Sulmi me karrige në takimin e Bashës në Ersekë, arrestohet autori. Policia: Plagosje e rëndë me dashje

May 7, 2015 | 9:38
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Arretsohet autori që sulmoi me karrige dje në takimin e Bashës në Ersekë. Ai është Suel Lico dhe akuzohet për plagosje të rëndë me dashje.

“Suel Liço, 27 vjeç, banues në fshatin Taç-Ersekë u arrestua pasi mbrëmjen e djeshme në qytetin e Ersekës , gjatë takimit që ka pasur Subjekti Politik PD, në gjëndje të rënduar psikologjike, ka kapur një karrike dhe e ka hedhur, (jo në drejtim të podiumit) ku për pasojë është goditur shtetasi F. M., 74 vjeç , banues në Ersekë”- njofton policia.

Ngjarja 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është sulmuar me karrige nga militantë të majtë gjatë prezantimit të kandidatit të PD-së për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Ngjarja ka ndodhur në Ersekë, në kohën kur Basha po prezantonte kandidatin e djathtë për këtë bashki, Viktor Duron.

Kreu i PD-se, Lulzim Basha ne fushate

Në drejtim të kreut të PD-së është hedhur një karrige e cila ka goditur një 65-vjeçar që ishte duke ndjekur prezantimin.

Pas ndërhyrjes së të pranishmëve është ndaluar Suel Lico i cili akuzohet për ngjarjen. 65-vjeçari është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Ersekës ku ka marrë mjekimin në repartin e kirurgjisë.

Mjekët konstatuan se ai kishte çarje të rëndë në kokë, ku dhe i kanë bërë disa qepje ndërsa është jashtë rrezikut për jetën.

70-vjeçari është vizituar në spital prej kryetarit të partisë Demokratike i cili i ka uruar shërim të shpejtë. Pas vizitës Basha deklaroi se: “Këta që hedhin karriget ne do ti shkulim nga karriget një herë e përgjithmonë me votën popullore”. Ndërsa nga PD-ja e Kolonjës është akuzuar dega e PS-së për organizimin e ngjarjes.

Deklarata e PD

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Ersekë ku është tentuar të goditet lideri i opozitës, ka reaguar zyrtarisht Partia Demokratike. Në një konferencë për shtyp ajo dënon dhunën që sipas saj është orkestruar nga pushteti, ndërsa mos distancimi nxjerr zbuluar autorët.

“Partia Demokratike dënon dhunën e orkestruar nga pushteti në aktivitetin e kryetarit të opozitës në Kolonjë. PD dënon me ashpërsi dhunën e orkestruar  që u ushtrua sot në nisje të aktivitetit për prezantimin e kandidatit të opozitës  në Kolonjë, ku një person i njohur për lidhjet e tij me pushtetin,  hodhi një karrige në drejtim të qytetarëve të mbledhur në aktivitet duke plagosur zotin  Fuat Ndini 65 vjec. Zoti Ndini u shoqërua menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore për shkak të plagëve të rënda në kokë.

Mos distancimi ndaj këtij sulmi nxjerr zbuluar autorët dhe porositësit që janë të njëjtët që kanë frymëzuar akte dhune edhe në qytete të tjera kundër opozitës. Ky është tregues i panikut dhe frikës që ka kapur dyshen Rama-Meta nga gjykimi popullor me votë në 21 qershor. Partia Demokratike shpreh mirënjohjen ndaj anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve shqiptarë që kanë vërshuar masivisht  në takimet prezantuese të kandidatëve tanë. Ne i sigurojmë ata dhe mbarë qytetarët shqiptarë se Partia Demokratike  do të vazhdojë dhe intensifikojë fushatën e saj dinjitoze, qytetare dhe demokratike.

Partia Demokratike paralajmëron dyshen Rama-Meta se cdo përpjekje  apo presion kriminal i frymëzuar dhe i paguar nga kjo dyshe,  nuk do të arrijë kurrë të  mposhtë vendosmërinë plebishitare të qytetarëve  shqiptarë për ti dhënë gjykimin e merituar, por  vetëm do ta shtojë padurimin e shqiptarëve të bashkuar për të  larguar një orë e më parë oligarkinë  Rama-Meta nga keqqeverisja shkaterrimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët’’- thuhet në deklaratën e PD.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura