Escobar: Sot dhe nesër duhet të arrihet pajtimi për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës

Jun 6, 2023 | 19:07
SHPËRNDAJE

Në përfundim të takimeve në Kosovë, i dërguari amerikan Gabriel Escobar dhe ai evropian Miroslav Lajçak, nuk ishin në gjendje të njoftonin arritjen e ndonjë përparimi për zgjidhjen e tensioneve të fundit në Kosovë.

Capture

Ndonëse palët u pajtuan në parim për zgjedhje të reja në komunat në veri si një mundësi për kapërcimin e situatës, ato duket se nuk janë tërhequr nga kushtet e tyre.

Në një takim me gazetarët në Prishtinë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor kritikoi ashpër qeverinë e kryeministrit Kurti, me të cilën, siç u shpreh ai “Shtetet e Bashkuara kanë disa sfida”.

“Por kemi disa sfida në marrëdhëniet dypalëshe që kanë të bëjnë me kryeministrin. Dua të jem shumë i sinqertë. Shtetet e Bashkuara janë mbështetësit tuaj më të fuqishëm. Më dhemb kur njerëzit mendojnë se disi ne po i drejtojmë marrëdhëniet tona dhe angazhimin tonë për Kosovën në dobi të Serbisë”, tha zoti Escobar.

Zoti Escobar i bëri këto komente pas takimeve me udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë bashkë me të dërguarin e posaçëm evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, gjatë të cilave thanë se ulja e tensioneve, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe kthimi në tryezën e bisedimeve janë kërkesat e tyre kryesore.

Zoti Escobar tha se pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës duhet të arrihet sot dhe nesër. Të premten ai dhe zoti Lajçak duhet t’u raportojnë udhëheqësve të tyre nëse ishin të suksesshëm apo jo, ndërsa paralajmëroi pasoja në rast dështimi.

“Për Kosovën, do të dërgojë një sinjal të fuqishëm se Kosova nuk është e interesuar të bashkërendohet me ne dhe mendoj se kjo do të ishte për keqardhje. Meqë ra fjala, jo Kosova por kryeministri. Dua ta bëj shumë të qartë se ne nuk e shohim këtë si një ndikim afatgjatë në marrëdhënien tonë por veprimet e ndërmarra ose jo mund të kenë disa pasoja që do të ndikojnë një pjesë të marrëdhënies”, tha zoti Escobar.

Ai e cilësoi konfuz qëndrimin e qeverisë së Kosovës kundër këshillave amerikane për të mos dërguar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave në veri që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga partitë serbe.

“Ne nuk i kemi të njëjtat marrëdhënie me Serbinë si me Kosovën. Serbia nuk është kandidate për anëtarësim në NATO, ajo po kalon një kohë sfiduese në integrimin e vet evropian dhe ne prisnim që Kosova të jetë shumë më larg. Shuma e parave që ne i përdorim për të mbështetur institucionet tuaja, duke përfshirë sigurinë tuaj përmes KFOR-it, nënkupton që kemi një marrëdhënie tjetër. Kjo nuk do thotë që nuk e mbajmë Serbinë përgjegjëse për disa gjëra që po ndodhin dhe ua kemi bërë shumë të qartë se sulmet ndaj KFOR-it janë të papranueshme”, tha zoti Escobar.

Tridhjetë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s u plagosën të hënën e kaluar në përplasje me grupet e protestuesve serbë që kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave. Prishtina akuzoi grupet e mbështetura dhe financuara nga Serbia dhe me lidhje me Rusinë për nxitje të dhunës.

Zoti Escobar tha se Rusia e shfrytëzon këtë situatë dhe përfiton prej saj, por Rusia nuk po e drejton këtë.

“Ky është dështim i udhëheqjes politike të të dyja palëve për të përparuar në ripajtimin ndëretnik. Pikë. Ne e kemi tërë vullnetin e mirë për t’i sjellë Serbinë dhe Kosovën në një pozitë më të mirë, në marrëdhënie jo domosdoshmërisht miqësore, por paqësore, të normalizuara dhe që i afrojnë me Bashkimin Evropian”, tha zoti Escobar.

Ai tha se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë menjëherë marrëveshjen e arritur ne Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Nga Kosova pritet themelimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe, tha ai duke nënvizuar se ai do të ndodhë por çështja është me kënd dhe sa gjatë duhet pritur.

“Ne e dimë se si duhet të duket Asociacioni dhe e dimë si nuk duhet të jetë. Kemi nevojë të fillojmë tani. Mund ta kemi statutin në një ditë nëse duam. Nuk e kuptoj vonesën. Për mua, Kosova duhet ta përcaktoj veten jo nga Serbia por nga vlerat e saj, nga marrëdhëniet e saj jo me 6 milionë banorë të Serbisë por 700 milionë banorë të komunitetit euro-atlantik. Dhe ende sa herë flasim me këtë kryeministër dhe zëvendësin e tij, e tëra për çfarë duan të flasin është Serbia”, tha ai.

Asociacioni, tha zoti Escobar, nuk është lëshim ndaj Serbisë.

“Për ne Asociacioni është mënyrë për të ulur ndikimin e Serbisë në veri të Kosovës dhe për ta vendosur atë në kontroll të Kosovës, nën Kushtetutën dhe strukturën tuaj ligjore. Kështu që unë e shoh si mundësi për të ecur përpara dhe nuk e kuptoj përse kushdo do ta shihte ndryshe. Në fund të ditës Asociacioni edhe pse është negociuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk është domosdomshërisht lëshim për Serbinë, është njohje e nevojave të një komuniteti pakicë”, tha ai.

Themelimi i Asociacionit parashihet edhe me marrëveshjen e mujit mars që u arrit në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, e cila nuk i uli tensionet. /VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura