“Është e qartë si dita”, zyrtari amerikan flet pasi sheh raportin e CIA-s për vrasjen e gazetarit

Nov 21, 2018 | 7:56
SHPËRNDAJE

“Është e qartë sikur dita” se princi i kurorës i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman urdhëroi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, tha një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, transmeton Anadolu Agency (AA).

princi saudit

Në një deklaratë për ABC News, zyrtari amerikan i cili ka kërkuar të mbetet anonim dhe i cili ka parë raportin e CIA-s në lidhje me çështjen, ka theksuar se ekziston konsensus shumë i fuqishëm se lidershipi saudit është i përfshirë në vrasje dhe se kjo gjë nuk diskutohet nga askush.

Ditë më parë, gazeta Washington Post shkruajti se CIA ka arritur në përfundimin se urdhrin për vrasjen e Khashoggit e kishte dhënë princi saudit Mohammed bin Salman.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ende nuk ka marrë brifing nga CIA dhe se këtë çështje do ta bisedojë me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe zyrtarët e inteligjencës.

Khashoggi, kolumnist në gazetën “The Washington Post”, u vra më 2 tetor në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Pas disa javësh mohime për përfshirjen në krim, Arabia Saudite më vonë pranoi se Khashoggi ishte vrarë brenda konsullatës, por tha se familja mbretërore saudite nuk kishte njohuri paraprake për ndonjë komplot për vrasjen e gazetarit.

Deri tani, 21 persona, përfshirë oficerë të sigurisë, janë arrestuar në Arabinë Saudite në lidhje me vrasjen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura