionit duhet të aplikohet sa më parë. Në vendet e zhvilluara, një ndryshim është në proces. Shumë spitale kanë filluar të funksionojnë si “qendra të kujdesit shëndetësor” për komunitetin. Ndryshimi i natyrës së problemeve shëndetësore dhe praktikës mjekësore, ndryshimi i marrëdhënieve ndërmjet mjekëve dhe spitaleve, shtimi i personelit mjekësor jo mjek, sipas shumë ekspertëve, janë faktorë që kërkojnë riorientim të funksioneve të mëparshme.

Spitalet duhet ta vënë theksin në mjekësinë parandaluese, edukimin shëndetësor, kujdesin ambulator, kujdesin në banesë, shërbimin rehabilitues… Përvojë që duhet konsideruar. Është fakt që jemi me vonesë. Por edhe vonesa e ka një të mirë. Na duhet të bëjmë atë që të tjerët e kanë bërë, ose janë duke bërë, gjë që ndihmon në shmangien e gabimeve, duke bërë të mundur rikuperimin e kohës së humbur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura