“Është formuluar gabim. Nuk kam qenë funksionar i lartë!”/ Alqi Bllako në GJKKO për saktësimin e akuzës, SPAK duhet ta ndryshojë edhe për Klodian Zoton

Mar 25, 2023 | 11:20
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur të sfumojë akuzat që lidhen me të arrestuarit si protagonistë të inceneratorëve.

Alqi-Bllako-ne-komision

I pari që e ka shfryrë dosjen e bujshme prej qindra faqesh ka qenë Alqi Bllako. Ai është vetëkonsideruar si një person që nuk mund të quhet funksionar i lartë. Për pasojë Gjykata ka dalë kundër Prokurorisë së Posaçme që e ka hetuar dhe akuzuar në rolin e funksionarit të lartë ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit.

Bllako me veprimet e tij sipas SPAK pati rol thelbësor në lidhje me gjithçka ndodhi në inceneratorin e Fierit, një impiant për të cilin u hodhën dhe u zhduken paratë por ai nuk u ndez asnjëherë.

Po ashtu, gjatë ditës së djeshme në të cilën u bë me dije kalimi për gjykim i dosjes së këtij inceneratori, nga ku në fakt nisen dyshimet dhe hetimet për skandalin që përfshiu vendin me qindra miliona euro në dëm të buxhetit të shtetit, u bë me dije se pushuan akuzat edhe për një person tjetër i cili gjendet në dosjen me një numër të madh të pandehurish për aferën korruptive të sistemeve të përpunimit të mbetjeve në vendin tonë.

DJE

Pas disa seancave, GJKKO-ja kaloi në gjykim dosjen e inceneratorit të Fierit me 30 të dyshuar si të përfshirë, midis tyre ish-ministri i Mjedisit Lefter koka, ish-sekretari i Përgjithshëm Alqi Bllako, si dhe ish-administratorë e kompani private që dyshohen se përfituan miliona nga faturat fiktive për punime të pakryera.

Alqi Bllako shpjegoi se detyra e tij si sekretar i përgjithshëm në kuptim të ligjit nuk ishte ajo e një funksionari të lartë dhe për këtë arsye akuza ishte përpiluar gabim ndaj tij. Me këtë arsyetim Gjykata e Posaçme ishte dakord me Bllakon dhe urdhëroi SPAK ta korrigjojë akuzën duke formuluar veprën e korrupsionit të nëpunësit publik.

E njëjta procedurë u ndoq për riformulimin e akuzës së korrupsionit në sektorin privat dhe funksionarëve publikë dhe për katër të tjerë midis tyre Klodian Zoton, italianin Ciafialonte dhe Arben Dervishajn.

Gjykata nuk dha asnjë qëndrim për kërkesat e të dyshuarve për të aplikuar gjykimin e shkurtuar.

“Të gjitha dokumentat që kanë dalë në emrin e tij kanë rezultuar të falsifikuara. Ndonëse këto fatura kanë dalë të falsifikuara u shtua një akuzë për Arben Dervishin për falsifikim”, tha avokati Gurali Brahimllari.

Gjykata korrigjoi situatën e të dyshuarit Robert Shabani për të cilin u pushua gjykimi mbasi rezulton se ai për të njëjtën rrethanë ka qenë i dënuar më herët së bashku me të ndjerin Enver Sheshi.

Të dy ata më herët kishin kërkuar ndryshim masë sigurie por nuk u dëgjuan e me urdhër gjykata vendosi drejtësi, ndonëse me vonesë, së paku për njërin prej tyre. “Pushoi gjykimi për Robert Shabanin për shkak se për të njëjtat kushte është dënuar nga Gjykata e Apelit për të njëjtin fakt për të njëjtën periudhë kohore e fatura, dolën në përfundim për ta pushuar”, u shpreh Jurgen Sinani-avokat i Robert Shabanit. Të dy inceneratorët do të gjykohen tanimë veç e veç për afera korruptive e pastrim parash.

Ndërkohë që është ndarë hetimi për ishministrin Arben Ahmetaj, i cili ende nuk është marrë në pyetje, ndonëse jo zyrtarisht pranohet se janë kontrolluar banesat e bashkëjetueses së tij Erjola Hoxha si dhe është vendosur sekuestro paraprake ndaj një vile në Palasë, që dyshohet se zotërohet nga ish-bashkëshortja e tij Albina Mancka dhe një tjetre në Hamallaj të Durrësit.

Këto veprime janë kryer për llogari të hetimeve që po mbahen për 4 veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, akuza që pritet të vërtetohen nga ana e hetuesve të Prokurorisë së Posaçme!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura