“Escobari i Ballkanit” i shmanget edhe përgjimit, i zhdukur prej 3 ditësh

May 15, 2016 | 8:52
SHPËRNDAJE

Ish-drejtori i Transportit në Sarandë, Klement Balili, i dyshuar nga Policia greke për financim të trafikut të drogës, u është shmangur përgjimeve javët e fundit. Pas kapjes së ngarkesës prej rreth 650 kilogramësh drogë në zonën e ishullit Zakintos në Greqi, më 9 maj, 44-vjeçari ka qenë i pakapshëm për organet e hetimit.

balili2016_1_0Ndonëse në emër të tij mendohet se ishin identifikuar së paku dy numra telefoni me pseudonimin “Keli” që në mars të këtij viti, së fundi i dyshuari për trafik droge ka arritur të shmanget mrekullisht nga gjurmimi. Dyshohet se në këtë mënyrë, Klement Balili ka arritur t’i shpëtojë edhe arrestimit, pasi nuk është gjetur në banesën e tij në Sarandë mbrëmjen e së premtes.

Në sistemin TIMS nuk rezulton që biznesmeni të ketë dalë në rrugë kufitare nga Shqipëria, edhe pse ndaj tij ende nuk ka urdhër ndalimi apo arresti nga autoritetet shqiptare. Për disa ditë me radhë, ai nuk u thirr as për t’u marrë në pyetje, ndërsa në momentin kur policia lokale shkoi me iniciativë në banesën e tij, Klement Balili kishte humbur gjurmët.

Të afërmit dhe Policia nuk dinë asgjë për adresën e largimit të 44- vjeçarit që është konsideruar nga mediat greke si një “baron” e financues i trafikut të drogës mes disa shteteve. Policia e Shtetit kishte referuar në Prokurori një material në mars 2016 për një grup trafiku droge mes Shqipërisë dhe Greqisë, por pa emra personash të dyshuar.

ARRESTIMET NË BELGJIKË

Gjashtë shtetas shqiptarë dyshohet se janë pjesë e rrjetit të trafikut të drogës mes Shqipërisë, Greqisë dhe disa vendeve të BE-së e më gjerë.

Dy shtetas shqiptarë kanë rënë në pranga më 9 maj në Greqi gjatë kapjes së ngarkesës me drogë të nisur nga Saranda. Ndërkohë që Belgjika ka arrestuar dy persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të Klement Balilit, në Shqipëri ende nuk ka persona të arrestuar.

Dhimitër dhe Xhevahir Poti, të dy nga Shqipëria, pronarë të disa bizneseve këtu dhe në Belgjikë, kanë rënë në pranga pas një aksioni të udhëhequr nga Europoli në koordinim me Policinë greke. Policia në Angli kapi 23 kilogramë kokainë në një kamion me drejtues një shtetas grek.

Karroceria ku ishte fshehur kokaina, sipas Policisë, ishte në emër të një prej kompanive të Dhimitër Potit. Policia shqiptare tha se ishte pjesë e aksionit në fjalë, por deri tani nuk ka arritur të arrestojë ndonjë person.

Nga ana tjetër, Prokuroria shqiptare thotë se ende nuk ka prova apo urdhërarrest për Klement Balilin nga pala greke.

Po kështu, sipas Prokurorisë, nga hetimi i deritanishëm nuk është arritur të sigurohen prova për implikimin e 44-vjeçarit në ndonjë aktivitet kriminal, çka mund të shërbente për arrestimin e tij.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura